E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ja sa kushton misioni ushtarak në Çad

Autori i Lajmit: Plarent Shehu
Paqeruajtësit shqiptarë

Misioni ushtarak paqeruajtës shqiptar në Çad prej 63 trupash i cili pritet të miratohet nga Parlamenti ditën e enjte, dhe që është i dyti në këtë zonë, do t i kushtojë qeverisë shqiptare dhe taksapaguesve shqiptarë rreth 800 mijë euro për gjashtëmujorin e parë, pasi kontrata me OKB-në është për një vit. Komisioni i Sigurisë dhe Mbrojtjes në Parlamentin shqiptar ka miratuar me unanimitet miratimin e misionit ushtarak hqiptarë në Çad, me një kompani prej 63 trupash, kolonelë, togerë dhe ushtarë profesionistë. Përfaqësuesit e Ministrisë së Mbrojtjes si dhe të qeverisë kanë zbardhur në detaje për deputetët anëtarë të këtij komisioni gjithçka mbi procedurën, shpërblimin, kohëzgjatjen si dhe tarifën financiare që qeveria shqiptare do të mbulojë për misionin paqeruajtës të OKB-së në Çad, ku Shqipëria do të jetë pjesë e tij me një kompani ushtarësh. Sipas të dhënave të specialistëve të Ministrisë së Mbrojtjes dhe qeverisë, misioni paqeruajtës në Çad do t i kushtojë qeverisë shqiptare 13.710.000 lekë (trembëdhjetë milionë e shtatëqind mijë lekë ) për sa u përket rrogave të të gjithë trupës plus 680.400 euro (gjashtëqind e tetëdhjetë mijë e katërqind euro) shpërblime për rrezikshmëri të misionit. Vlen të theksohet se rroga bazë e një ushtari profesionist është rreth 35000 lekë (tridhjetë e pesë mijë lekë) në muaj dhe për oficerët me grada të ndryshme jo më pak se 55000 lekë (pesëdhjetë e pesë mijë lekë) në muaj. Ndërsa për sa i përket shpërblimit ditor për çdo pjesëtar të trupës shqiptare në Çad ai do të jetë i njëjtë për të gjithë, ushtarë dhe oficerë, 60 euro në ditë.
Ekspertët
Sipas ekspertëve të Ministrisë, të cilët raportuan në komisionin e Sigurisë, nënvizohet se “do të operohet me strukturë, kompani, me mundësi shtimin ose pakësimin e saj. Janë 63 trupa ushtarake që përbëjnë këtë kompani. Do të ketë një mbivendosje 15- ditëshe, që do të thotë, kontigjenti aktual do të bëjë dorëzimet brenda këtyre 15 ditëve, ku mund të qëndrojnë të dyja bashkë për t u ndërruar dhe njohur me detyrat midis marrësit dhe dorëzuesit. Paga mujore do të jetë rroga bazë që ata marrin në Shqipëri plus një shtesë vjetërsie, shpërblim ditor, prej 60 euro në ditë për çdo ushtar. Shuma prej 60 eurosh është një shpërblim ditor që qeveria shqiptare u jep trupave ushtarake për vështirësinë e misionit në Çad. Për sa u përket shërbimeve social-logjistike, ushqim, veshje, transport, strategji ushtarake do të mbulohen të gjitha si shpenzime nga Forca e OKB-së. Kompania e parë që ka marrë pjesë në misionin në Çad është kthyer, dhe tashmë do të ketë një ndryshim të ombrellës ushtarake, nga forcë e integruar në atë të BE-së, pra nën komandën franceze, në Forcën e OKB-së. Numri i trupave nuk ka ndryshuar, pra 63 trupa si në misionin e parë. Efektet financiare nuk kanë ndryshuar nga misioni i parë, sepse qeveria paguan vetëm shpërblimin ditor, ndërsa trajtimin tjetër social-logjistik janë mbulim i OKB-së. Ky mision është me një afat 6-mujor, por mund të qëndrojë edhe 5 apo 10 ditë më shumë se sa afati për shkak të ndërrimit nga kontigjenti i ri. Këto trupa do të përfundojnë misionin më 31 dhjetor 2009. Kontrata me OKB-në është nënshkruar përpara fillimit të misionit”, thanë ekspertët e Ministrisë së Mbrojtjes dhe ata të qeverisë në Komisionin Parlamentar të Sigurisë.
Misioni i OKB-BE-së
Në bazë të një mandati nga OKB-ja, trupat e BE-së do të veprojnë për të ndihmuar zgjidhjen e krizës në Darfur (Sudan). Gatishmëria e Shqipërisë për të dërguar një kompani në Çad është konfirmuar disa herë nga kryeministri Sali Berisha. Operacioni ushtarak në Çad është zyrtarizuar nga BE-ja më 28 janar dhe në të pritet të marrin pjesë me trupa 14 vende anëtare të Bashkimit Evropian. Në mënyrë specifike, operacioni synon të kontribuojë në mbrojtjen e civilëve në rrezik, kryesisht të refugjatëve dhe të të zhvendosurve, si dhe të lehtësojë dërgimin e ndihmave humanitare e lëvizjen e lirë të personelit. Mbrojtja e personelit të OKB-së do të jetë një tjetër synim i misionit në Afrikë, që drejtohet nga gjenerali irlandez, Patrik Nash.
Detyrat dhe mbrojtja
Me rreth 3700 trupa, operacioni do të kushtojë 119 milionë euro. Ushtarët që do të dërgohen në Çad dhe Republikën Afrikano-Qendrore, dy vende kufitare me Sudanin, do të kenë të drejtë të përdorin armët e zjarrit, nëse kjo do të jetë e nevojshme.
Rreth 200 mijë refugjatë nga rajoni i Darfurit ndodhen në zonat ku do të vendoset misioni i OKB-BE-së, ndërsa brenda Çadit janë zhvendosur edhe 178 mijë të tjerë. Vetëm Franca ka dërguar rreth 1350 trupa, ndërsa Irlanda mbi 450 ushtarë. Të dy vendet kanë dërguar disa trupa elitë në Afrikë për patrullime dhe përgatitjen e kushteve të operacionit. Ndër shtetet e tjera kontribuuese janë Austria, Greqia, Holanda, Rumania, Spanja dhe Suedia.

Synimet e operacionit
Mbrojtja e civilëve në rrezik
Lehtësimi i dërgimit të ndihmave humanitare
Lehtësimi i lëvizjes së lirë të personelit
Mbrojtja e personelit të OKB-së

Fatura
Pagesat e ushtarëve/oficerëve në misionin e Çadit

Shpërblim ditor për ushtarë: 60 euro x 30 ditë = 1800 euro në muaj
për 6 muaj një ushtar/oficer do të marrë 10800 euro
Rroga bazë e një ushtari profesionist: 35.000 lekë x 6 muaj = 210.000 lekë
Rroga bazë e një ushtaraku, kolonel: 55.000 lekë x 6 muaj = 330000 lekë

Shpenzimet totale të qeverisë për misionin 6-mujor

Rroga për ushtarë: 59 x 210000 = 12.390.000
Rroga për oficerë: 4 x 330000 = 1.320.000
Rroga total: 63 persona = 13.710.000 lekë
Shpërblime: 63 x 10800 euro = 680400 euro
680400 x 129 = 87.771.600 lekë
Totali në lekë: = 101481600 lekë
Totali në euro: = 786 679 euro
Për sa i përket ushqimit, veshjes si dhe shërbimeve të tjera sociale në këtë mision për kompaninë e trupave shqiptare, ato do të mbulohen nga Forca e OKB-së.
Ky lajm është publikuar: 08/04/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›