“Albpetrol” merr borxh, ARMO e Rezart Taçit ka muaj pa paguar
Kompania “Albpetrol” ka marrë një kredi të tipit overdraft në një bankë të nivelit të dytë në Fier, pasi pronari i ri i kompanisë ARMO, Rezart Taçi, nuk i ka likuiduar “Albpetrol”-it lekët për naftën e marrë prej tij që nga nëntori i vitit të kaluar. “Albpetrol” ka marrë një kredi të tipit overdraft prej 150 milionë lekësh”, - i konfirmoi gazetës drejtoresha e një banke në Fier, e cila kërkon që të mos citohet emri i bankës, për shkak të konsekuencave që mund të ketë. Drejtues të kompanisë “Albpetrol” i thanë gazetës “TemA” se kompania e tyre ka dy muaj pa paguar rrogat e punëtorëve dhe në kompani është krijuar një gjendje e rëndë financiare për shkak të detyrimeve të krijuara nga pronarët e rinj të kompanisë ARMO. Rezart Taçi, administratori i ri i ARMO-s, nuk i ka paguar ata prej disa muajsh, ndërkohë që naftën e marrë nga “Albpetrol” e ka futur në tregun shqiptar dhe po përpiqet të shlyejë me to detyrimet ndaj Bankës Credins, e cila ka paguar në emër të tij 77 milionë euro për blerjen e ARMO-s.
Ndërkohë, i njëjti kontraktor nuk ka paguar dhe nuk po i paguan ende paratë e naftës që merr, por as punonjësit e as nënkontraktorët. “Albpetrol” është kthyer nga një ndërmarrje që ishte burim të ardhurash në një ndërmarrje që nuk paguan dot punëtorët. Kredia është marrë në Fier, aty ku ndodhet edhe numri më i madh i punonjësve. Taçi ka muaj që nuk paguan asnjë detyrim për naftën që merr.
Siç dihet, Banka Credins u bë garante e pagesës për blerjen e ARMO-s në shumën 77 milionë euro pa e futur pronarët e rinj të “Taçi Oil” në procedurë kredie ose huaje. Banka “garantoi” pagesën 77 milionë euro, çka përbën një thyerje të rregullores së Bankës së Shqipërisë, pasi ka tejkaluar shumën dhjetë për qind të kapitalit të saj që lejohet të bëjë transferta. Guvernatori Fullani ka pranuar shkeljen me miratim politik, ndërsa drejtori i Credins, Artan Santo, tashmë gjendet nën presion për të mbushur çekun fals që pagoi për Rezart Taçin.
Situata ka krijuar panik te klientët e Bankës Credins dhe tashmë operatorët më të rëndësishëm të saj janë klientë të buxhetit të shtetit që kanë transferuar aty paratë me urdhër të qeverisë për të shpëtuar bankën nga falimenti.
Siç dihet, në këtë bankë është transferuar fondi prej 300 milionë eurosh për shërbimet shëndetësore që administrohet nga Elvana Hana, familja e së cilës është 40 për qind pronare e kompanisë Credins, dhe shumë dikastere përfshi dhe Agjencinë e Legalizimeve kanë transferuar aty buxhetin e tyre për të siguruar mbijetesën e bankës që pagoi Rezart Taçin për të blerë ARMO-n, pa pasur asnjë lek në llogari bankare.
Prokuroria pritet të nisë hetimet, në të cilat duhet të përfshihen ministri i Ekonomisë, Genc Ruli, Guvernatori, Adrian Fullani, drejtori i Credins, Artan Santo, dhe persona të tjerë. Ky është një nga skandalet më të mëdha financiare në vend, por prokuroria po tregon kujdes në hapjen e çështjes për shkak të situatës delikate në tregun bankar dhe frikën se banka Credins mund të falimentojë, nëse nis procedura e hetimit.
Si është pushtuar ARMO prej Rezart Taçit
Ky është një shkrim i botuar në media më 7 dhjetor 2008, pikërisht në kohën kur grupi i Rezart Taçit hyri me forcë në ambientet e ARMO-s në Ballsh duke emëruar një drejtor të ri dhe duke tentuar të nxjerrë pa faturë dhe me forcë një tren të mbushur me karburant. Ende nuk është dhënë asnjë shpjegim për këtë ngjarje të rëndë, ku policia u përplas me grupin e Taçit. Pikërisht në këtë shkrim publik, atëherë punëtorët kanë deklaruar në media që vetëm Ballshi pa uzinën e Fierit (tjetër pasuri), ka rreth 60 milionë euro mall. Ky është skandali më i madh që Genc Ruli, i kapur nga Taçi, nuk bëri publik asnjëherë inventarin e kompanisë duke i falur Taçit ARMO-n, pasurinë publike të shqiptarëve
FIER - Mbi 500 punëtorë, të cilët punojnë aktualisht në Kombinatin e Përpunimit të Thellë të Naftës, Ballsh, protestuan dje paradite pranë hyrjes së këtij Kombinati. Edhe pse ky i fundit është privatizuar një muaj më parë, kjo nuk i ka penguar punonjësit që të dalin në protestë, e cila ishte më e madhja e gjithë protestave që kanë bërë këta punonjës gjatë kohës që shumë prej tyre kanë dalë në asistencë, muaj më parë. Protesta zgjati rreth 2 orë dhe më pas punonjësit u shpërndanë, ndërkohë që shumë prej tyre janë larguar në vendet e punës. Mësohet se Kombinati i Naftës aktualisht ndodhet prej një muaji në remont. Protestuesit e shumtë, të mbledhur para hyrjes kryesore të Kombinatit, bllokuan edhe rrugën kryesore, për të mos lejuar asnjë mjet që të futej në ambientet e brendshme.
Nga ky tubim, protestuesit i dërguan një letër me tetë pika kryeministrit shqiptar, e cila u lexua para tyre. Ata i bënin të ditur kryeministrit se në Kombinat janë 60 milionë euro mall, e cila është një pasuri e popullit shqiptar dhe po vidhet nga kompania që e ka privatizuar shoqërinë ARMO. Këtë fakt ata e ilustrojnë me bllokimin që i është bërë një treni me 6 cisterna nga policia e objekteve, duke tentuar të dalë nga uzina. Lidhur me këtë fakt, drejtuesit e kësaj policie, me kontratë të marrë nga Policia e Shtetit, konfirmojnë se, mesnatën e kaluar, nuk është lejuar të kalojë një tren me një sasi prej 360 tonësh karburant naftë. Sipas tyre, shoqëruesit (Taçi) të këtij treni i është kërkuar nga policia e objekteve fatura ku janë xhiruar paratë në bankë për pagimin e kësaj sasie karburanti, siç është vepruar zakonisht në këto raste, sipas policisë, por nuk ka pasur asnjë dokument ose mandat arkëtimi të lëshuar nga banka. Në këto kushte, policia nuk e ka lejuar të kalojë dhe për këtë ka vendosur edhe bllokimin e lëvizjes së trenit në destinacion, duke e ruajtur me policë deri në zgjidhjen e këtij problemi.
7 dhjetor 2008