Nabokov: pas Lolitës, Laura
Kishte pasur Lolitën, por do duhej të mbyllte hesapet me Laurën. Me vdekjen e tij më 1977, Vladimir Nabokov la pas bocat e një romani me titull “Romani i Laurës: Vdekja është dëfrim” (“The Original of Laura: Dying is fun”). Djali i tij, Dmitri, njofton në edicionin gjerman të “Vanity Fair” se do të botohet muajin e ardhshëm, pa përcaktuar as datë, as botues.
Kjo çështje që ka pushtuar kronikat letrare qysh pranverën e shkuar ka nisur pas vdekjes së autorit amerikan me origjinë ruse. Pak para vdekjes, Nabokovi punonte për një vepër të re. Vepronte në mënyrën e vet, duke mbajtur shënime ditë pas dite, në karta bristoli, kapitujt e Laurës. Gjithsej mbushi 138 të tilla, që përbëjnë, sipas botuesit të tij njujorkez, thelbin e romanit. Por Nabokovi nuk pati kohë që t’i jepte fund veprës së tij, duke lënë pas vetes një enigmë letrare.
Me vdekjen e tij, e shoqja Vera i mbylli kartat në kasën e një banke zvicerane, duke refuzuar që t’i djegë ashtu siç ikishte kërkuar Nabokovi.
E ndërsa Vera e ndoqi pas, Dmitri bëhet trashëgimtar i testamentit dhe do të ndodhej përballë të njëjtës dilemë. Duhej respektuar kërkesa e të atit duke e shpënë Laurën në turrën e druve apo ta botonte atë që mund të ishte një vepër madhore e një shkrimtari të madh?
Pasi e mbajti pezull duke e mediatizuar me mjeshtëri gjendjen e tij korneliane, ai mori një vendim: “E mendoj si tani, sikur të fliste nga kjo botë apo nga një tjetër botë, do të buzëqeshte e do të thoshte: e shoh në ç’gjendje ndodhesh. Përse nuk e hedh hapin, e ta botosh. Zbavitu. Bëj para po deshe por mos u torturo…”, deklaroi ai për “Vanity Fair” në muajin prill. Një mënyrë që shumë zëra i detyron të heshtin, specialistë të mëdhenj, fanatikë të veprës ose lexues të thjeshtë që kërkonin turrën e druve.
Sot, Dmitri Nabokov, 74-vjeçar i cili është gjithashtu një njohës i hollë i veprës së të atit dhe përkthyes i tij, jep pak të dhëna për këtë botim nëse nuk do të bëhej fjalë për personazhin kryesor që është një neurolog i zoti, shumë harbut, i martuar me një grua të re fluturake. Ja dhe intriga, lëndë plasëse, për një histori që në origjinë është përbetuar për t’u shpënë në turrë të druve.
Thënia e ditës
Miliona njerëz kanë parë të bjerë një mollë, Njutoni është i vetmi që shtroi pyetjen “përse.”
Bernard Baruch