E Diel, 1 Nëntor 2026

Shefer: “Shqipëria, shtet i sigurt dhe faktor në rajon”

Autori i Lajmit: Plarent Shehu
Flamuri shqiptar në NATO

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jap de Hop Shefer, deklaroi se “të dy vendet mund të gëzojnë sigurinë e garantuar të artikullit 5 të Traktatit të Uashingtonit”. Deklarata ka ardhur në ceremoninë zyrtare të ngritjes së flamurit shqiptar dhe kroat në selinë e Aleancës së Atlantikut Verior në Bruksel, ku ka shtuar se "aderimi në Aleancë i Shqipërisë dhe Kroacisë ka një rëndësi të jashtëzakonshme si për këto dy vende, rajonin, por edhe Aleancën në tërësi". Në këtë ceremoni ku ishin të pranishëm 26 ambasadorët e vendeve anëtare të NATO-s dhe delegacionet zyrtare të Shqipërisë dhe Kroacisë, Shefer uroi mirëseardhjen në Aleancë për dy anëtarët më të rinj të NATO-s. "60 vjet më parë përfaqësues të 12 vendeve nënshkruan Traktatin e Uashingtonit. Gjatë dekadave të ardhshme ky Traktat u kthye në Aleancën më të suksesshme të historisë dhe kjo ceremoni nënvizon edhe një herë faktin se përse NATO mbetet unikale", - u shpreh Shefer. Me hyrjen e Shqipërisë dhe Kroacisë në NATO, sipas tij, "ka arritur në 28 numri i vendeve anëtare të NATO-s dhe kjo thekson edhe një herë faktin se ideja e lirisë është e parezistueshme për të gjitha kombet . Anëtarësimi i Shqipërisë dhe Kroacisë, si anëtare me të drejta të plota në Aleancë është një tregues i qartë i mundit të atyre që e kanë parë të ardhmen te NATO. Hyrja në NATO e Shqipërisë dhe Kroacisë përbën një shembull inkurajues për të dy vendet. Aleanca jonë do të ketë tani dy anëtarë të rinj që do të bashkohen me vendosmëri për të mbrojtur sigurimin, integritetin territorial për secilin prej tyre. Ky është angazhimi më solemn që mund të ndërmarrin", - u shpreh Shefer. Shqipëria përfaqësohet në këtë ceremoni me një delegacion zyrtar të kryesuar nga kryeministri Berisha dhe që ka në përbërje të tij edhe ministrin e Punëve të Jashtme, Lulzim Basha, dhe ambasadorin e Shqipërisë në NATO, Artur Kuko. Shqipëria dhe Kroacia u ulën zyrtarisht si anëtare me të drejta të plota në Aleancë, në Samitin e Strasburg-Kehl, i cili zhvilloi punimet në datat 3 dhe 4 prill 2009, në Francë dhe Gjermani.

