E Diel, 1 Nëntor 2026

Zbori turk, Kombëtarja B zhgënjen sërish

Autori i Lajmit: RedaksiaAntalia - Kombëtarja (B) e futbollit ose më saktë përfaqësuesja e lojtarëve më të mirë të kampionatit shqiptar, nuk arrin të fitojë edhe me një ekip të kategorisë së katërt të Turqisë, siç ishte dhe rasti i barazimit 2-2 me Siirtspor Jetpa, që merr pjesë në Ligën e 3-të turke, Grupi 5, që në terma më të thjeshtë mund të jetë një skuadër e versionit të Mamurrasit apo Albpetrolit, respektivisht kryesues të grupit të Veriut dhe të Jugut në Kategorinë e Dytë Shqiptare. Gjithsesi, 20 mijë dollarë të shpenzuara për grumbullimin e 20 lojtarëve për 7 ditë në Turqi, përfshirë këtu dhe stafin teknik e atë të prapavijës, duket se ia ka vlejtur për trajnerin Josip Kuzhe për të ndërtuar opinionin e tij rreth futbollistëve të kampionatit shqiptar, të cilin ai konsideron jo shumë cilësor, por me tipare luftarake.
Ndryshe nga takimi i parë miqësor kundër Adanasporit të kategorisë së dytë turke (Liga 1), ku përfaqësuesja jonë humbi me rezultatin 2-1 dhe trajneri Kuzhe aktivizoi nga fillimi këtë formacion: Moçka (Flamurtari), Lila (Tirana), Pisha (Dinamo), Shoshi (Apolonia), Samina (Gramozi), Muça (Dinamo), Sefa (Tirana), Muzaka (Tirana), Bakaj (Dinamo), Vila (Lokomotiva Zagreb) dhe Bala (Vllaznia), në ndeshjen kundër modestëve të Siitsporit, kroati bëri katër ndryshime në formacion, duke hedhur nga minuta e parë Gocajn e Kastriotit, Roshin e Flamurtarit, Veliajn e Laçit dhe Shkurtaj e Olimpiakosit, në vend të Klodian Saminës (Gramozi), Maringlen Shoshit (Apolonia), Emiliano Vilës (Lokomotiva Zagreb, tani Dinamo) dhe Bekim Balës (Vllaznia). Talenti fierak i Flamurtarit, Odise Roshi shënoi golin e parë për Shqipërinë në minutën e 3-të, pasi i rrëmbeu me zgjuarsi topin kundërshtarit. Dhjetë minuta më pas, Elis Bakaj ekzekutoi një goditje të lirë e Andi Lila shënoi me kohë, por gjyqtari e anuloi golin për pozicion jashtë loje, ndërkohë që asistenti i tij nuk e sinjalizoi. Sipas faqes zyrtare të federatës, fshf.org, ekipi vazhdoi të luajë mjaft mirë gjatë pjesës së parë. Gjithashtu, duhet përmendur fakti se skuadra kombëtare ishte vendosur mirë dhe në mbrojtje. Sërish janë minutat e para ato të fatit për Shqipërinë. Sapo filloi fraksioni i dytë, mesfushori i Tiranës, Gjergji Muzaka, fitoi një goditje këndi. Jetmir Sefa (Tirana) ekzekutoi dhe sulmuesi i Besës, Sokol Cikalleshi realizoi me një goditje të saktë me kokë golin e dytë për Kombëtaren tonë në minutën e 2-të. Rreth minutës së 20-të të pjesës së dytë pas një pozicioni të dukshëm jashtë loje, lojtarët e Siirtsor Jetpas futen në zonë, Samina bëri faull dhe arbitri akordon 11-metërsh për ekipin turk që u shndërrua në gol. Në minutën e 40-të pas një rrëmuje në zone, Jetpa shënoi edhe golin e dytë, duke mbyllur takimin në 2-2. Në takimin e parë miqësor kundër Adanasporit të kategorisë së dytë turke (Liga 1), përfaqësuesja jonë (me lojtarë nga kampionati shqiptar) humbi me rezultatin 2-1. Golin e vetëm në atë takim për formacionin e udhëhequr nga Josip Kuzhe, e realizoi mbrojtësi i Tiranës, Andi Lila (66) me një gjuajtje jashtë zonës. Sipas fshf.org, trajneri Josip Kuzhe u shpreh se përgjithësisht mbeti i kënaqur me lojën e ekipit, sidomos me fazën mbrojtëse në krahasim me ndeshjen e parë. Pas kësaj ndeshjeje lojtarët e thirrur do të rikthehen në Shqipëri, më 10 janar, ndërkohë futbollistët e Tiranës dhe të Dinamos do të vazhdojnë grumbullimin me skuadrat e tyre, të cilat po kryejnë fazën përgatitore po në Antalia të Turqisë. Dinamo ka disa ditë që ka mbërritur në Belek, ndërsa Tirana mbërriti të shtunën në Kemer.

Ky lajm është publikuar: 10/01/2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›