Ja gabimet e tua, zoti President
Autori i Lajmit: Nga Gary Sick Imagjinoni për një moment sikur jeni presidenti i SHBA dhe keni ngecur në lidhje me politikat mbi Iranin. Së pari, keni ofruar alternativën e negociatave me Iranin mbi çështjet bërthamore dhe çështje të tjera pa parakushtet e Bushit. Por ekzistonin forca politike të cilat mendonin që ky ishte një shembull i mungesës sate të eksperiencës, madje edhe tendenca zbutjeje. Kështu, në një mënyrë jo të zgjuar ti pranove një afat gjashtëmujor për negociatat për të treguar se doje të bëje pazare. U përpoqe për ta zbutur këtë fakt, duke thënë që do ta rishihje çështjen në fund të vitit, por të gjithë e injoruan këtë dhe të bënë të ditur që 1 janari ishte data e fundit për të zgjidhur të gjitha problemet e negocimit me Iranin. Ndërkohë, në Iran shpërtheu revolta e brendshme më serioze në këto 30 vjet. Nuk ishte e qartë si do të ndikonte kjo në sjelljen e sistemit qeverisës mbi çështjet ndërkombëtare. Disa u shprehën se qeverisja ishte dobësuar dhe në këtë mënyrë do të binte më lehtë pre e presionit nga jashtë; të tjerë mendonin se liderët e Iranit do të ashpërsoheshin ndaj ndërkombëtarëve për të kompensuar dobësinë e brendshme të tyre. Ti kreve disa takime me iranianët dhe si rezultat arrite një marrëveshje djallëzore. Irani do të dorëzonte shumë prej uraniumit pak të pasuruar, në këtë mënyrë duke pakësuar rezervat e saj, të cilat mund të ishin të mjaftueshme për të krijuar bombën, dhe Rusia dhe Franca do të furnizonte iranianët me karburant të pasuruar për tu përdorur në kërkimet shkencore mbi reaktorin që prodhon izotope mjekësore. Në këtë mënyrë fitojnë të gjithë. Por kur iranianët e çuan këtë plan në shtëpi, ata u kritikuan nga opozita e tyre se blenë derrin në thes. Në këtë rrëmujë të krijuar, ata u zmbrapsën dhe filluan të kërkonin një alternativë për të shpëtuar faqen, dhe respektivisht vendosën të kryenin shkëmbimin në tokën iraniane ose më vonë në Turqi. Kjo situatë u komplikua nga zbulimi (ose lajmërimi në Iran, nuk jemi shumë të sigurt për këtë), mbi një uzinë pasurimi të uraniumit të panjohur më parë, e cila u inspektua menjëherë nga IAEA. Disa mendojnë që ky ishte plani B i Iranit, pra, për të pasur një kapacitet të bollshëm pasurimi, nëse uzina në Natanz do të bombardohej nga Izraeli apo SHBA-ja; të tjerë mendojnë që kjo uzinë ishte menduar të mbahej e fshehtë dhe të prodhohej bomba bërthamore. Autoritetet përkatëse vendosën se kjo ishte një linjë prodhimi e fshehtë e bombës. Më tej, po këto autoritete, të cilat kishin vendosur tashmë afatin përfundimtar të 1 janarit, tani na vendosin që iranianët kishin negociuar jo në mirëbesim dhe se negociatat ishin në pikën e vdekjes. Kongresi, i cili kishte qëndruar i heshtur mbi çështjen, tani iu rikthye lojës politike duke goditur Iranin. Faturat e sanksioneve që kërcënonin ndalimin e dërgimit të ngarkesave me benzinë në Iran, u trajtuan me shqetësim në Shtëpinë e Bardhë. Kritikët e tu (të cilët donin thjesht negociata të pasuara nga sanksionet dhe mundësisht luftë), fërkuan duart përpara kohe. Një lider konservator i ri deklaroi se çdo gjë po procedohej sipas dokumenteve. AIPAC lëshoi një deklaratë triumfuese, ndërsa sanksionet mbi benzinën kaluan në Kongres. Pra, z.President, ja ku je më 1 janar, “afati përfundimtar” të takon ty. Aleatët dhe kundërshtarët e tu në Kongres janë gati të të godasin me dilemën, të të imponohen nëpërmjet vendosjes së sanksioneve ose të dukesh si një qetësues i klimës. Por ti e di që sanksionet mbi benzinën janë ndoshta ideja më e keqe e dalë nga Kongresi që prej kundërshtimit të tyre për blerjen e Alaskës. Sanksionet do të pasuronin dhe fuqizonin Rojet Revolucionare, pakësonin kundërshtarët e gjelbër, identifikonin SHBA si armik nga qytetarët normalë të Iranit, dhe mundësisht të na tërhiqte drejt një lufte katastrofike të re në Lindjen e Mesme. Por duket mirë e bukur si parullë dhe Glen Bek do ti bërtasë kujtdo që guxon ta kundërshtojë. Pra, çfarë do të bëjmë? Në fakt, z.President, ti i ke disa letra të futura nën mëngë. Ti e di që Izraeli nuk do ta godasë vërtet Iranin. Ata nuk mund të ndërmarrin asnjë veprim domethënës pa ndihmën e SHBA, dhe Xhorxh Bush u ka thënë që as të mos e presin këtë. Por ata kanë investuar kaq shumë në fushatën e tyre për të bindur popullin e Izraelit dhe gjithë botën që mbijetesa e Izraelit si komb është në rrezik, dhe në këtë mënyrë Izraeli nuk ka ndërmend të zmbrapset. Ata mund të mirëpresin pak ndihmë për ti larguar nga dera e tyre. Ti gjithashtu duhet ta dish që programi bërthamor në Iran as nuk i afrohet prodhimit të bombës, pasi në fakt kanë bërë shumë pak progres në atë drejtim për shumë vite. Ke shumë kohë për të vepruar nëse thjesht qetëson furtunën e politikanëve të brendshëm në Amerikë. Ka ardhur koha për të bërë të ditur strategjitë. Së pari, jep një intervistë ekskluzive në “Uashington Post”, duke bërë të qarta dy pika:
1. Politika e angazhimit e administratës ka pasur suksese në krijimin e trazirave dhe frakturave në lidershipin e Iranit, p.sh politika ka qenë një sukses dhe jo dështim.
