E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ja kush janë prurjet e reja të Kombëtares

Nuk ka më dilema dhe as sekrete. Ashtu siç përflitej, Jurgen Gjasula dhe Azdren Llullaku kanë marrë ftesë nga Federata Shqiptare e Futbollit për t’u grumbulluar më 29 maj me ekipin kombëtar shqiptar. Këtë e kanë bërë të ditur edhe vetë futbollistët në fjalë, të cilët janë emocionuar sapo e kanë marrë vesh. Ishte folur edhe më parë për Gjasulën, ndërsa emri i Llullakut është lakuar vetëm muajt e fundit, por forma e mirë e kosovarit ka bërë që De Biazi ta ftojë të parin. Kështu, shkon në 20, numri i futbollistëve që trajneri italian i ka grumbulluar për herë të parë në Kombëtare për një periudhë 1- vjeçare e gjysmë. 

LLULLAKU 
Nuk është e vështirë ta identifikosh se është në kampionatin rumun, pasi ka emrin e poetit tonë të njohur Asdreni. Dhe ndoshta nga kjo janë nisur në fillim. Por Llullaku, 25 vjeç, ka spikatur më shumë me lojën e mirë që po bën te Gaz Metani. Është aktivizuar në 18 ndeshje këtë sezon dhe ka shënuar 5 gola, duke i siguruar qëndrimin ekipit të tij në kategorinë e më të mirëve në Rumani. Llullaku ka lindur në Istog të Kosovës dhe këto ditë ka nisur urgjentisht pajisja me pasaportë shqiptare për të. Në mungesë të Roshit, për Norvegjinë, pavarësisht se ai është sulmues, do të ishte një alternativë, përveç faktit që ai mund të përdoret edhe në vijën e parë. 

GJASULA 
Ka lindur në Tiranë, por ka pasaportë gjermane, prej së cilës mund të heqë dorë për t’u aktivizuar me ekipin kuqezi, pasi është 27 vjeç dhe me përfaqësuesen e Gjermanisë e ka të pamundur. Këtë sezon për një periudhë të gjatë ka qenë i dëmtuar, por tashmë e ka kaluar dhe është në formë. Në mungesë të Mehas, Lilës dhe Roshit, nevoja e tij në mesfushë bëhet edhe më e madhe, kur të gjithë vite më parë deklaronin se ai mund të ishte pasuesi i Skelës. Në këtë sezon është aktivizuar në 7 ndeshje me Duisburgun. Vlera e kartonit të tij është 800 mijë euro. 

TE TJERET 
Por duket se trajneri De Biazi nuk do të ndalet këtu sa u përket grumbullimeve të tjera. Ideja e parë është rikthimi i Admir Telit. Kjo, për dy arsye. E para, trajneri e ka ndjekur vetë dhe Teli është në formë, dhe e dyta, mbrojtja ka mungesa (Cana dhe në dyshim Mavraj). Por në “sitën” e De Biazit janë edhe disa emra të tjerë, që ndonjëri mund të grumbullohet që në ndeshjen e radhës më 7 qershor ndaj Norvegjisë. Amir Abrashi, Agon Mehmeti dhe Vullnet Basha janë tre kandidatët më të fortë, por mbetet për t’u parë kë preferon trajneri italian, kur në fakt koha në dispozicion është e paktë për ndeshjen e radhës.
(m.a/Eduard Ilnica/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›