E Shtunë, 31 Tetor 2026

E njihnim për njeri të mirë

“Na është dukur njeri i mirë dhe korrekt. Kishte shumë pacientë që vizitoheshin dhe mjekoheshin tek ai. Nuk kemi dëgjuar të ankohet ndokush prej tyre. Por neve nuk na lidhte direkt puna me mjekun, prandaj e njohim vetëm nga jashtë”. Kështu janë shprehur dje për “Korrierin” punonjës të një spitali privat, i cili ndodhet ngjitur me klinikën e mjekut Agim Karaj. Teksa merr të përpjetën për t’u ngjitur në Qytetin Studenti, në rrugën “Budi” në kryeqytet, pak para se të mbërrish tek postblloku i vendosur nga policia, në të majtë të rrugës, sytë të zënë një tabelë të madhe të ndriçuar. “Shtëpia Ryder (Hospice)” është reklama e një spitali privat që financohet nga një shoqatë e huaj. Ngjitur me godinën e spitalit ndodhet një tjetër ndërtesë trekatëshe. Është godina ku ushtronte aktivitetin e tij privat mjeku Agim Karaj, i cili u arrestua dy ditë më parë nga policia me akuzën e mitmarrjes. Dera e blinduar në katin e parë është e mbyllur dhe askund nuk shikon ndonjë tabelë apo njoftim për klinikën private. Por sapo pyet aty pranë, banorët e lagjes të thonë se godina ngjitur me spitalin është klinika e mjekut onkolog. Mesa duket, Karaj nuk ka pasur nevojë për reklamë në aktivitetin e tij, megjithëse ka qenë i pranishëm pothuajse çdo ditë në klinikën private. “Mjeku zakonisht vjen pasdite, sepse atëherë vijnë edhe klientët”, thotë një grua e moshuar që gjejmë aty afër, e cila duket se nuk i ka parë lajmet e ditës dhe nuk e di se mjeku nuk do të vijë këtë pasdite. Ndërkaq, punonjësit e spitalit të huaj fillimisht hezitojnë të flasin për mjekun, pasi nuk kanë pasur lidhje direke me të “Aktiviteti i spitalit nuk ka asnjë lidhje me atë të klinikës private, kështu që ne nuk e njohim shumë mirë atë”, shprehen ata. Gjithsesi, prej tyre arrijmë të mësojmë se në klinikë zakonisht ka punuar edhe një mjeke tjetër, si dhe dy infermiere. Më së shumti aty kryhen vizita apo mjekime të pacientëve të ndryshëm, të cilët duket se drejtohen tek mjeku Karaj, për shkak të emrit të tij, apo edhe pozicionit që kishte ai në spitalin onkologjik. Burime konfidenciale nga policia konfirmuan se kishin dijeni për ekzistencën e klinikës private të doktor Agim Karaj dhe se kishin vënë në dijeni edhe grupin hetimor. Pritet që hetimet të shtrihen edhe në drejtim të mënyrës sesi funksiononte ky aktivitet dhe si siguroheshin pacientët që kuroheshin aty, pasi dyshohet se ata merreshin nga spitali ku ishte shef Karaj. Gjithsesi, dje punonjës të spitalit privat që ndodhej ngjitur me klinikën, thanë se nuk kishin parë asnjë punonjës policie apo zyrtar tjetër që të futej në ndërtesën e klinikës, dera e së cilës për pjesën më të madhe të ditës kishte qenë e mbyllur.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›