E Shtunë, 31 Tetor 2026

Flamuri bën propozimet e para për fushatën e NATO-s

Nga Antena brenda familjes

Flamuri dje fluturonte nga gëzimi. Ai burri ishte i vetëm në Bruksel dhe ngriti flamurin e Shqipërisë në NATO. Për fat ishte i vetëm dhe nuk kishte asnjë incident. As pritej t’i zinte vendin Bamiri, as të mos pranonin Jozefinën, as mos ta hipnin në helikopter, siç ndodhi në Strasburg. Gjithçka ishte e qartë.

U ngrit që në mëngjes dhe e pa direkt ceremoninë. Pastaj, siç ndodh në raste të tilla, ai pret telefonatën prej tij për t’i treguar ndonjë gjë më shumë çfarë kishte ndodhur.

Telefonata nuk vonoi.

- Flamur, ka qenë një ditë e shkëlqyeme, - i tha. - Ishim vetëm unë me kryeministrin kroat. Ishte mrekulli. Në fakt ai është burrë shumë i mirë dhe e çmoj shumë. Më tha: “Kam probleme shumë me presidentin”. E di, i thashë, ta di hallin. Kishte të drejtë Flamur. A e di si sillet ai apo jo? Shumë president primitiv, d.m.th., se kam pasë respekt, pasi ka pasë qëndru ca kohë në Shqipëri në vitin 1997, e ftonte Fatmir Mediu. Sillej shumë keq. Ndodhi një vrasje gazetari aty dhe një vajzë avokati, ai i kërkoi menjëherë të shkrijë qeverinë. Ky në fakt hezitoi, po i ikën dy ministra, i Drejtësisë dhe i Brendshmi. Interesant, Flamur. Tjetrin e ka votuar populli, ai e pengon të komandojë prokurorinë dhe gjykatat. “Janë kompetencë e imja”, - i thotë. Dhe në fakt ky e kishte shumë bezdi.

E pyeta Flamur, i thashë, si kaluat në atë darkë me Obamën? “Shumë keq, - tha. - Bëre mirë që nuk erdhe. Ajo nuk ishte darkë, ishte mynxyrë. Obama fliste vetëm me presidentin tuaj dhe atë timin. Unë isha me dy djem të rinj përpara. Njëri që qesh vazhdimisht dhe unë mendova se ishte kryekamerieri, se kishte dhe një pecetë te xhepi i xhaketës. Pastaj m’u prezantua, më tha: “Jam Lulëzim Basha, ministri i Jashtëm i Shqipërisë.” U çudita shumë. S’kisha parë djalë aq të qeshur. Qeshte sa herë që fliste Topi dhe sa herë që fliste Obama. Dhe nuk e kishte mendjen fare në bisedë”, - tha. Dhe e ka drejt. Se ashtu sillet Luli. Po atij i kishte bërë shumë përshtypje.

- Po për atë Gaz Oketën çfarë tha?

- Ah po. Më tha që “ishte dhe një djalë tjetër, që shikonte në sy presidentin tuaj, kur fliste. Ai ishte serioz, - tha. - Nuk foli asnjëherë. Vetëm ndiqte me sy të dy presidentët, kur flisnin dhe tundte kokën.”

- D.m.th., ky Gazi miratonte Bamirin. Të kam thënë që ai është i pasinqertë.

- Flamur, të mos t’i biem në qafë njëherë për njëherë. Nuk është e sigurt që është me Bamirin. Po qe se gjejmë prova, në dorë e kemi listën, e bëjmë si të duam. Por e kisha fjalën te ky kryeministri kroat. Kishte shumë të drejtë për presidentin. Në fakt, është e padurueshme që vende si tonat, ku kryeministrat janë gjithçka, të përfaqësohen nga presidentë. Më pyeti dhe mua. Më tha: “Sali, po ti pse nuk ishe në darkë?” S’dija ç’t’i thosha. I thashë, nuk erdha prej jush. S’mund ta pranoj, i thashë, që ty të të fyenin duke të të detyruar të vije me presidentin që s’e do. Më pyeti: “Po t’i si shkon me atë tëndin?” U vura në pozitë të vështirë në fakt, por ia thashë ca fjalë, e di vetë ti. Më dha të drejtë. Sidomos kur i thashë që ai mbron kryeprokuroren dhe gjykatat, se ato duan të më dënojnë mua, u bë vrer. “Njësoj si te ne, - tha. - Këta janë presidentë primitivë, nuk ecet para”, - tha.

Tani Flamur, të marrim masa ta shpërndajmë këtë mesazhin e futjes në NATO në gjithë Shqipërinë. Mendo ndonjë gjë që duhet bërë. Fola dhe me Glorin se e kisha me vete, dhe ai tha: “Kam ca ide”.

- Nuk e di doktor, por mirë do ishte të prisnim të lindte ndonjë fëmijë, vajzë nga ndonjë militant i yni dhe t’i propozonim t’ia vinte emrin NATO. I shkoje ti në spital dhe bëhej lajm i madh.

- Shumë mirë Flamur. Ide e mirë shumë. Mendoje njëherë.

- Dhe ai Glori më ka premtuar se do të vërë në punë atë fabrikën e ujit dhe do t’i vërë ujit emrin NATO, - tha Flamuri.

- Flamur, lëre atë ujin e Glorit, se s’i dihet ç’ndodh, por ndonjë ide tjetër?

- Po ja, them që çdo të shtunë deri në zgjedhje të bëjmë një tip koncerti apo mitingu, ta quajmë “E shtuna e NATO”-s dhe rinia të kërcejë në disko.

- Shumë mirë Flamur. Ndonjë gjë tjetër?

- Them që javën nga 1 deri më 7 prill ta shpallim Javën e NATO-s, kurse muajin prill, Muajin e NATO-s.

- Shumë mirë Flamur, ide e shkëlqyer. Ndonjë gjë tjetër, ç’mund të bëjmë?

- Po them që këtë TEC-in e Durrësit te toka e Fazlliçit ta quajmë “Drita e NATO”-s. Madje them që dhe disa vepra të mëdha të këtij pesëvjeçari t’i quajmë kështu, p.sh., rruga Rrëshen-Kalimash të quhet “Rruga e NATO”-s, ARMO-n, meqë është përfolur, ta pastrojmë dhe ta quajmë “Energjia e NATO”-s, dhe të ngremë një fabrikë moderne demontimi fishekësh dhe ta quajmë “Kombinati i NATO”-s.

- Ide të shkëlqyera Flamur. Nis nga puna menjëherë.

- Ka dhe një propozim ky Gerti Bogdani, - tha Flamuri. - Më tha që Forumit Rinor të PD t’ia vëmë “Të rinjtë e NATO”-s…

- Flamur, deri këtu në rregull. Brenda në PD s’ka nevojë me e futë NATO-n, se vështirë me e nxjerrë pastaj. Të përshëndes!

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›