Certifikohen 87 specialistë të mjekësisë familjare
Ndonëse ka shumë për t’u bërë, certifikimi i 87 specialistëve të mjekësisë familjare janë dëshmi e jetësimit të koncepteve reformuese në sistemin shëndetësor, ka thënë ministri i Shëndetësisë Ferid Agani, me rastin e certifikimit të gjeneratës së katërt të specialistëve në mjekësinë familjare.
Duke folur për problemet me të cilat ballafaqohet sektori i shëndetësisë, e të cilat janë mjaft të mëdha, ministri Agani tha të mërkurën se pjesëmarrja e tij në këtë ceremoni është një privilegj ngase ka qenë edhe ndër pjesëmarrësit e vendosjes së themelit të këtij shërbimi në Kosovë në vitet e para të pasluftës.
Agani theksoi se edhe pse certifikimi i 87 specialistëve të mjekësisë familjare është dëshmi e reformës në shëndetësi, në zhvillimin e resurseve njerëzore për avancimin e konceptit dhe jetësimin e sistemit ka shumëçka për të bërë.
“Resurset njerëzore, të cilat janë të domosdoshme në jetësimin e koncepteve reformuese janë zhvilluar në masë të dukshme. Edhe kjo sot që kemi këtë ditë, këtë rast të mrekullueshëm të certifikimit të 87 specialistëve të mjekësisë familjare është një dëshmi për këtë. Ndoshta në këtë aspekt shërbimet e mjekësisë familjare kanë avancuar më së shumti. Në zhvillimin e resurseve njerëzore për avancimin e konceptit dhe jetësimin e sistemit. Ka edhe shumëçka për t’u bërë, ajo që duhet bërë është që ky koncept të fillojë të jetësohet”, ka thënë Agani.
Ndërsa, për drejtorin e Qendrës për Zhvillimin e Mjekësisë Familjare të Kosovës, Genc Ymerhalili, rrugëtimi i konceptit të Mjekësisë Familjare në Kosovë nuk ka qenë i lehtë, por me përplot sfida, mirëpo besimi në vetvete ka bërë që të përballohen sfidat dhe ëndrrat e tyre të bëhen realitet.
“Të vetëdijshëm për të gjitha këto çka na presin në të ardhmen unë besoj që të gjithë së bashku mund të arrijmë për arsye se është edhe një slogan i cili thotë se, vetëm me punë ekipore mund të bëjmë që gjërat e vështira të duken më lehtë”, ka thënë Ymerhalili duke shtuar se reformimi i sistemit shëndetësor filloi pikërisht me bazën konceptuale të mjekësisë familjare.
Certifikatat u janë ndarë 87 specialistëve, pasi që kanë kompletuar me sukses programin trevjeçar të Edukimit Specialistik Posdiplomik - ESP në mjekësi familjare.
Programi i ESP në mjekësinë familjare është i akredituar ndërkombëtarisht nga Kolegji Mbretëror i Mjekëve të Përgjithshëm të Britanisë së Madhe. (kp)