Ja si mund të luajë Shqipëria sot në sfidën me Norvegjinë
Pavarësisht gjendjes gripale të Çanit, trajneri Xhani De Biazi mund të luajë me dy sulmues. Mbetet për t'u parë se si do të jetë gjendja Edgar Çanit sot, për të vendosur më pas se cili mund të jetë partneri i Sadikut, ku edhe Bogdani është i gatshëm. Në mbrojtje tashmë është marrë vendimi si duket. Në krah të djathtë do të luajë Dallku si gjithmonë, në të majtin është gati Agolli, ndërsa si alternativa janë Hysaj dhe Arapi. Në qendër të mbrojtjes do të jetë Mavraj i sigurt, ndërsa vendin e Canës pritet ta zërë një mes Telit dhe Osmanit, por alternativë është edhe Ilir Berisha. Dilemat më të mëdha duket se do të jenë në repartin e mesfushës, pasi edhe lojtarët e grumbulluar në këtë repart janë të shumtë në numër, si asnjëherë tjetër. Të favorizuar shihen Bulku, Basha dhe Rama, por kjo nuk do të thotë se janë të padiskutueshëm, sidomos ky i fundit. Bulku dhe Basha pritet të jenë në qendër të mesfushës, Rama nga krahu i majtë, ndërsa Gjasula nga krahu i djathtë. Por nëse skema ndërrohet gjatë lojës dhe luhet me një sulmues, atëherë Kaçe mund të jetë aty, por një vend mund t'i rezervohet edhe Llullakut. Parashikimi deri dje të paktën është ky: në portë luan Berisha; në mbrojtje Dallku, Osmani, Mavraj, Agolli; në mesfushë Bulku, Basha, Rama dhe Gjasula; në sulm Çani dhe Salihi. Ndërsa lojtarët që priten të hyjnë në fushë si zëvendësues janë Bogdani, Hysaj dhe Kaçe. Gjithsesi, këtë më mirë se kushdo tjetër e di trajneri De Biazi, i cili asnjëherë nuk ka futur një formacion të njëjtë nga ndeshja në ndeshje, në të gjithat që ai ka drejtuar deri tani, qofshin këta edhe takime miqësore. Më saktë vetëm përpara ndeshjes do të mësojmë formacionin titullar dhe më pas zëvendësimet.
(a.k/E.Ilnica/BalkanWeb)
(a.k/E.Ilnica/BalkanWeb)