Ja ku Fazlliç është pasuruar me financat publike!
Kryeministri, Sali Berisha, tha dje se është i gatshëm të kërkojë hetim ndërkombëtar për të verifikuar, nëse Damir Fazlliç ka marrë pará nga financat publike ose, nëse vetë zoti Berisha i ka ofruar atij tokë shtetërore. Spekulimi i kryeministrit me termin ‘hetim ndërkombëtar’ nuk fsheh dot në fakt një korrupsion të madh kombëtar. Akuza kryesore ndaj Damir Fazlliç është evazion fiskal dhe pastrim parash.
Faktet konkrete janë këto:
- Nëse Damir Fazlliç ia ka shitur kompaninë e tij “Crown Acquisitions”, vetvetes, siç tha në emisionin “Opinion” të Blendi Fevziut, atëherë i bie që ai të jetë dhe pronar i firmës “Altaria Research Limited”. Atëherë, ai i detyrohet shtetit shqiptar 10 për qind tatim për fitimin mbi vlerën e shitjes dhe 20 për qind TVSH, afërsisht 500 mijë euro. Këto janë paratë e qytetarëve shqiptarë që i ka marrë Fazlliç.
- Damir Fazlliç ka shpëtuar një evazion fiskal rreth 1 milion euro të dy filialeve të kompanisë “Rompetrol”. Duke përdorur influencën e kryeministrit Berisha, ai ka emëruar mbesën e tij eksperte kontabël për likuidimin e dy filialeve të “Rompetrol” dhe ka krijuar dy kompani të reja të “Rompetrol” në Shqipëri, në të cilat është vetë 40 për qind aksioner së bashku me presidentin e BG&R, Eduard Roxhers, Jr. Ky dokument tregon se Fazlliç përmes firmës qipriote “Kelena LTD” është 40 për qind aksioner te “Rompetrol Albania” sh. a., (Dokumenti 1), e cila ka si përfaqësuese ligjore Flutura Kolën, ortaken e Argita Malltezit (Dokumenti 2.
Ndërsa Dokumenti 3 tregon se si firma “Kelena LTD” është firmë e Damir Fazlliç, e krijuar bashkë me Eduard Roxhers, president i BG&R. Pra, të dy këta persona janë aksionerë të një shoqërie, e cila ka shmangur detyrimet ndaj shtetit shqiptar, pasi kanë hyrë në lojë dy miq të kryeministrit.
Tatimet e Shqipërisë duhet të kishin sekuestruar sipërfaqen e tokës që “Rompetrol” i Holandës kishte blerë në Porto Romano në vitin 2005, për të shlyer detyrimet financiare. Nuk e ka bërë këtë dhe në këtë pasuri, sipas këtij dokumenti, sot ka 40 për qind dhe Fazlliç me Roxhers, dy miq të kryeministrit. Besoj se këto janë prova të qarta se klientët politikë të kryeministrit kanë futur duart në xhepat tanë dhe kanë marrë nga financat publike.