Dhe (2) administrata po planifikon sanksione të larta, të cilat do të godasin më shumë Rojet Revolucionare sesa qytetarin mesatar iranian. Kjo i dërgon një sinjal të qartë kongresit se dështimi i saj me sanksionet e benzinës nuk do të përsëritet në Shtëpinë e Bardhë, për të gjitha arsyet e përmendura më sipër, dhe se nuk do të ketë nxitim për të nisur luftë me Iranin në vitin e ri. Në të njëjtën kohë, presidenti duhet të nisë një fushatë retorike në mbrojtje të të drejtave politike dhe civile të opozitës në Iran. Kjo gjë funksionon më së miri. Bordi i editorialit në “Uashington Post” lavdëron presidentin për “kalimin” e tij në të drejtat e njeriut (edhe pse kërkojnë më shumë) dhe injoron lojën e sanksioneve në Kongres. Sigurisht, për shkak të ushqyerjes së “Uashington Post”-it, “Nju Jork Tajms”-i ndihet xheloze dhe kërkon ekskluziven e saj. Përmbushe dhe këtë detyrë gjatë pushimeve të Vitit të Ri, duke lejuar gjashtë zyrtarë të lartë të administratës për tu takuar privatisht me dy reporterë të “NYT”-së për tu zbuluar atyre disa sekrete:
1. Administrata, me një sukses tjetër mjaft të zgjuar, ka nxjerrë jashtë loje uzinën e prodhimit të bombës në Kom të Iranit, duke e nxjerrë jashtë përdorimit.
(2) Sqaro se administrata mund të ketë përgjegjësi për sabotimin e centrifugave të Iranit (që nuk është bërë e ditur deri tani, pavarësisht se u raportua për dy vjet rresht nga IAEA) që Irani nuk po përdor aktualisht rreth dy prej centrifugave të instaluara)
(3) përsërit që sanksionet e ardhshme kanë për qëllim Rojet Revolucionare dhe jo qytetarin e zakonshëm të Iranit, dhe që ato kanë mundësi për të pasur sukses, sepse regjimi është dobësuar së brendshmi
Dhe (4) deklaro në mënyrë të parevokueshme se mundësia e Iranit për të kaluar nga energjia bërthamore në krijimin e bombës bërthamore, është vite larg.
Edhe kjo do të funksionojë. Dy reporterët e “NYT”-së, edhe pse janë pak konfuzë në këtë kthesë në vlerësimin e kërcënimit deri para tre muajve, do të reportojnë me saktësi atë çka do tu thuhet.
Administrata ka arritur disa suksese dhe reporterët janë të bindur që Shtëpia e Bardhë po tregon aftësi dhe forcë në daljen nga binarët të planit të Iranit për bombën. Ndërkohë, ata vërejnë se administrata nuk po deklaron përfundimin e negociatave dhe po ndjek alternativën e shkëmbimit të uraniumit në Turqi.
Nuk po përmendet asnjë përfundim afati. Së fundmi, “Nju Jork Tajms”-i deklaron se izraelitët janë bindur tashmë se sanksionet e diskutuara tani ia vlejnë për tu përdorur të paktën për disa muaj. Kjo iu atribuua një zyrtari të vjetër izraelit mbi bazën e kanaleve të diskutimeve, por në fakt është deklaruar nga kryeministri Netanjahu në Knesset dy javë më parë në një fjalim që nuk pati gati asnjë rëndësi për SHBA-në. Nuk u fol më për afate përfundimtare, sanksione apo goditje ajrore. Shkurt, z.President, ti ke shndërruar një propozim humb-humb të sanksioneve të forta kundrejt paqes, në një kolaps bërthamor të Iranit. Kërcënimi aktual i Iranit është shndërruar në një vonesë të pacaktuar të mundësisë për të krijuar bombën. Zemërimet dhe diskutimet e Kongresit janë konsideruar të parëndësishme përpara se të vinin mbi tryezën tënde. Skadenca e afatit është shndërruar në një fillim të ri të negociatave. Ti arrite ti marrësh edhe izraelitët me vete, pa një fije ankese. Sa për autoritetin, deri tani jeni në rregull. Jo keq për një fillestar, zoti President!
(Foreign Policy)
Përkthyer nga Androkli DraloKy lajm është publikuar: 10/01/2010