E Diel, 1 Nëntor 2026

FMN: Ekonomia shqiptare nën efektet e krizës, rritja do jetë më pak se 1%

Nga Fitim Zekthi

Ekonomia shqiptare po vihet gjithnjë e më shumë në vështirësi për shkak të efekteve të krizës ekonomike dhe ky vit duket se do ta thellojë rënien e ekonomisë duke bërë që vendi të ketë një rritje thuajse zero të prodhimit të brendshëm dhe të të ardhurave për frymë. Përfaqësuesi i Fondit Monetar Ndërkombëtar, Gerwin Bell, tha dje në Tiranë se rritja ekonomike e vendit do të jetë më pak se 1% dhe ajo do të luhatet në kufijtë nga zero në 1%. Përfaqësuesi i Fondit Monetar Ndërkombëtar, Bell, një njohës mjaft i mirë i Shqipërisë dhe i ekonomisë sonë, rrëzoi qëndrimin e zyrtarëve të qeverisë shqiptare për një ekonomi të paprekur nga kriza dhe tha se gjendja është vërtet mjaft serioze dhe se ky lajm i keq për ekonominë tonë mund të jetë edhe më i keq në muajt që do të vijnë. Z. Bell kërkoi që qeveria shqiptare të mos rrisë pagat dhe pensionet, siç ajo ka premtuar, dhe të mos ulë në anën tjetër nivelin e kontributit të sigurimeve shoqërore. Përfaqësuesi i FMN ishte mjaft i drejtpërdrejtë dhe kundërshtoi ashpër masat që mund të marrë qeveria ose masat që ajo ka premtuar se do të marrë sa i takon rritjes së pagave dhe pensioneve. Bell theksoi se situata në vend mbetet ende e paqartë dhe nuk mund të thuhet se sa do të jetë efekti real i krizës. Sipas tij, efektet e krizës janë shfaqur dhe do pasqyrohen në uljen e nivelit të kreditimit nga bankat, uljen e dërgesave dhe ulje të eksporteve. Qeveria shqiptare megjithatë duket se e ka vendosur kursin e saj në politikat ekonomike në vend dhe se nuk do të ndikohet shumë nga ajo që thotë Fondi Monetar Ndërkombëtar.

Sipas ministrit Bode, duke filluar nga 1 maji do të bëhet rritja e pagave dhe do të ulet niveli i kontributeve e sigurimeve shoqërore, e njohur ndryshe si taksa e punës. Kreu i financave deklaroi se qeveria do të përballojë krizën nëpërmjet kontigjencave, është një shumë prej 2 mld lekësh, kësaj shume do t’i shtohen edhe të ardhurat nga privatizimet, të cilat vlerësohen në masën e 260 milionë eurove. Ecurinë e ka komentuar edhe Guvernatori i Bankës së Shqipërisë. Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Adrian Fullani, ka qenë në të njëjtin arsyetim me FMN dhe ka këshilluar qeverinë të bëjë rialokimin e shpenzimeve, të gjenden financime shtesë për të mbështetur buxhetin dhe të shtyhen shpenzimet që nuk janë të domosdoshme për ekzekutivin. Fullani theksoi se sistemi financiar e bankar janë të sigurt, pasi bankat, sipas tij, janë të mirëkapitalizuara dhe po dalin me fitim.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›