Teatri Kombëtar Një mundësi për të jetuar me Romancën e Benedetit
Autori i Lajmit: Redaksia
“Romancë Dashurie”, erdhi sërish mbrëmë në skenën e Teatrit Kombëtar, duke sjellë para publikut të teatrit aktorët si Bujar Asqeriu, Anila Bisha, Roland Trebicka. “Romancë Dashurie”, është një komedi lirike e komedianit italian Aldo De Benedetit. Sipas regjisorit Milto Kutali, komedia ka mesazhe aktuale të familjes së sotme, jo vetëm shqiptare. Vepra është një ngjarje më shumë e jetuar nga krijuesi i saj, De Benedeti sesa një trillim letrar. Ajo ka në qendër raportet familjare, situata plot humor që provokohen nga ngacmime të shpirtit aventuroz të protagonistëve e që më pas prodhojnë realitete që mund të cenojë, madje të çojnë deri në shkatërrimin e familjes: Por mos të harrojmë heronjtë tanë janë pjesë e të përditshmërisë moderne. Si të tillë ata nuk provojnë precedentin “Ndarje” pasi shoqëria e sotme edhe pse jo rëndom prodhon ende shpirtra të brishtë që kanë të qëndrueshëm genin e së mirës njerëzore, vendosur kjo natyrshëm në frymën sunduese të mesazhit të komedisë: “Familja duhet mbrojtur me çdo kusht”. Mesazhi i veprës, për familjen duhet të kontribuojmë që të gjithë që ta mbrojmë me çdo çmim. Nëse ruajmë familjen, kemi ruajtur shoqërinë, kemi krijuar një precedent të mirë për të ardhmen e gjeneratave që vijnë pas, mendoj se ky realitet special që jep teatri në një orë e gjysmë, do të jetë pjesë e tërësisë së realiteteve tona të përjetuara në vazhdimësinë e jetës. “Vepra “Romancë dashurie” është një komedi jo vetëm universale, por dhe e realiteteve shqiptare. Për këtë unë mendoj se ajo do të procedojë mirë dhe të do të ketë një përballje publike të këndshme edhe për faktin se kemi të bëjmë me një vepër që është shumë afër realitetit tonë aktual”, pohon regjisori Kutali. Më tej ai tregon se vepra erdhi në skenë falë një pune, e cila është bërë me shumë dashuri për të sjellë në skenë një realizim të përkryer teatror. Duke folur mbi veprën regjisori Kutali tregon se mesazhi i saj padyshim që është një mesazh shoqëror, ku familja duhet të ruhet dhe të mbrohet me çdo kusht, pavarësisht elementeve të rinj që kanë hyrë në botën e sotme shqiptare. Aktorja Anila Bisha tregon: “jam ndjerë mirë me këtë rol, por gjithsesi nuk jam shumë dakord me atë që bën personazhi në disa pika”. Ndërsa emri i njohur i skenës teatrore Bujar Asqeriu shprehet se e luaj këtë rol me kënaqësi, sidomos kur vjen puna tek një komedi. Ky realizim është një produksion i Teatrit Kombëtar në bashkëpunim me “Egnatia Teatër”. Vepra është një ngjarje më shumë e jetuar nga krijuesi i saj, De Benedeti sesa një trillim letrar.
Ky lajm është publikuar: 10/01/2010