Ja ku hidhen fondet në Gjirokastër
Nis të lëvrohet fondi 1.2 milionë dollarë që qeveria shqiptare ia besoiUNESCO-s
Gjirokastër – Janë 18 objekte monumentale në Gjirokastër që janë përfshirë në listën e restaurimeve me fond 1.2 milionë dollarë në pritje të fillojnë punimet. Pothuajse në të gjitha, përfshi edhe Pazarin e vjetër, skelat janë ngritur dhe pritet drita jeshile nga Organizata e Mbrojtjes së Trashëgimisë Kulturore Botërore.
Në kështjellën e Argjirosë dhe në një pjesë të dyqaneve të pazarit aktualisht është duke u ndërhyrë, ndërsa janë në procedurat e fundit planet e investimeve në Teqenë e Frashërit në rrethin e Përmetit dhe në Teqenë e Melanit në rrethin e Gjirokastrës.
Krahas fondit 1.2 milionë dollarë të qeverisë shqiptare e që administrohet nga UNESCO, ndërhyrjet restauruese kapin vlerën e 19 milionë lekëve të rinj.
Në një intervistë për “Shekullin”, drejtori i Drejtorisë Rajonale të Kulturës Kombëtare, Spartak Drrasa, sqaron se ku do të ndërhyhet dhe çfarë është planifikuar të bëhet me ato banesa që janë në rrezik shembjeje.
Krahas objekteve ku do të ndërhyhet me fondin 1.2 milionë dollarë në qytetin e Gjirokastrës, për këtë pjesë të mbetur të vitit ku parashikohen punime?
Kalaja është monumenti kryesor i qendrës historike të Gjirokastrës dhe si e tillë ka qenë objekt i ndërhyrjeve restauruese dhe këto vitet e fundit shumat e investimeve kanë ardhur në rritje. Aktualisht jemi me një restaurim që kap shifrën e 6 milionë lekëve i cili konsiston kryesisht në përforcimin e mureve në galerinë kryesore përballë kullës së sahatit dhe në disa çarje në njërën prej kullave në anën juglindore. Kemi shtrim poshtë sahatit me kalldrëm me gurë të zi, ndërhyrje te Porta e Vezirit për nivelim dhe shtrim me pllaka e kalldrëm, pastrim të bimësisë në kala. Ndryshe nga herët e tjera do të bëhet pastrimi i bimësisë edhe në muret e jashtme në të gjithë sipërfaqen dhe do të ndërhyhet edhe me solucion dhe shpresojmë se do t’i japim fund këtij problemi.
Përveç kalasë, Drejtoria Rajonale ka nën mbikëqyrje edhe disa objekte në Pazar ku po vendosen vetratat e reja. Një shifër prej 6 milionë lekësh do të përdoret për investime në Teqenë e Frashërit në rrethin e Përmetit dhe ky projekt ka kaluar në Këshillin Kombëtar të Restaurimeve. Ka mbërritur gjysma e fondit, presim të vijë pjesa tjetër për të filluar restaurimin. Edhe Teqeja e Melanit do të ketë ndërhyrje me një fond prej 4 milionë lekësh, por projekti duhet të kalojë Këshillin Kombëtar të Restaurimit. Gjithashtu janë disa ndërhyrje të tjera në një sërë objektesh, kryesisht restaurime çatish.
Disa prej banesave gjirokastrite janë në rrezik shembjeje. Keni hartuar ndonjë plan të posaçëm për to, duke qenë se përbëjnë rrezik serioz për jetën e banorëve?
Ne kemi ndërhyrë në këto objekte, si te banesa Kokobobo apo e Vaso Konomit, ku janë hequr dhe liruar strehët, pasi këto objekte ndodhen në vende ku ka shumë lëvizje nga kalimtarët. Një pjesë e tyre janë vënë në listën e restaurimeve këtë vit si banesa Gurgai apo edhe për vitin e ardhshëm. Kryesore dhe urgjente kemi pikërisht ato objekte, sidomos monumente të kategorisë së parë që po shkatërrohen në mënyrë që t’u shpëtojmë ato vlera që u kanë mbetur deri tani.
Kohë më parë nisi të aplikohet projekti i kartelizimit të monumenteve të kulturës. Si po shkon procesi?
Kartelizimi i gjithë moumenteve që kemi për detyrë ne si drejtori rajonale, pothuajse ka përfunduar. Rrethet e Përmetit dhe të Tepelenës kanë përfunduar në total, po Gjirokastra si qytet dhe jemi në përfundim të objekteve jashtë pjesës historike. Shumë shpejt procesi ka për të qenë i plotë. Nëpërmjet tij plotësohen të dhënat e çdo objekti, duke filluar nga gjendja aktuale e monumentit, me ndërhyrjet nëpër vite nëse ka patur apo jo. Kartelat janë gjithashtu të pajisura me foto që do të ndihmojnë specialistët e restaurimeve, të Institutit të Monumenteve dhe gjithë format e licensuara për këto ndërhyrje, si për projektet e ardhshme ashtu edhe për hartimin e planeve imediate për monumentet që kanë nevojë të menjëhershme.