E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ja kërkesat e biznesit për qeverinë e re

06/07/2009  Kërkohen lehtësi me procedurat tatimore, parapagimin e taksave dhe rimbursimin e TVSH-së

Problemi i titujve të pronësisë mbi tokën kërkon zgjidhje urgjente

TIRANE- Biznesi ka pritshmëri të lartë nga qeveria e ardhshme, sidomos për sa i takon ndryshimeve në sistemin fiskal, lehtësirave në pagimin e taksave dhe mbi të gjitha, reduktimin e korrupsionit dhe abuzimit nga administrata tatimore dhe doganore. Dhoma Amerikane e Tregtisë ka organizuar së fundi një pyetësor me të gjithë anëtarët e saj për të tërhequr opinionin e tyre mbi atë se çfarë presin nga qeveria e ardhshme dhe si mendojnë ata se mund të përmirësohet klima e biznesit në vend.

Klima e biznesit

Nëpërmjet këtij pyetësori, dhoma ka tentuar të krijojë një ide të qartë mbi atë se çfarë pret biznesi për t’i bërë të njohura më pas nëpërmjet aktiviteteve të saj me zyrtarë të lartë qeveritarë apo parlamentare. Duke qenë e qartë se cilat janë problematikat për të cilat biznesi kërkon zgjidhje, dhoma e ka më të lehtë të organizojë një plan pune dhe në top listën e saj të vendos pikërisht takimet me përfaqësues qeveritarë që mbulojnë sektorët ku biznesi ka më shumë probleme. Dhoma Amerikane është një organizatë, e cila ka në fokus të aktivitetit të saj interesin e biznesit anëtar. Në programet elektorale, një vend të rëndësishëm zunë premtimet për biznesin, por është biznesi ai që i takon të gjykojë se kujt do t’i besojë më shumë. Janë me qindra kërkesat që biznesi ka përcjellë mes pyetësorit, ndërkohë që Dhoma i ka kategorizuar ato sipas sektorëve.

Kategoritë e kërkesave

Mes kërkesave më themelore qëndrojnë ato mbi reduktimin e TVSH-së dhe mospërdorimi i sistemeve të referencës, duke marrë për bazë çmimet e kontratës. Lehtësimi i procedurave doganore dhe një strategji e qartë për nxitjen e eksporteve, janë dy nga kërkesat themelore. Problemi i titujve të pronësisë mbi tokën është gjithashtu një çështje themelore që kërkon zgjidhje urgjente. Biznesi pret lehtësime të procedurave tatimore ku hyjnë format e parapagimit të taksave si dhe rimbursimi i TVSH-së. Ka pasur një kërkesë të lartë nga ana e biznesit për ngritjen e Gjykatës Administrative dhe një kërkesë e lartë për luftën kundër korrupsionit, që duhet të ndërmarrë qeveria sidomos në administratën tatimore dhe atë doganore. Përfaqësues të AmCham-it theksojnë se nga ligjvënësit nuk mbahet parasysh fakti që bizneset së pari duhet të njihen me këtë legjislacion dhe më pas të përgatisin ose të modifikojnë infrastrukturën e tyre për zbatimin e detyrimeve që përcakton legjislacioni i ri. Për të ecur përpara, AmCham-i beson se Qeveria e ardhshme duhet të ketë më tepër dialog të hapur me biznesin. Për këtë arsye, AmCham-i ka prezantuar Axhendën e Biznesit, e cila nënvizon atë se çfarë pret të shikojë biznesi nga qeveria e ardhshme. Për më tepër, AmCham shpreson se Axhenda e Biznesit do të krijojë një platformë më të zhvilluar për një dialog mes Qeverisë dhe biznesit.

Roli i Dhomës Amerikane të Tregtisë

Dhoma Amerikane e Tregtisë është e vendosur për t’i bërë të njohura pritshmëritë që biznesi i tij anëtar ka karshi klasës politike dhe për t’i mbrojtur ata në katër vitet e ardhshme. Pyetësori i përgatitur që është plotësuar nga bizneset, si pjesë e lobimit që bën Dhoma Amerikane e Tregtisë për interes të anëtarëve të saj, do të përbëjë edhe ekstraktin e kërkesave me të cilat Dhoma do t’i drejtohet qeverisë së ardhshme për të ndërhyrë atje ku biznesi ka më shumë nevojë. Mes këtyre kërkesave përfshihen problemet me referencat, mosaprovimi i Gjykatës Administrative, moszbatimi i vendimeve gjyqësore në favor të biznesit, probleme me rimbursimin e TVSH - së dhe një sërë ankesash të tjera i janë bërë të njohura qeverisë.

