Ja kushtet që duhet të plotësojnë policët e shtetit për pension të parakohshëm
ISSH: Meshkujve u duhen 15 vite shërbim, grave 12 vite Punonjësit e Policisë së Shtetit që ndërpresin karrierën ose mbushin moshën e daljes në pension të plotë pleqërie, deri në atë moment mund të përfitojnë pension të parakohshëm në masën pesëdhjetë për qind të pagës referuese. Kjo ndodh në rastet kur kanë, të paktën, vjetërsi shërbimi, burrat pesëmbëdhjetë vjet dhe gratë dymbëdhjetë vjet dhe kanë arritur moshën dyzet e shtatë vjeç burrat dhe dyzet e dy vjeç gratë. Për çdo vit tjetër vjetërsie shërbimi mbi kufirin
e mësipërm, masa e pensionit të pjesshëm shtohet me dy për qind të pagës së mësipërme, por nuk e kalon masën e pensionit maksimal të pleqërisë në shkallë vendi. Pensioni i parakohshëm për vjetërsi shërbimi jepet pas përfundimit të periudhës së trajtimit me pagesë kalimtare. Pensioni i parakohshëm për vjetërsi shërbimi ndërpritet përkohësisht kur përfituesi bëhet ekonomikisht aktiv. Periudha gjatë së cilës punonjësi përfiton pension të parakohshëm për vjetërsi shërbimi njihet si periudhë sigurimi për përfitim të pensionit të pleqërisë, invaliditetit dhe atij familjar, sipas pikës dy të Nenit 58 të Ligjit Nr. 7703, datë 11.5.1993 Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë. Pension familjar Pensioni suplementar familjar përfitohet atëherë kur punonjësi i Policisë së Shtetit vdes. Paraardhësit dhe pasardhësit e tij, përveç pensionit familjar që përfitojnë sipas dispozitave të Ligjit Nr. 7703, datë 11.5.1993 Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë, gëzojnë të drejtën e pensionit suplementar familjar në masën që vijon: pesëdhjetë për qind burri ose gruaja e ve dhe njëzet e pesë për qind të pensionit suplementar që do të merrte i ndjeri, për çdo jetim, prind, nip/mbesë dhe prind të prindit, por jo më shumë se njëqind për qind të pensionit familjar. Pesëdhjetë për qind burri ose gruaja e ve dhe njëzet e pesë për qind të pagës referuese të të ndjerit, që ka humbur jetën në krye të detyrës ose për shkak të saj, për çdo jetim, prind, nip/mbesë dhe prind të prindit, por shuma e këtij pensioni me pensionin familjar, të mos jetë më e madhe se njëqind për qind e pagës referuese të të ndjerit. Kur punonjësi i Policisë së Shtetit vdes në krye të detyrës ose për shkak të saj dhe paraardhësit dhe pasardhësit nuk i kanë kushtet për pension familjar, sipas Ligjit Nr. 7703, datë 11.5.1993 Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë, këta të fundit përfitojnë pesëdhjetë për qind të masës së pensionit shtesë të llogaritur. Në rastet kur përfituesi bëhet ekonomikisht aktiv, pensioni shtesë i llogaritur jepet në masën pesëdhjetë për qind të tij. Të përjashtuarit Këto të ardhura suplementare nuk i përfitojnë punonjësit që janë përjashtuar nga Policia e Shtetit për braktisje të detyrës ose që janë dënuar me burg nga gjykata me vendim të formës së prerë. Në rast fitimi të pafajësisë, këto të drejta përfitohen nga data e ndërprerjes së marrëdhënieve financiare, ndërsa në rastet e përfitimit nga amnistia ose falja e dënimit përfitimet fillojnë (ose rifillojnë) nga data e hyrjes në fuqi të amnistisë ose faljes së dënimit. Këto të ardhura pezullohen në çdo rast të arrestimit për vepra penale, që lidhen me ushtrimin e detyrës si punonjës i Policisë së Shtetit. Megjithatë e drejta e përfitimeve suplementare për punonjësit e Policisë së Shtetit varet nga: Koha e shërbimit si punonjës policie, ku përfshihet: koha e punës dhe e shërbimit si punonjës i Policisë së Shtetit, nga grada më e ulët e rolit bazë, në gradën më të lartë në rolin madhor; koha e njohur si ushtarak i shërbimit aktiv të përhershëm në Forcat e Armatosura të Republikës së Shqipërisë; koha e ndërprerjes së karrierës për shkak të një vendimi të padrejtë; koha e qëndrimit në dispozicion për shkak të pritjes për sistemim në një funksion tjetër, në përputhje me gradën; gjysma e periudhës së kaluar si punonjës në sektorët civilë, para rekrutimit si punonjës i Policisë së Shtetit.
Kontributet Përfitimet suplementare - Paaftësi të përkohshme në punë e shërbim - Mbulim të shpenzimeve për dëmtime trupore - Parandalim dhe rehabilitim për sëmundje - Shpenzime varrimi e ndihmë të menjëhershme - Pension të parakohshëm për vjetërsi shërbimi - Pension suplementar pleqërie - Pension suplementar, invaliditeti e familjar - Pagesë kalimtare për shkak të ndërprerjes së karrierës.Liri Mëhalla