E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Emri dhe statuja e Skënderbeut i bën nder çdo qyteti europian”

18-01-2012 / Gazeta 55

Kryebashkiaku Lulzim Basha, vizitë në Maqedoni

“Autostrada Tiranë-Elbasan, një lehtësi më shumë për bashkëpunimin Tiranë-Shkup”

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha, mori pjesë si i ftuar nderi në ceremoninë e vendosjes së gurit të themelit, në nisjen e punimeve për sheshin “Skënderbej” në Shkup. Me nisjen e punimeve për sheshin “Skënderbej” nisën kremtimet edhe për 100 - vjetorin e Pavarësisë.
Në ceremoninë e organizuar në 544 vjetorin e vdekjes së heroit kombëtar, ishte i pranishëm Kryetari i Komunës së Çairit, Izet Mexhiti, Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti, zëvendëskryeministri Musa Xhaferri, njëkohësisht Kryetar i Këshillit Organizativ për kremtimet e 100-vjetorit, anëtarë të kabinetit qeveritar e qytetarë të shumtë.
Pas vendosjes se gur themelit, të pranishmit vendosën kurora me lule pranë monumentit të Skënderbeut.
Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha, u shpreh se emri i Skënderbeut, statuja e Skënderbeut, i bën nder çdo qyteti europian.
Sipas Bashës, Gjergj Kastriot Skënderbeu i ka bashkuar shqiptarët kurdoherë, si një nga gjeneralët më të mëdhenj të Europës, strateg i luftës mbrojtëse.
Skënderbeu, sipas Bashës, mbajti gjallë shpresat e shqiptarëve dhe u kthye në një simbol të Rilindjes Kombëtare dhe sot është simbol i bashkimit të shqiptarëve, kudo ku jetojnë.
Skënderbeu, tha Basha, “simbol i bashkimit, i lirisë, i vëllazërisë, i atdhedashurisë, por është po kështu një simbol i fuqishëm i europianizimit të kombit shqiptar, i europianizimit për të cilin, ky prijës u shpall ‘atlet i Europës’, shumë më herët se sa ajo të konceptualizohej si një entitet politik, drejt të cilit jemi të orientuar të gjithë ne shqiptarët, pavarësisht se ku jetojmë”.
Sipas Bashës, projekti europian është edhe përgjigjja përfundimtare e aspiratave tona kombëtare.
Kreu i BDI-së, Ali Ahmetit, tha se, “Flamuri dhe Skënderbeu janë dy emblema që na kanë mbajtur shpirtin gjallë për 544 vjet. Prezenca e Kryetarit të Bashkisë së Tiranës është një nderim,  jo vetëm njerëzit prezent këtu, por të gjithë shqiptarët e Maqedonisë”.
Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha, gjatë qëndrimit në Shkup u takua me zëvendëskryeministrin Musa Xhaferri, përgjegjës për implementimin e marrëveshjes së Ohrit, njëkohësisht Kryetar i Këshillit Organizativ, për kremtimet e 100-vjetorit. Basha dhe Xhaferri ishin në një mendje për forcimin e rolit të pushtetit vendor në këtë 100-vjetor të Pavarësisë.
Kryebashkiaku Basha u prit në një takim të veçante edhe nga Kryetari i qytetit të Shkupit, Koçe Trajanoski. Të dy homologët ranë dakort për të vendosur një bashkëpunim mes Shkupit e Tiranës si dhe intensifikuar bashkëpunimin mes dy administratave.
Basha u shpreh se “bashkëpunimi do lehtësohet nga ndërtimi i autostradës Tiranë-Elbasan e cila do të shkurtojë distancën mes Shkupit dhe Tiranës”.
Nga ana e tij kreu i Bashkisë së Shkupit Trajanovski tha se “duhet vënë në eficencë Protokolli i Bashkëpunimit i nënshkruar në në vitin 2000”.
Ky protokoll është nënshkruar nga ish kryetari i Bashkisë Albert Brojka dhe që prej atëherë nuk ka pasur asnjë marrëdhënie mes bashkive.
