Ja si krijohet recesioni ekonomik
Udhëheqësit politikë evropianë mund të jenë të gatshëm për të miratuar një plan fiskal, i cili nëse zbatohet,mund ta çojë Europën në një depresion akoma më të madh. Për të kuptuar pse, është e dobishme të krahasojmë se si reaguan vendet europiane ndaj rënies së kërkesës para dhe pasi ata adoptuan euron.
Mendoni, për shembull, se si do të kishte reaguar Franca në vitin 1990, ndaj një rënieje të konsiderueshme të kërkesës për eksportet e saj. Në qoftë se nuk do të kishte pasur një kundërpërgjigje të qeverisë, prodhimi dhe punësimi do të kishin rënë. Për të parandaluar këtë, “Banque de France” (Banka Franceze) do të kishte ulur normat e interesit. Përveç kësaj, rënia e të ardhurave do të kishte ulur automatikisht të ardhurat tatimore dhe do të kishte rritur pagesat e ndryshme të transfertave. Qeveria mund t’i kishte mbështetur këto "stabilizues automatikë" me shpenzime të reja ose duke ulur normat e taksave.
Përveç kësaj, rënia e kërkesës për eksporte do të kishte shkaktuar automatikisht rënien e vlerës së frangës në krahasim me valutat e tjera dhe norma interesi më të ulëta duke shkaktuar një rënie të mëtejshme. Kombinimi i ndryshimit monetar fiskal dhe i ndryshimit të normës së shkëmbimit do të stimulonte prodhimin dhe punësimin, duke parandaluar një rritje të ndjeshme të papunësisë.
Por, kur Franca adoptoi euron, dy prej këtyre burimeve për të reaguar u mbyllën. Franga nuk mund të shënonte më rënie në krahasim me valutat e tjera të eurozonës. Norma e interesit në Francë - dhe në të gjitha vendet e tjera të eurozonës - tani përcaktohet nga Banka Qendrore Europiane, bazuar në kushtet e kërkesës brenda bashkimit monetar si një i tërë. Pra, e vetmja politikë kundërciklike në dispozicion të Francës është ajo fiskale: më pak të ardhura nga taksat dhe më shumë shpenzime.
Ndërkohë që ky lloj reagimi nënkupton një deficit të lartë buxhetor, stabilizuesit automatikë fiskalë janë veçanërisht të rëndësishme tani që vendet e eurozonës nuk mund të përdorin politikat monetare për të stabilizuar kërkesën. Mungesa e mjeteve monetare, së bashku me mungesën e rregullatorëve të kursit të këmbimit, mund të justifikojnë lirinë e disa uljeve ciklike të taksave dhe rritjen e shpenzimeve.
Për fat të keq, disa vende të eurozonës lanë që deficiti fiskale të rritej edhe në kohë të mira, e jo vetëm kur kërkesa ishte e dobët. Me fjalë të tjera, borxhi kombëtar i këtyre vendeve u rrit për shkak deficitit buxhetor të "strukturuar", si dhe "ciklik". Deficitet strukturore të buxhetit u lehtësuan gjatë dekadës së kaluar nga mungesa e normave të interesit të eurozonës dhe mungesa e përgjegjësisë për dallimet në politikat fiskale kombëtare dhe për nivelet e borxhit. Për shkak se tregjet financiare dështuan të dallojnë ndryshimet në rrezik në disa vende të eurozonës, normat e interesit për bonot sovrane nuk e pasqyruan huamarrjen e tepruar. Monedha e përbashkët gjithashtu bëri që kursi i këmbimit të mos sinjalizojë shenjat e shthurjes fiskale.
Rrëfimi i Greqisë në vitin 2010, se kishte nënvlerësuar ndjeshëm deficitin fiskal ishte një thirrje zgjimi për tregjet financiare, duke shkaktuar një rritje të ndjeshme të normave të interesit të borxhit sovran në vende të ndryshme të eurozonës.
Samiti i Bashkimit Europian në Bruksel në fillim të dhjetorit kishte si qëllim parandalimin e akumulimit të borxheve të tilla në të ardhmen. Kryetarët e qeverive të shteteve anëtare ranë dakord në parim për të kufizuar deficitin e ardhshëm fiskal, duke kërkuar ndryshime kushtetuese në vendet e tyre, ndryshime të cilat do të siguronin një buxhet të balancuar. Ata ranë dakord, veçanërisht, për të mbajtur deficitet "strukturore” të buxhetit vjetore në nivelin 0.5% të PBB-së, duke u vendosur gjoba vendeve të cilat tejkalonin deficitin fiskal total mbi 3% të PBB-së - një limit që do të përfshinte si deficitet strukturore ashtu edhe ato ciklike dhe do të kufizonte në mënyrë efektive deficitet ciklike në nivelin 3% të PBB-së.
