Ja lidhja e mediamafies, me bandën dhe gjobëvënien ndaj biznesit
Letër e hapur Kryeministrit Berisha
Për dijeni Ambasadës së SHBA
Presidentit të Republikës, z. Bamir Topi
Kryeprokurores, Ina Rama
Z. kryeministër, me anën e kësaj letre ju drejtohem Ju, për të treguar disa nga faktet që lidhen me veprimtarinë më negative të një botuesi mediatik si Fahri Balliu, me lidhjet e tij të ndyra me segmente dhe njerëz antiligj, antishtet, por edhe lidhjet e tij me linja të rrezikshme që përbëjnë njolla turpi edhe për PD, dhe Ju si kryeministër i vendit. I quajtur nga unë, dhe jo vetëm nga unë, si njeriu që prej 4 vitesh po abuzon me emrin dhe figurën tuaj, botuesi i një gazete, e cila mban me pahir krahun tuaj, z. kryeministër, ka arritur të ketë lidhje të pista me afera të ndyra me njerëz që kanë precedentë penalë, dhe persona që sot kërkohen nga organet tona të policisë dhe drejtësisë. Dhe konkretisht, Fahri Balliu ka sot lidhje tepër të ngushta me ndërtuesin Gëzim Kolaveri, një pseudo-biznesmen që është i mbytur në borxhe me dhjetëra kompani dhe më e keqja i mbytur në borxhe me shtetin, një pseudo-ndërtues që ka mbi 40 gjyqe me shtetin, si tatimet e doganat, një njeri që sot ka mbrojtje z. Balliu dhe që abuzojnë me emrin tuaj dhe familjarëve tuaj. Duke mundur të marrë tenderët e rrugëve, Gëzim Kolaveri është bërë ortak me Fahri Balliun, ndërsa ky i fundit ka marrë si shpërblim 2 kate pallati te “Komuna e Parisit” nga Kolevari. Vetëm disa fakte z. kryeministër.
“Alban Tirana” është kompani që ka vite pa paguar tatimet e taksat ndaj shtetit, dhe vetëm vitin e fundit asaj iu mundësua mospagesa e afro 1.5 milionë eurove borxhe, të cilat i ka ndaj Albtelekomit dhe Tatimeve. Kujtoj se para 4 vitesh kjo kompani është quajtur nga ju si “AlbanPoçi”, pasi mbrohej nga ish-ministri i Transporteve.
Me ndihmën e Fahri Balliut, edhe Gëzim Kolaveri ka vajtur në Bosnjë bashkë me dy familjaret e tij dhe në takimet me një biznesmen me emrin Enver Beqiroviç, me origjinë shqiptare, kanë mundur ta mashtrojnë këtë të fundit duke i marrë atij makineri me vlerën e 1.5 milionë eurove. Sot e kësaj dite makineritë ndodhen në një zonë të Tiranës, dhe borxhi akoma nuk i është kthyer biznesmenit boshnjak. Në Bosnjë grupi i kryesuar nga Balliu ka paraqitur dy persona si “nipërit” e Berishës, madje duke arritur të takojnë edhe kryeministrin boshnjak bashkë me Gëzim Kolaverin, pasi vajtën në Bosnjë, dhe u prezantuan “si njerëzit më të afërt të Berishës”. Një foto të bërë me ju ata e kanë përdorur për të bërë shantazhe ndaj biznesmenit boshnjak. Shumë shpejt nga biznesmeni boshnjak dhe shumë biznese do të depozitohen në prokurori “kallëzime penale për mashtrim” nga dyshja Balliu-Kolaveri.
Pyesim z. Balliu, njëherësh edhe ju z. kryeministër:
Ku i ka gjetur ai paratë që për 3 vjet (afro 200 mijë paund në vit), mban në shkollat e Londrës dy fëmijët e tij?
Ku i ka gjetur paratë për apartamentin 320 metra katrorë në rrugën e Kavajës?
Ku i ka gjetur paratë që prish çdo ditë te “Rogneri”, për të blerë fuoristradën e re dhe disa makina të tjera?
A i ka dhuruar Delijorgji makinë të re z. Balliu dhe pse?
A është i implikuar Balliu me Gërdecin dhe pse?
A vendos gjoba me gazetën “55” nën emrin e kryeministrit, dhe si arriti që redaksia e tij të ketë sot kushte luksi?
A e ka ndihmuar Gëzim Kolaverin të paguajë taksa sa një bar-kafe, kur ai ka firmë ndërtimi dhe disa biznese të tjera dhe kush e ka mbështetur?
Kush e ka tjetërsuar lumin Erzen (që dihet se është Gëzim Kolaveri) në Vaqarr duke ngritur atje kantier pune?
Në rrugën Levan-Vlorë, sa pará ka marrë borxh Gëzim Kolaveri dhe nuk i ka kthyer akoma, pse hesht firma “Alpine”?
A bën presione Fahri Balliu dhe Gëzim Kolaveri ndaj bizneseve të tjera që problemet juridike t’i zgjidhin me Argita Berishën dhe pse?
Kjo z. kryeministër është lidhja e mediamafies me aferat e pista, e njerëzve të cilët ju qëndrojnë ju si hije pranë, dhe që abuzojnë nën emrin tuaj dhe familjarëve tuaj. Ky është botuesi i gazetës “55”, ky është ai që bën presione dhe zhvat pará duke deklaruar në tavolina se “më tha Berisha, ai urdhëroi”. Kaq sa për dijeni, z. kryeministër.
A e dini ju, z. kryeministër, se Fahri Balliu si njeri i afërt juaji (ose se deklarohet se është), ka akses të madh në Ministrinë e Brendshme dhe organet e larta të Policisë së Shtetit?
Mjafton një shembull….
Siç bëhet e ditur edhe në njoftimin për shtyp të Ministrisë e Brendshme të datës 01.08.2006, djali i Gëzim Kolaverit, (bashkëpunëtorit të Fahri Balliut në aferat korruptive me tenderët e shtetit), Dritan Kolaveri, është arrestuar për vepër penale trafik. Por shumë shpejt, edhe pse është anëtar i bandave kriminale të Altin Lames dhe Indrit Dokles, madje suporti financiar i këtyre bandave, ky djalë del i lirë dhe gëzon paratë e krimit. Të gjitha këto “lehtësira” i kanë arritur nëpërmjet parave të krimit dhe suportit të tyre nga Policia e Shtetit, nga një njeri i afërt i Berishës, Agron Kuliçi, që të gjithë e dimë se cili është ky njeri.
A e dini ju z. kryeministër, se Fahri Balliu është kallëzuar penalisht nga një tjetër kompani nën akuzën e “Falsifikimit të dokumenteve, evazionit fiskal, dhe mashtrimit me pasojë vjedhjen”?