Berisha: Pronarët e hoteleve të ulin çmimet
Kryeministri Sali Berisha u ka bërë thirrje dje pronarëve të hoteleve dhe restoranteve të ulnin çmimet e shërbimeve që ofrojnë. Nga jugu i vendit ku po përuron disa prej rrugëve që lidhin fshatrat me bregun e detit, kreu i ekzekutivit është shprehur se pavarësisht asaj çka ofron natyra shqiptare, shumica e pushuesve i referohen çmimeve. “Ky është një zhvillim i madh jo vetëm për Sarandën, por për të gjithë bregun e të gjithë Shqipërinë, sepse, gradualisht, do të zbulojë se nuk është vetëm Butrinti, por edhe Finiqi, Lukova, Himara, Dhërmiu, Palasa e me radhë. Vërtet jemi në agun e një shpërthimi të fuqishëm turistik, e shndërrimit të Shqipërisë në një nga drejtimet turistike më të rëndësishme në Evropë. U gëzova pa masë kur lexova në Eurostat se në hotelet dhe restorantet shqiptare çmimet janë të leverdishme”, u shpreh Berisha. “Unë i ftoj të gjithë pronarët e restoranteve, hoteleve dhe shtëpive të kenë çmime të arsyeshme dhe të mos harrojnë se e vërteta është se krahas peizazhit dhe ushqimit, pothuajse 95 për qind e turistëve pëlqejnë çmimet e lira. Ndaj le t’u ofrojmë mikpritjen tonë, çmimet e arsyeshme dhe, në këtë mënyrë, fitojmë shumë më tepër”, tha Kryeministri. Gjatë vizitës në disa fshatra të bregut të Jonit, Berisha u ndal në fshatin Ilias, ku inauguroi rrugën e re për në Manastirin e Shën Theodhorit dhe plazhin e Gjipesë. Pasi vizitoi Manastirin e Shën Theodhorit, Kryeministri Berisha theksoi rëndësinë jo vetëm turistike të kësaj rruge, por edhe për rigjallërimin e Manastirit e Shën Theodhorit, si një vend i shërbesave të rëndësishme fetare, por edhe si një vend turistik për zonën dhe turizmin shqiptar në tërësi.