Gjatë vizitës së tij në Shkup kryebashkiaku i Tiranës Lulzim Basha u takua edhe me kryetarin e Partisë Demokratike Shqiptare në opozitë, Menduh Thaçi.
Në këtë takim ata kanë biseduar për zhvillimet aktuale në Shqipëri dhe Maqedoni. Temë e pashmangshme e takimit ka qenë edhe kontributi në shënimin e 100 vjetorit të shtetit shqiptar.
“Çmoj rolin konstruktiv të opozitës së drejtuar nga Menduh Thaçi, rol i cili konvergon me interesin kombëtar, konvergon nga interesi rajonal për integrim europian dhe euro-atlantik dhe veçanërisht në pozitën time si Kryetar i Bashkisë, njësisë më të madhe vendore të shqiptarëve në Ballkan, pata kënaqësinë të ndaj mendime me një parti politike, liderin e një partie politike, që ka një peshë të veçantë në organet e vetë-administrimit vendor në Maqedoni dhe në këtë 100-vjetor të shtetit shqiptar, interesat tona për një konsolidim të bashkëpunimit ekzistues dhe hapjen e fushave të reja të bashkëpunimit midis gjithë komunave dhe bashkive shqiptare në rajon do të përkthehet në aktivitete e angazhime konkrete, jo vetëm të lidershipit, por të të gjithë faktorëve politikë të shoqërisë civile, ekonomikë, në mënyrë që roli i pushtetit vendor në këtë 100-vjetor të jetë determinant, përcaktues, sa i përket një fryme të re, një përqasje dhe vizioni të ri, për rolin që ne duhet të luajmë, si organet më afër qytetarëve, në përcjelljen e zërit të qytetarit në pushtetin lokal, pse jo edhe në pushtetin qendror dhe në jetësimin e aspiratave të qytetarëve, që nga ato më të thjeshtat që kanë të bëjnë me cilësinë e jetës, deri tek ato më të rëndësishmet që kanë të bëjnë me aspiratat euro-atlantike dhe natyrisht me aspiratat kombëtare të shqiptarëve kudo që jetojnë”, u shpreh Basha.
Kryetari i Partisë Demokratike Shqiptare, Thaçi gjatë fjalës ë tij, e konsideroi  Kryetarin e Bashkisë së Tiranës, si një figurë e rëndësishme në skenën politike shqiptare.
Ai tha se, “Shqipëria është jashtëzakonisht e interesuar, që i gjithë rajoni të ecë përpara drejt proceseve integruese. Nga ana tjetër, unë ritheksova brengën e Partisë Demokratike Shqiptare, për shkak të bllokimit të procesit integrues, mospasjes së asnjë sinjali, (mos ta quaj shpresës), se ky proces do të zhbllokohet, vështirësitë në të cilat hasin shqiptarët kohët e fundit, si në aspektin e të drejtave kombëtare, ashtu edhe në aspektin e një varfërie e cila dita-ditës u kanoset. Bashkinë apo komunën më të madhe të shqiptarëve, e drejton figura e Partisë Demokratike Shqiptare dhe një kombinim i përvojës që ka Lulzim Basha me drejtuesin e komunës së Tetovës do të realizohet shumë shpejt dhe mendoj se do të na ndihmojë të gjithëve. Është e vështirë, që në këto momente të jepen premtime apo parashikime pozitive për të ardhmen e Maqedonisë, deri në momentin që qeveria nuk jep sinjale serioze, se është e gatshme të zhbllokojë procesin integrues, gjë të cilën, pa kurrfarë kërkese apo kompromisi do ta mbështesë partia jonë”.
Thaçi dhe Basha kanë diskutuar edhe mundësitë për bashkëpunim mes bashkisë së Tiranës që udhëhiqet nga një kuadër i Partisë Demokratike dhe komunës së Tetovës si komunë më e madhe shqiptare në Maqedoni, që drejtohet nga një kuadër i Partisë Demokratike Shqiptare.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›