E Diel, 1 Nëntor 2026

Vallëzimi i fantazmave enveriste

Nga Baton Haxhiu

Pa pas asnjë ide se do të ndodhë një solemnitet për Enver Hoxhën në Sallën e Kuqe të Pallatit të Rinisë, kisha shkruar një shkrim për Enver Hoxhën e Kosovës. Dhe, nuk e shkrova për të kujtuar asgjë enveriste, por u mundova të them se Enver Hoxha deri në vitin 1989 ka pasur një kuptim idealist për një pjesë të shqiptarëve të Kosovës. Nuk dua të elaboroj arsyet dhe pse-të e shumta.

Vetëm dy ditë dhe ideja për Enverin e Kosovës më shkoi për lesh. Na doli se Enveri i Kosovës na qenka i njëjtë me Enverin e Shqipërisë. Se një elitë politike e instaluar në parlament edhe pas 20 vitesh, edhe pas hapjes së dosjeve në Shqipëri, edhe pas dëshmive të të gjithë atyre njerëzve, mund të festojë përvjetorin e Enver Hoxhës.

Nuk e kam besuar që një pjesë e këtyre njerëzve e kanë seriozisht në kujtesën e tyre për Enverin. Fare të qetë festuan dhe nuk patën fare shpirtin e trazuar për mijëra viktima të këtij diktatori, duke u bërë kështu pjesë e krimit dhe përkrahjes së këtij krimi. Kur e pashë se qindra njerëz po festonin një përvjetor të diktatorit Enver Hoxha, e qartësova se një pjesë e të vërtetës dhe gënjeshtrës për këtë njeri të vdekur po bashkoheshin në një ditë feste në qendër të Prishtinës. Askush, tashmë, nuk e ka të drejtën morale të injorojë faktin sesa e dëmshme ishte kjo skenë dhe sa përmbysëse ishte paraqitja e deputetëve të Kosovës në një skenë të tillë. Nuk ka asnjë politikan, lider politik, që është pak a shumë i emancipuar, që të mos e dijë sesa përmbysës dhe dashakeq, dhe i poshtër për viktimat enveriste në Shqipëri është fakti që të prezantosh në një përvjetor të tillë.

Kjo është më shumë sesa një përmbysje politike për PDK dhe parlamentin e Kosovës, duke pasur parasysh sesa të pamposhtura janë idetë për të vdekurit dhe kujtesën për Enverin brenda një kampi politik. E pashë me sytë e mi se njerëzit kanë aftësi të kapen gjithmonë me dëshpërim pas ideve të vjetra dhe të vdekura. E kanë më lehtë të flasin për to.

E pashë, gjithashtu, se sa është e vështirë të futësh një ide të re, e hiç më pak e vështirë ta shkatërrosh të vjetrën. Këtë e dëshmuan pjesëmarrësit në këtë tubim për diktatorin Enver Hoxha. Ky defilim me fjalime ishte mesazh i qartë për të gjithë ata kolegë të tjerë që ulen në karriget e parlamentit të Kosovës dhe kalojnë jetën demokratike së bashku.

Edhe më keq se gënjeshtra që bënin - ishte fakti se njerëzit në këtë sallë e shihnin veten si heronj të keqkuptuar, ose si martirë të përndjekur padrejtësisht. Kjo, sepse këta njerëz ishin të bindur në ideologjinë që Enveri kishte ndërtuar.

E gjithë kjo e pame e madhe në Sallën e Kuqe m’u zbulua me tërë shëmtinë e saj reale. Dukej qartë se mes të djeshmes dhe të sotmes ka rënë një perde e hekurt, sikur nuk ka qenë ai Enver që ka bërë krime, por një Enver tjetër. Nuk ishte e qartë se a ishte kjo dobësi kujtese apo frikë nga e kaluara dhe sakrifica e bërë e të gjithë atyre njerëzve në emër të Enver Hoxhës. Kisha dashur të besoj se kjo ka qenë një dëshirë e pavetëdijshme e pjesëmarrjes. Por, nuk ishte ashtu. Pas shumë e shumë bindjesh se Enver Hoxha i Kosovës ka qenë një ndërtim idealist, kuptova që edhe pas kaq vitesh Enver Hoxha për pjesëmarrësit në këtë përvjetor është shijim i së kaluarës. Është bindje dhe respekt për të.

Por, më duket e pashpjegueshme ideja e prezencës së figurave politike të PDK që rezultojnë të jenë ose pjese e papjekurisë shpirtërore dhe politike, ose është pasojë e zvetënimit moral të këtyre burrave që kthejnë kujtesën e humbur në emër të sakrificës që kanë bërë për Enverin.

Krejt në fund desha të di për një qëndrim të PDK për këtë punë. Së pari, lexova Blerim Latifin dhe kuptova se a është ky mendim i tij, edhe i PDK. Së dyti, ç’kërkon ky njeri më këtë lloj mendimi të jetë bashkë në një frymë politike me njerëzit që e kanë idol Enverin.

Njeriun e dytë që desha ta pyes për një qëndrim ishte Astrit Salihu, miku im, filozof, që do duhej të kishte një qëndrim për këtë çështje par excellence politike. Ishte në gjumë, kur m’u përgjigj. “Po fle, - më tha, - s’kam qëndrim. Në të vërtetë, gjumi është përgjigjja ime”, - më tha. Kjo përgjigje e Astritit më kujtoi moton e famshme të komunistëve të devotshëm se “armiku kurrë nuk fle”.

Si duket, enveristët e Sallës së Kuqe mund të jenë të qetë, sepse “armiqtë” e tyre po bëjnë gjumë.

Këta dy “armiq” qetësisht vazhdojnë të jetojnë në të njëjtën lëkurë më ata që festuan. Pyetja është: A mund të rrinë në një lëkurë politike të dy këta këshilltarë? Një vendim duhet të jetë i qartë në PDK. Kush duhet ta ndajë shëmtinë e së kaluarës me vizionin e së ardhmes?

E thash më lart se sa është e vështirë të futësh një ide të re, e hiç më pak e vështirë ta shkatërrosh të vjetrën.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›