Negociatorët janë duke punuar tani mbi detajet e një takimi të liderëve të qeverive të BE-së, që pritet të mbahet në fund të janarit, nga ku mendohet të dalin rregulla të reja për t’u miratuar nga shtetet anëtare. Një pjesë e rëndësishme e marrëveshjes mbi deficitet në muajin dhjetor, ishte se shtetet anëtare mund të lejojnë që deficitet ciklike të tejkalojnë 0.5% të PBB-së - një mjet i rëndësishëm ky, për kompensimin e rënies së kërkesë. Por është e paqartë nëse dënimet për vendet që kanë një deficit të përgjithshëm që tejkalon 3% të PBB-së do të jenë mjaftueshëm të “dhimbshme” për ta sa të sakrifikojnë një stimulues fiskal kundërciklik më të madh.
Zhvillimin i fundit më i “frikshëm” është një ankesë formale e Bankës Qendrore Europiane, ku thotë se rregullat e propozuara nuk janë mjaftueshëm të rënda. Jorg Asmussen, një anëtar kyç i Bordit Ekzekutiv të BQE-së, i shkroi negociatorëve, se vendet duhet të lejohen të tejkalojnë kufirin 0,5 % të PBB-së për deficite, vetëm në kohën e "katastrofave natyrore dhe situatave të rënda emergjente" jashtë kontrollit të qeverive.
Nëse do të ishte miratuar një rregull i tillë, do të ishin eliminuar rregullatorët fiskalë ciklikë automatikë, gjë e cila mund të kishte çuar në rënien e kurbës së kërkesës dhe në një depresion të rëndë. Nëse, për shembull, kushtet në pjesën tjetër të botës do të shkaktonin një rënie të kërkesës për eksportet franceze, prodhimi dhe punësimi në Francë do të binte. Kjo do të zvogëlonte të ardhurat nga taksat dhe do të rriste pagesat e transfertave, duke e çuar lehtësisht deficitin fiskal mbi 0,5% të PBB-së.
Nëse Franca do të hiqte deficitin ciklik, asaj do t’i duhej të rriste taksat dhe të shkurtonte shpenzimet. Kjo do të zvogëlonte kërkesën duke shkaktuar një rënie të mëtejshme të të ardhurave dhe një rritje të mëtejshme të transfertave – në këtë mënyrë do të shkaktohej një deficit më i madh fiskal dhe do të duhej një forcim më i madh fiskal. Nuk është e qartë se çfarë do të duhej për ti dhënë fund rënies së forcimit fiskal.
Nëse zbatohet ky propozim mund të shkaktojë një nivel shumë të lartë të papunësisë dhe të çojë në një rrugë për kthim - me pak fjalë, në një depresion. Në praktikë, politikat (apo paktet) mund të shkelen, ashtu siç u braktis Pakti i vjetër i Rritjes dhe Stabilitetit, kur Franca dhe Gjermania sfiduan rregullat e tij dhe u përballur me penalitete.
Është e rëndësishme të përqendrohemi në dallimin mes deficiteve ciklike dhe atyre strukturore. Banka Qendrore Europiane duhet të jetë arbitri i dallimit mes dy deficiteve, duke botuar vlerësimet e deficiteve ciklike dhe atyre strukturore. Kjo analizë duhet të tregojë gjithashtu dallimin midis deficitit reale (i adaptuar sipas inflacionit) dhe rritjes së deficitit nominal që do të shkaktohej në qoftë se inflacioni i lartë do të rriste kostot e huamarrjes sovrane.
Italia, Spanja, dhe Franca kanë deficite që tejkalojnë 3% të PBB-së. Por këto nuk janë deficite strukturore. Tregjet financiare do të jenë më të mirë informuara dhe të siguruara nëse Banka Qendrore Evropiane do të tregonte madhësinë e deficiteve të vërteta strukturore dhe nëse tregonte se ata tani janë në rënie. Për investitorët kjo do të luante një rol thelbësor në aftësinë e tyre të pagesës fiskale.
Martin Feldstein, Profesor i Ekonomisë në Harvard, ish Kryetar i Këshillit të Presidentit Ronald Reagan i Këshilltarëve Ekonomikë dhe ish-President i Zyrës Kombëtare për Kërkime Ekonomike