Berisha
Gati të marrim pjesë në çdo mision që do ta kërkojë Aleanca

Shefi i ekzekutivit shqiptar, Sali Berisha, është shprehur nga Brukseli, në ceremoninë e ngritjes së flamurit në selinë e NATO-s, se tashmë Shqipëria është e gatshme të marrë pjesë në çdo mision që do ta kërkojë Aleanca. Berisha deklaroi më tej se “procesi i anëtarësimit të Shqipërisë në NATO u bë një nxitës dhe motivim shumë i fuqishëm për reformat në vend, duke bërë që Shqipëria të përjetojë një ndryshim të shpejtë gjatë këtyre viteve”. Duke përshëndetur ceremoninë e ngritjes së flamurit, Berisha shprehu mirënjohjen për Aleancën e Atlantikut të Veriut, duke theksuar se "Gjatë këtyre katër viteve të fundit ne jemi takuar shumë herë dhe unë kam paraqitur rastin tonë në Këshillin e Atlantikut të Veriut. Në të gjitha këto takime, unë konstatoj dëshirën e fuqishme që Shqipëria të ecë përpara me reformat e saj tërësore, të plota e të suksesshme që mundësuan anëtarësimin në NATO. Këto sugjerime janë kthyer në shtylla të axhendës së qeverisë”, - tha Kryeministri. Duke theksuar rolin e Shqipërisë në misionet paqeruajtëse, ai shprehu gjithashtu gatishmërinë e Shqipërisë për të marrë pjesë në çdo mision që do ta kërkojë Aleanca. Në përfundim, Berisha shprehu mirënjohjen për përfaqësuesit e të gjitha vendeve anëtare të NATO-s që kanë mbështetur Shqipërinë, Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Shefer, si dhe ish- Sekretarin Manfred Verner, që mirëpriti kërkesën e Shqipërisë për t u anëtarësuar në Aleancë. "Flamuri kombëtar i Shqipërisë valëvitet më lart se asnjëherë tjetër në historinë e tij dhe bashkë me të ngrihet edhe më lart se kurrë dinjiteti i të rënëve. Ndaj unë ju shpreh vendosmërinë e qeverisë sime për të bërë të gjitha përpjekjet për forcimin në Shqipëri të vlerave që mbështet Aleanca", - tha Kryeministri. Më pas kreu i mazhorancës në një konferencë për shtyp i është përgjigjur interesimit të medias mbi kontributin e Shqipërisë në integrimin e Kosovës, Bosnje-Hercegovinës etj në NATO, mosanëtarësimin e Maqedonisë, si dhe përzgjedhjen e stafit që do të punojë në NATO, duke thënë se “anëtarësimi i dy vendeve tona është një ogur shumë i mbarë për Bosnjën, Kosovën, Malin e Zi dhe për të gjithë rajonin. Ne do të jemi avokatët më të mirë të tyre, sikundër do të japim çdo ndihmë të mundshme që procesi i integrimit të tyre drejt NATO-s të ecë me hapat e merituara. Për sa i përket problemit të emrit dhe diskutimit që ekziston midis dy vendeve, Maqedonisë dhe Greqisë, ne shpresojmë që ky problem të zgjidhet në interesin më të mirë të të dy vendeve dhe të mbarë rajonit. Maqedonia e ka vendin të sigurt në NATO. Shqipëria ka një mision të shkëlqyer në Bruksel, që ka bërë një punë të jashtëzakonshme dhe për të cilën, dua të falënderoj publikisht. Natyrisht, kalimi i Shqipërisë si vend anëtar kërkon që përfaqësitë e tyre të plotësohen me të gjithë ekspertët e funksionarët zyrtarë, si dhe me të gjithë teknologjinë më të fundit që meriton kjo anëtarësi. Shqipëria nuk do të kursejë asgjë për t i dhënë mbështetjen përfaqësisë së saj këtu, që të përmbushë të gjitha detyrimet që rrjedhin nga përfaqësimi i Shqipërisë si anëtare e plotë në NATO”, - përfundoi Berisha.

PR, Mediu

“Pas NATO-s, zgjedhje të lira dhe me standarde”
Kryetari i Partisë Republikane, Fatmir Mediu, gjatë një takimi me anëtarë të Partisë Republikane në qytetin e Pogradecit, u shpreh se tashmë qëllimi ynë kryesor është që të kemi zgjedhje të lira me standarde të larta dhe të vlerësuara nga ndërkombëtarët. Mediu, i shoqëruar edhe nga anëtarë të Kryesisë së kësaj partie, gjatë këtij takimi analizoi punën e mazhorancës dhe progresin e arritur në fusha të ndryshme, si në ekonomi, infrastrukturë dhe anëtarësimin e Shqipërisë me të drejta të plota në NATO. Mediu tha se “qëllim kryesor tashmë ne duhet të kemi arritjen e standardeve të larta dhe të vlerësuara nga ndërkombëtarët për zgjedhjet e ardhshme parlamentare. Këto zgjedhje duhet të jenë të lira dhe transparente. Ne jemi të sigurt se shqiptarët do të na japin besimin e tyre dhe për një mandat të dytë. Nuk ka emocion më të madh për çdo shqiptar kur dëgjon Presidentin amerikan, Barak OBAMA, të thotë se jemi krenarë për shqiptarët dhe qeverinë e tyre”, - tha kryerepublikani. Në vijim të fjalës ai theksoi se forca që ai drejton ka në themel të programit Pronën, që në themelimin e saj PR ka qenë dhe vazhdon të jetë për kompensimin e ish-pronarëve. “Ne do të mbrojmë përherë shtresën e pronarëve. Partia Republikane ka qenë dhe do të vazhdojë të jetë e ndjeshme ndaj kërkesave të ish-pronarëve”,- tha Mediu. Në këtë takim u prezantuan kandidatët për deputetë të qarkut të Korçës. Ndër kandidatët e propozuar ishte dhe Myrvete Pazaj, anëtare e Kryesisë së PR-së, kryetare e Degës së Tiranës.
Ky lajm është publikuar: 08/04/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›