E Diel, 1 Nëntor 2026

SHBA pas 11 Shtatorit 2001 dhe fushata e sotme presidenciale

Për dallim nga vitet e kaluara, përvjetori i sivjetmë i sulmeve terroriste të 11 Shtatorit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, nuk u shënua me përkujtime të mëdha, por kjo nuk do të thotë se Amerika i ka harruar 3000 viktimat nga viti 2001.

E vërteta është që ngjarjet e 11 Shtatorit 2001 kishin ndikim të fuqishëm në pikëpamjen e Amerikës për rolin e saj në botë, duke shkaktuar jo vetëm rishikimin e politikës së saj të jashtme, por edhe të gjithë parimeve ekonomike e politike të 50 vjetëve të shkuar.

Tani shtrohet pyetja: Mos vallë në fushatën presidenciale të këtij viti në SHBA, 11 Shtatori dhe lufta në Irak ranë në plan të dytë pas ekonomisë? Unë mendoj se Po! Numri i viktimave në Irak po shënon rënie dhe shkalla e luftimeve është reduktuar. Sigurisht që kjo është pasojë e shtimit të trupave etj. Prandaj, tani, sipas meje, problemet ekonomike kanë dalë në plan të parë.

Sido që të jetë, “11 shtatori” është ngjarja që e përkufizoi presidencën e Bushit. Kur Bush u zgjodh president, kishte popullaritet shumë të ulët, për shkak të procesit të kontestuar zgjedhor ku u përfshi edhe Gjykata Supreme. Por, menjëherë pas 11 shtatorit, popullariteti i tij filloi të rritet.

A thua 11 Shtatori do ta përkufizojë edhe politikën e presidentit të ardhshëm? Mendoj se do të jetë një element vital i presidencës. Nëse për shembull do të ketë ndonjë sulm terrorist, kuptohet që ai do të ketë efekt nxitës te presidenti. Por, edhe po të mos ketë, lufta globale kundër terrorizmit do të vazhdojë.

*Profesor i Shkencave Politike në Universitetin Shtetëror të Nju Jorkut

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›