“Ja pse u shtrëngua dhënia e kredive”
Fabiola Çela
Bankat kanë tkurrur dhënien e kredive gjatë muajve të parë të vitit. Shkak për këtë ka qenë situata makroekonomike në vend dhe kreditë me probleme. Por gjatë 3-mujorit të dytë të këtij viti bankat kanë zbutur disi kushtet për dhënien e kredive krahasuar me 3-mujorin e parë të vitit. Sipas vrojtimit më të fundit të Bankës së Shqipërisë pritjet e bankave për tremujorin e tretë të vitit 2009 çojnë drejt një zbutjeje të mëtejshme të shtrëngimit të standardeve për të dyja kategoritë e biznesit, si dhe për kredinë dhënë individëve. Për sa i përket kërkesës për kredi, bankat vlerësojnë se ajo do të vijojë prirjen rritëse, si nga individët ashtu edhe nga korporatat dhe ndërmarrjet e vogla e të mesme.
Kredia për biznese
“Në tremujorin e dytë të vitit 2009 shtrëngimi i standardeve të kredisë akorduar bizneseve është zbutur në krahasim me tremujorin e kaluar. Balanca neto e cila vijon të jetë në kahun shtrëngues është rritur në -23.4 për qind në krahasim me -66.3 për qind në vrojtimin e kaluar, pothuaj në të njëjtën masë sa ishte parashikuar. Balanca negative reflekton kryesisht bankat që kanë zgjedhur alternativën e përgjigjes “standardet janë shtrënguar disi”, pasi asnjë bankë nuk ka zgjedhur “standardet janë shtrënguar shumë”. Shtrëngimi ka qenë në të njëjtën masë si për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme ashtu edhe për korporatat e mëdha (balanca neto -18.2 për qind). Standardet për kredinë për investime vijojnë edhe në këtë tremujor të jenë më të shtrënguara se sa për kredinë për qëllime të kapitalit qarkullues.
Faktorët kryesorë që kanë kontribuar në shtrëngimin e standardeve në tremujorin e dytë të vitit 2009 vijojnë të jenë problemet specifike të sektorit ku operon biznesi, situata makroekonomike në vend dhe ecuria e kredive me probleme. Megjithatë, gjatë vrojtimit të radhës ndikimi i këtyre faktorëve është zbutur disi krahasuar me gjysmën e dytë të vitit 2008 dhe tremujorin e parë të vitit 2009. Gjatë vrojtimit të tremujorit të dytë të vitit 2009 është vënë re ulje e përdorimit të instrumenteve të tillë si: rritjes së marzhit mesatar për kreditë, uljes së madhësisë së kredisë dhe të uljes së maturitetit maksimal të kredisë krahasuar me tremujorin e kaluar si kushte me të cilat bankat zbatojnë politikën e tyre shtrënguese të kredidhënies. Kërkesa neto e bizneseve për kredi është rritur disi në krahasim me tremujorin e kaluar, megjithëse kërkesa e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme mbetet në nivele negative. Sipas qëllimit të përdorimit të kredisë, kërkesa neto për kredi për investim ka njohur rritje ndërsa kërkesa për kapital qarkullues është paraqitur pozitive. Faktorët kryesorë që kanë nxitur kërkesën e bizneseve për kredi, sipas opinionit të ekspertëve të bankave, ka qenë nevoja për financimin e kapitalit qarkullues, pakësimi i përdorimit të burimeve alternative të financimit si dhe vendimet e Bankës së Shqipërisë. Ndërkohë, nevoja për financimin e investimeve është vlerësuar si një faktor jo i rëndësishëm për të nxitur kërkesën e bizneseve për kredi pranë bankave. Pritjet. Bankat presin lehtësim të mëtejshëm të standardeve për akordimin e kredisë për bizneset, në tremujorin e tretë të vitit 2009. Pritjet për kërkesën tregojnë për një kthesë pozitive të saj në tremujorin e ardhshëm. Balanca e pritjeve është pozitive si për kërkesën nga ndërmarrjet e vogla dhe të mesme ashtu edhe nga korporatat”.
Kredia për individë
“Standardet e kredidhënies për individët në tremujorin e dytë të vitit 2009 kanë qenë të shtrënguara, megjithatë është shënuar zbutje në krahasim me nivelin më të lartë të shënuar në tremujorin e parë. Përqindja neto e bankave që shprehen për lehtësim është rritur. Balanca neto regjistron -21.6 për qind nga -44.3 për qind në tremujorin e parë të vitit. Gjatë tremujorit aktual standardet kanë qenë disi më të shtrënguara për kredinë konsumatore se sa për kredinë për blerje banese. Faktori kryesor që ka përcaktuar shkallën e shtrëngimit të standardeve në tremujorin e dytë të vitit 2009 është gjendja e kredive me probleme, balanca neto e së cilës shënon -45.2 për qind krahasuar me -29.8 për qind tremujorin e kaluar. Përveç gjendjes së kredive me probleme, ndikimin më të madh në shtrëngimin e standardeve të bankës vijojnë ta japin edhe gjatë tremujorit të dytë, gjendja financiare e individëve si dhe zhvillimet në tregun e pasurive të paluajtshme. Nevojat e individëve për të financuar blerje banese dhe për të financuar konsumin e tyre janë faktorë që kanë dhënë kontribut të lehtë pozitiv për rritjen e kërkesës. Nga ana tjetër, zhvillimet në tregun e pasurive të paluajtshme përfaqësojnë faktorin me ndikimin më të madh për uljen e kërkesës konsumatore. Në të njëjtin drejtim por me intensitet më të ulët kanë ndikuar edhe faktorët e tjerë; përdorimi i burimeve alternative të financimit (ulja e kursimit apo huamarrja në institucione të tjera), besimi i konsumatorëve, si dhe kushtet e aplikuara nga bankat. Pritjet. Për tremujorin e tretë të vitit 2009 bankat nuk parashikojnë shtrëngim të mëtejshëm të standardeve të kredidhënies për individët. Pritjet e ekspertëve të bankave tregojnë për një kërkesë pozitive gjatë tremujorit të tretë të vitit”.