E Shtunë, 31 Tetor 2026

Majkëll Felps, mrekullia e 8-të e botës

Notari amerikan fitoi dje medaljen e 8-të të artë në Olimpiadën e Pekinit, duke thyer rekordin e Spitz

8 të artat e Felps në "Pekin 2008"

Data           Gara                 Medalja    Arritja         Koha

10 gusht       400 miks            Ari             Rek.bote      4'03"84

11 gusht       4x100 stil lirë      Ari             Rek.bote      3'08"24

12 gusht       200 stil lirë          Ari             Rek.bote      1'42"96

13 gusht       200 flutur            Ari             Rek.bote      1'52"03

13 gusht       4x200 stil lirë      Ari              Rek.bote      6'58"56

15 gusht       200 miks             Ari             Rek.bote      1'54"23

16 gusht       100 flutur            Ari                                  50"58

17 gusht       4x100 miks         Ari             Rek.bote       3'29"34

Majkëll Felps tanimë është një legjendë në sport. Notari amerikan ia doli mbanë të thyejë rekordin e patriotit të tij Mark Spitz, duke fituar 8 medalje të arta në një Olimpiadë. Plot 36 vjet ka zgjatur rekordi i Spitz,i cili në vitin 1972, në Olimpiadën e Berlinit, fitoi 7 të arta. Dje, Felps fitoi të artën në stafetën 4x100 metra miks, ku Amerika zuri vendin e parë, duke vendosur rekordin e ri botëror me kohën 3 minuta, 29 sekonda dhe 34 të qindtat. Medalja e argjendit u fitua nga Australia dhe ajo e bronzit nga Japonia. Notari amerikan ka festuar gjatë dje për fitoren e medaljes së tetë, së bashku me shokët e tij të aventurës, ndonëse deri dje është përpjekur që të jetë i qetë. Por pas arritjes së objektivit shpërthimi i Felps ishte legjitim. Para se të ngjitej për të tetën herë në shkallën më të lartë të podit, Majkëll shpërtheu në lot. I emocionuar, 23-vjeçari amerikan bëri edhe "betejën" e fundit, duke luftuar me emocionet e tij dhe në fund fitoi sërish duke qeshur. Më pas nisi xhiroja e nderit, ku nuk harroi të përqafonte 2 motrat dhe nënën e tij, duke mbajtur në krah flamurin amerikan. "Nuk di se çfarë të them, jam shumë i emocionuar. Këta djem, - tha Felps, duke treguar shokët e tij, - treguan se janë të shkëlqyer. Ishim një skuadër e fortë, që punoi si një e vetme, e bashkuar dhe në fund arritëm të triumfojmë. Jam krenar që bëj pjesë në këtë katërshe. Gjithnjë kam ëndërruar qëtë bëja diçka që askush më parë nuk e kishtë bërë. Dhe ia dola mbanë. Por pa ndihmën e shokëve të mi nuk do t'ia arrija kurrë qëllimit. Asgjë nuk është e pamundur, nëse gjërat përballohen me fantazi", - u shpreh amerikani, që e mbylli deklaratën e tij me disa fjalë të thjeshta, prej një fëmije. - Dua të përqafoj mamanë time."

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›