E Diel, 1 Nëntor 2026

Rinas, ndihmon për kalim të paligjshëm kufiri

Miranda Gomez (Luli) është arrestuar teksa tentonte të ikte me linjat ajrore së bashku me një vogëlush 7 vjeç. Miranda kishte përdorur ngjashmërinë mes vogëlushit dhe djalit të saj, i cili ishte pak a shumë në të njëjtën moshë, duke e paraqitur si fëmijën e vet 7-vjeç.

Sipas policisë, djali i përket një familjeje nga Shkodra dhe kishte për destinacion Francën. Burime shprehen se vogëlushi kishte të ëmën që jetonte në Francë dhe siç duket, Miranda kishte marrë përsipër kalimin e tij nëpërmjet Rinasit. Miranda është siguruar në ambientet e izolimit të Drejtorisë së Policisë së Tiranës me akuzën e “dhënies ndihmë për kalim të paligjshëm të kufirit”.

Oficerët e antitrafikut, të cilëve iu referua çështja, dyshojnë se Miranda e kryente këtë veprim kundrejt pagesës. Vetë 32-vjeçarja mësohet se ka mohuar akuzën për shumat monetare, duke deklaruar se e kishte bërë thjesht për miqësi, për të ndihmuar shoqen, që sipas saj është e ëma e vogëlushit.

Policia e Rinasit ka kontaktuar me familjarët e vogëlushit, të cilëve iu është dorëzuar djali i mitur. Ndërsa shqiptarja me pasaportë franceze, Miranda Gomez, është siguruar në ambientet e izolimit të policisë së Qarkut Tiranë.

                                                                                             

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›