Premtimet e qeverisë

Gjatë takimit të fundit elektoral që përfaqësues të biznesit patën me kryeministrin Sali Berisha, ai pranoi se efekti i krizës ekonomike ka filluar të ndihet edhe në Shqipëri. “Ne nuk e kemi kokën ngushtë me buxhetin si të tjerët, pasi rritja e të ardhurave këtë vit është 8 -10 për qind më e lartë se e një viti më parë,” – është shprehur kryeministri Berisha, duke shtuar faktin se një nga treguesit e krizës ka qenë ulja e eksporteve në masën 5 – 8 për qind. Gjithsesi, kryeministri Berisha ka premtuar se në ditët e para të mandatit të dytë do të kalojë me prioritet ligjin e Gjykatës Administrative, si çështja më e rëndësishme dhe më themelore për biznesin.

Çfarë kërkon biznesi nga qeveria e ardhshme

1- Të rishikojë masën e TVSH-së për produktet që kanë ndikim në sektorin bujqësor (nga 20% që është aktualisht në 8 -12%)

Parapagimi i TVSH-së është shumë i rëndë për biznesin aq më tepër në situatë krize

TVSH-ja e diferencuar për produktet ushqimore duke filluar nga 8 për qind

2- Të hiqen referencat doganore sidomos për importet nga Bashkimi Evropian. Kriter duhet të jenë kontratat.

Të liberalizohet procedurat e hyrjes së produkteve në Shqipëri nga doganat

Lehtësi në procedurat doganore

Referencat e transportit të hiqen, pasi ato ndikojnë në rritjen jo reale të kostos së mallit

Të unifikohet akciza me vendet e rajonit

Kontrolli nga tatimorët duhet të bëhet një herë në dy vjet dhe periudha e kontrolluar njëherë nuk duhet të kontrollohet më.

3- Të ndihmojë në promovimin e biznesit shqiptar jashtë vendit

Provimi i eksporteve

Mbështetje për bizneset në kushtet e krizës

Konsultim me biznesin për çdo ligj përpara se të kalojë për aprovim

Përfaqësimi i biznesit në Parlament

Përcaktimi i burimeve prioritare për zhvillimin e vendit mbështetur në objektiva

4 - Garantimi i produkteve shqiptare në tregun vendas

Të anulohet parapagesa mujore e tatimit mbi fitimin

Të zgjidhjet përfundimisht çështja e rimburismit të TVSH-së për kompanitë eksportuese dhe rimbursimi të menaxhohet nga Departamenti i Thesarit

5 -Të krijohet menjëherë Gjykata Administrative

6 - Të luftojë korrupsionin dhe burokracitë në institucionet tatimore

Të luftojë ekonominë informale

Të luftojë korrupsionin dhe burokracinë në zyrat e shtetit

Të krijojë një politikë fiskale të lehtësuar për dy vitet e ardhshme

Më shumë transparencë me ligjin e Prokurimeve Publike

Të tjera reduktime në përdorimin e cash-it

7- Të aplikojë metoda të amortizimit për të mbështetur leasing-un financiar dhe për të mos e diskriminuar atë

8 - Duhet të lejohen organizatat jo qeveritare të punojnë për shqiptarët pa i ngarkuar me taksa ato

9 - Mendojmë se KKRT-ja duhet të thjeshtojë procedurat e aprovimit të lejeve sepse e ka eksperiencën e viteve

10 - Të përmirësojë punën në tregun e sigurimeve dhe vendosjen e siguracioneve të detyrueshme

11 - Në lidhje me miratimin e ligjeve, te pjesa që përcakton hyrjen në fuqi të ligjeve ose akteve nënligjore në disa raste vendoset hyrje në fuqi, data e botimit në Fletore Zyrtare ose në një datë para miratimit të ligjit ose aktit nënligjor, duke pasur kështu fuqi prapavepruese.

Në lidhje me komisionet bankare, sistemi bankar në Shqipëri aplikon komisione të larta për pagesa ndërbankare brenda vendit. Ndërkohë që, brenda Komunitetit Evropian kur kryhen transaksione nën vlerat 50 000 euro nuk aplikohen komisione bankare.

Në lidhje me kontratat me institucionet shtetërore, edhe pse respektohen të gjitha detyrimet kontraktuale, institucionet shqiptare nuk paguajnë për produktet ose për shërbimet e përfituara.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›