Angola 2010, Kupa e Afrikës nuk ndalet, Togo po
Autori i Lajmit: RedaksiaKombëtarja e Togos është tërhequr nga Kupa e Kombeve në Afrikë, pas sulmit me mitraloz ndaj autobusit të saj ditën e premte në Angola. Lajmi është dhënë nga BBC, ndërsa në orët e pasdites ka ardhur edhe konfirmimi nga drejtuesit e delegacionit togolez në Angola. Sulmi është marrë përsipër nga një organizatë e quajtur Fronti për Lirinë e Enklavës së Kabindës, zonës ku është grumbulluar kombëtarja e Togos. Autoritetet angoliane e kanë quajtur atë një akt terrorist dhe kanë premtuar gjetjen e autorëve. Buletini tragjik i luftës vazhdon dhe rritet nga ora në orë. Si pasojë e një sulmi terrorist të ndërrmarrë ditën e premte ndaj autobusit që transportonte kombëtaren e Togos drejt Angolës duket se kanë humbur jetën shumë persona (në orët e para u raportua se kishte humbur vetëm shoferi i automjetit). Pas vdekjes së zëdhënësit për shtyp të këtij ekipi, Stanislas Ocloo, dhe zëvendëstrajnerit, Abalo Amelete, viktima e tretë është Kodjovi Obilalè. Portieri i ri (25-vjeçar) sipas sulmuesit të ekipit, Jonathan Ayité, “ka vdekur”. Ayité tha për RMC: “Po, e konfirmoj. Obiale, për fat të keq, ka vdekur”. Në një intervistë të dhënë për RMC, Aytè konfirmopi vendimin e marrë nga skuadra e tij për të abandonuar turneun: “Vendimi tashmë është marrë dhe ne nuk do të kthehemi prapa. Ne do të tërhiqemi. Mund të vijë Presidenti i Republikës apo edhe Obama, por ne prapë nuk do të ndryshonim mendim. Mendoj se edhe shumë skuadra të tjera do të bëjnë të njëtën gjë. Pothuajse çdo orë flasim me futbollistët e ekipit të Ganës dhe Bregut të Fildishtë: ata na janë gjendur shumë pranë dhe ndajnë të njëjtin mendim me ne. Unë them se këtu ka ndodhur diçka absurde. Si mund të caktosh një vend si organizator të një kompeticioni kur ky vend është në mes të një lufte”. Sipas organizatorëve të Kupës së Kombeve të Afrikës, përfaqësuesja e Togos kishte shkuar pa lajmëruar, edhe pse i ishte kërkuar, ashtu si të gjitha skuadrave, që të lajmëronin për ditën e mbërritjes. Sipas zyrtarit të komitetit organizativ të lojërave, asnjë skuadër nuk duhet të udhëtonte me autobus. Kryeministri i Angolës, Kasoma, është takuar me presidentin e Federatës së Futbollit Afrikan ditën e shtunë ku janë diskutuar masa të reja sigurie, ndërkohë që për këto masa kanë kërkuar informacione edhe klubet angleze, të cilët kanë lojtarët e tyre me këtë përfaqësuese.
Separatistet marrin autorësinë
Një grup separatist i provincës Cabinda në Angola ka marrë përsipër sulmin kundër autobusit të kombëtares së Togos. Grupi i vetëquajtur “Froni Çlirimtar i Enklavës Cabinda”, vepron në një territor të diskutuar mes Angolës dhe Republikës Demokratike të Kongos. Ndërkohë, në një deklaratë për shtyp skuadra rumune e FC Vasluj njofton se lojtari i saj, Serge Akakpo, ka mbetur i plagosur rëndë nga sulmi i rebelëve. Hubert Velud, trajneri francez i Togos, mendon se autoritet e Angolës duhet të ndërpresin Kupën e Kombeve të Afrikës. “Sapo u larguam nga spitali, – tha Velud për RMC, - për të shkuar më pas në qendrën ku të gjithë skuadrat janë regjistruar në këtë turne. Në këto situata çdokush mund të ketë paranoja. Çdokush mund të ketë dyshime për çdo gjë. Mua më duket se autoritet lokale nuk po e marrin shumë seriozisht këtë gjendje. Ata që kryen këtë akt ishin barbarë. Ne kemi ardhur këtu për të festuar dhe për të ngritur sa më lart futbollin afrikan, por tani nuk mund të bëhet dot asgjë. Tashmë shumë prej nesh duhet ti bëjnë shumë pyetje vetvetes”. Danny Jordaan, presidenti i komitetit organizator i Botërorit që do të zhvillohet në muajin qershor, tregon se ecuria e këtij kompeticioni do të vijojë: “Ajo çka ka ndodhur në Angola nuk ka të bëjë me Afrikën e Jugut. Kur u sulmua Londra, askush nuk tha asnjë fjalë për sa u përket Lojërave Olimpike “Londër 2012”. Prandaj them se nuk ka vend për panik. Nuk kam parë ndonjëherë që nëse ndodh diçka në një vend, një tjetër shtet duhet të japë llogari. Çdo vend mban përgjegjësi për atë çka ndodh brenda kufijve të vet dhe prandaj them se Afrika e Jugut nuk ka asnjë lidhje me Angolën. Mendoj se bota nuk duhet të gjykojë me dy standarde të ndryshme. Sapo bëhet fjalë për Afrikën çdo gjë nxihet. Botërori ynë është i sigurt dhe ne jemi optimistë për mbarëvajtjen e këtij kompeticioni. Për këtë arsye ne do të vëmë në dispozicion të gjitha mjetet që disponojmë vetëm që të garantojmë sigurinë e këtij evenimenti.
Ky lajm është publikuar: 10/01/2010