Ja si ecën integrimi para! Berisha: Dua të dukem sikur po marr diçka e të bëj një foto

Arritje e madhe per Shqiperine
Para dy vitesh, kryeministri Sali Berisha u shfaq krenar për mediat shqiptare, duke thënë se kishte marrë pakon e ligjeve të BE… në gjuhën kroate. Se për çfarë i duheshin ligjet në kroatisht, nuk dihet. Por diplomatët kroatë thonë se Berisha thjesht donte të dilte në foto e të dukej se po merrte diçka
Pasi kishte dorëzuar aplikimin e Shqipërisë për marrjen e statusit të vendit kandidat, Sali Berisha kishte nevojë të dëshpërueshme për të treguar se po e çon përpara integrimin. Në fakt që prej atëherë integrimi ka ndaluar. Por Berisha u shfaq përpara dy viteve në një samit në Kroaci duke marrë një disk ku ishin ligjet e Bashkimit Europian, në gjuhën kroate. Se përse duhej ky disk, nuk dihet. Atëherë Berisha foli shumë për këtë veprim qesharak. Gazetari kosovar Augustin Palokaj, që mbulon çështjet e Brukselit prej shumë kohësh, e zbardh këtë histori të turpshme. Ai thotë se në fakt Berisha thjesht e donte atë disk për të bërë një foto. Kroatishtja nuk i hyn kujt në punë në Shqipëri dhe mbi të gjitha… Berisha mori diskun e Tadiçit, që nuk mori pjesë në ceremoni.
Ja çfarë shkruan Palokaj:
Para dy vjetësh, në Bërdo afër Kranjit, në samitin e vendeve të Ballkanit, Qeveria e Kroacisë kishte vendosur t’ua falte vendeve të tjera të rajonit pakon e përkthyer në gjuhën kroate të ligjeve të BE-së (acquise cuminitaire), një pako me më shumë se 100.000 faqe që i kushtoi afro 10 milionë euro për t’u përkthyer. Kjo ishte parë si një gjest ndihme vendeve të tjera të rajonit që ti kuptonin më mirë dhe ti përkthenin më lehtë për vete të njëjtat ligje. Kur dorëzimi i CD-ve u bë në mënyrë solemne, para kamerave, në radhë ishte edhe kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha, duke i marrë përkthimet në kroatisht. Çfarë i duhen Shqipërisë përkthimet kroatisht? – pyesnin gazetarët kroatë. Për Kosovën ishte e qartë, sepse në Kosovë gjuha serbe është gjuhë zyrtare formalisht e barabartë me shqipen. Po ashtu në Kosovë mund të ketë shumë nëpunës që e kuptojnë kroatishten. Por pse për Shqipërinë, çfarë i duhej asaj? Përgjigjja ishte e thjeshtë nga diplomatët kroatë: Kur i thamë Berishës se do të ketë një ceremoni pranim-dorëzimi, ai tha se dëshiron të jetë edhe ai i pranishëm, të shihet duke marrë diçka dhe duke u fotografuar. Madje, Berisha kishte fat, sepse kroatët kishin përgatitur vetëm 5 kopje (për Maqedoninë, Kosovën, Malin e Zi, Serbinë dhe Bosnjë-Hercegovinën). Fati i Berishës ishte se Serbia kishte bojkotuar samitin e Bërdos dhe Berishës i ishte dhënë kopja dedikuar presidentit të Serbisë, Boris Tadiq. Sidoqoftë, Berisha mori edhe një foto për koleksionin e tij, edhe pse nuk dihet a i ka hyrë në punë dikujt apo jo pakoja e përkthimeve në kroatishte të ligjeve evropiane.