Rihapet tuneli i Thirrës, ja oraret kur mund të qarkullojnë mjetet
Pas një bllokimi disa ditor për shkak të disa punimeve elektromagnetike në të, tuneli Thirrë-Kalimash në segmentin Rrëshen-Kalimash të autostradës Durrës-Kukës-Morin, u rihap dje për të funksionuar normalisht. Tuneli i njohur ndryshe si tuneli i 'Thirrës, një nga veprat më të mëdha inxhinierike jo vetëm në Shqipëri, por edhe në Ballkan, u mbyll të ditën e hënë për shkak të punimeve elektromagnetike.
Por burimet zyrtare nga Ministria e Transporteve thanë se tashmë tuneli do të qëndrojë i hapur nga ora 7:00 e mëngjesit deri në orën 23:00 të darkës, ndërsa do të mbyllet pjesën tjetër të natës për shkak të punimeve që po kryhen në galerinë jugore të tunelit paralel. Tuneli Thirrë-Kalimash është i përbërë nga dy tunele paralele, me një gjatësi prej 5.5 km secili. Masa shkëmbore e gërmuar për hapjen e tij arrin në 33 milion m3. Tunelet kanë lartësi prej 10 metrash e gjerësi 13 metra secili. Tuneli është i pajisur me oxhakë ajrimi, bashkë me një sistem shumë të fuqishëm për qarkullimin e ajrit; përgjatë gjithë segmentit të tij ka shumë dhoma të ndara si masa sigurie për strehim në raste zjarri në tunel, si dhe një tunel shpëtimi. Dy tunelet paralele bashkohen në disa pika me kalime direkte me njëri-tjetrin, për t'u dhënë mundësi automjeteve të ndryshojnë kah e të kalojnë nga njëri tunel në tjetrin, gjatë udhëtimit në zemrën e malit. I pajisur me ndriçim dhe trotuare nga të dyja anët e rrugës, me dy korsi brenda secilit tunel, ai është i pajisur dhe me ndarje të veçanta për kalimin e rrjetit elektrik, telefonik, si dhe të kabllove të sistemit të monitorimit me kamera, që do të mbulojë gjithë gjatësinë e tunelit dhe do të kontrollohet nga dy pika, nga një për secilën hyrje. Dy tunelet e Kalimashit, pjesa më e rëndësishme dhe më e vështirë inxhinierike e rrugës Durrës-Morin, nisën të ndërtoheshin dy vjet më parë. Autostrada Durrës-Kukës Morin punimet e njërit krah të së cilës përfunduan me 25 qershor shkurton me 65 kilometra distancën Shqipëri-Kosovë. Nga 330 që ishte distanca Tiranë-Prishtinë ajo tashmë është 265 kilometra dhe më së shumti atë e shkurton tuneli Thirrë- Kalimash, 5.5 km i gjatë, më i madhi në Ballkan. Përgjatë autostradës Durrës- Kukës- Morin janë ndërtuar 29 ura, më e larta mes të cilave është 80 metra dhe më e gjata 400 metra. Autostrada Durrës-Kukës-Morin, projekti më i madh infrastrukturor në Shqipëri, është me 4 korsi, 2 korsi në çdo drejtim dhe shpejtësia e lëvizjes lejohet 80-100 km/orë.