E Diel, 1 Nëntor 2026

Bllokohet eksporti i prodhimeve me mall të porositur me Italinë

Nga Fitim Zekthi

Eksporti i prodhimeve me fason drejt Italisë është bllokuar muajt e fundit, duke krijuar vështirësi të mëdha për një prej sektorëve më të rëndësishëm të ekonomisë së vendit. Prodhimet me fason (me mall të porositur), japin mbi 60 për qind të gjithë importeve të vendit dhe Dhoma Kombëtare e Prodhuesve të Veshjeve tha dje se ata po përjetojnë me shqetësim të madh bllokimin e muajve të fundit të eksporteve në drejtim të Italisë. Çdo vit import-eksporti i mallrave me Italinë bllokohet 1-3 muaj për mungesë të lejeve bilaterale të kalimit për kamionët shqiptarë. Kjo, sepse nga Ministria e Transportit e Italisë nuk jepet sasia e nevojshme e lejeve bilaterale për të përballuar nevojat e transportuesve. Shqetësimi është bërë i ditur për autoritetet shqiptare. Dhoma Kombëtare e Prodhuesve të Veshjeve ka informuar për këtë problem Ministrinë e Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacioneve, ndërsa vetë autoriteti përgjegjës për sigurimin e këtyre lejeve, Shoqata Kombëtare Shqiptare e Transportuesve Rrugorë Ndërkombëtarë, ANALTIR, ka ngritur prej kohësh po të njëjtin shqetësim.

Bllokimi pa asnjë argument ligjor i lejeve të transportit rrugor ndërkombëtar është një fenomen i përsëritur shpesh nga qeveria italiane dhe Ministria e Transportit e këtij vendi mik. Pavarësisht nga përpjekjet diplomatike dhe ato të strukturave të tjera të shtetit, ky problem këtë vit ka sjellë një dëm të konsiderueshëm për subjektet shqiptare që punojnë me homologët e tyre italianë. Dhjetëra e qindra kompani shqiptare të konfeksioneve, anëtarë të Dhomës Kombëtare të Prodhuesve të Veshjeve, paraqiten aktualisht me bllokim të prodhimit, mungesë likuiditetesh dhe ndodhen përpara rrezikut të penalizimeve të rënda për shkak të tejkalimit të afateve kontraktuale me partnerët italianë të konfeksioneve. Fenomeni, edhe pse i njohur, ndodh vetëm me qeverinë italiane. Dhoma Kombëtare e Prodhuesve të Veshjeve dhe grupime analoge eksportuesish në vendin tonë eksportojnë në rreth 19 vende të Evropës dhe të botës, por bllokimi i lejeve të lëvizjes së mjeteve që importojnë dhe eksportojnë mallra, sipas kontratave ligjore dhe brenda të gjitha kushteve që përcaktojnë ligjet evropiane, ndodh vetëm me Italinë.

Qeveria greke ka hedhur një hap përpara në licencimin e subjekteve eksportuese shqiptare dhe pajisjen e tyre me leje të qarkullimi ndërkombëtar me afat dyvjeçar, duke ofruar zgjidhjen me optimale dhe, sigurisht, duke përfituar nga kjo zgjidhje. Probleme nuk kanë krijuar as shtete të tilla si Gjermania, Bullgaria, Maqedonia etj. Madje, dy shtetet e fundit kanë hequr tërësisht lejet e transportit ndërkombëtar me Shqipërinë, përfshirë këtu edhe Kosovën. Sipas informacioneve të Dhomës Kombëtare të Prodhuesve të Veshjeve, nga 14 000 -15 000 copë, që kanë qenë kërkesat vjetore të transportuesve, nga pala italiane janë miratuar 9 500 copë dhe me shumë vështirësi janë shtuar deri 3 500 copë të tjera. Kjo situatë është një paradoks, në kushtet kur me Italinë funksionon Marrëveshja e Tregtisë së Lirë. Tregti të lirë me transport të kufizuar nuk mund të ketë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›