E Diel, 1 Nëntor 2026

Ja si tërhiqen nga bankat, Bonot e ish të përndjekurve

Procedurat dhe afatet për procesin e rishpërndarjes së bonove dhe letrave me vlerë


Ish të përndjekurit që kanë investuar rreth  64 miliardë lekë bono privatizimi mund ti tërheqin ato pranë bankave të nivelit të dytë. Për rimarrjen e bonove ish-të përndjekurit duhet të paraqitën në sportelin e bankës me certifikatën e depozitës dhe një dokument identifikimi. Burime nga Ministria e Financave bëjnë të ditur pasi ka hyrë në fuqi urdhri për rishpërndarjen e bonove përfituesit duhet të paraqiten pranë ish-banës së kursimeve ku janë depozituar

edhe përqindja më e madhe e bonove të investuara gjatë privatizimit të kompanisë Anglo-Adriatika. Ndërkohë me nisjen e rishpërndarjes së bonove nga ministria e Financave vlerë e tyre ka pësuar një rënie nga 10- 12 për qind. Procedura do të zgjasë 6 muaj, deri në fund të shtatorit të këtij viti. Rialokimi do të kryhet nga bankat e nivelit të dytë. Burime zyrtarë nga Ministria e Financave bënë të ditur dje se rishpërndarja e bonove të privatizimit dhe e letrave me vlerë të të përndjekurve të investuara në fondet e investuara të krijuara në përputhje me ligjin për fondet e investimeve. Ndërkohë që bonot që do të mbeten pa u shpërndarë do të asgjësohen nga Ministria e Financave në bazë të një akti normativ, i cili pritet të hartohet menjëherë pas skadimit të afateve për rishpërndarjen e tyre.


Urdhri
Urdhri që po zbatohet nga Ministria e Financave parashikon që çdo individ i interesuar duhet të tërheqë bonot e investuara sipas legjislacionit në fuqi pranë bankës përkatëse. Autoriteti i përgjegjës për përcaktimin e dokumenteve identifikuese dhe dokumentacionit të nevojshëm, është vetë banka. Kthimi i bonove do të bëhet në vlerën e investuar. Bankat depozitare duhet të paraqesin raportin me shkrim pranë Ministrisë së Financave në lidhje me sasinë e rishpërndarë të bonove si dhe sasia e mbetur pa shpërndarë, Procedurat e asgjësimit të bonove të mbetura do të rregullohet me një akt të veçantë në përputhje me legjislacionin e fushës. Në rast se individi që ka investuar fondin e investimit rezulton i vdekur kthimi i bonove të depozituara do të bëhet në përputhje me Kodin civil që rregullojnë trashëgiminë. Rreth 64 miliardë lekë bono privatizimi të cilat qëndrojnë të ngrira, do të kthehen në duart e investitorëve. Këto para i përkasin fondit Anglo-Adriatika, që u mblodhi letrat me vlerë shqiptarëve në vitet '95-97. Me ligjin e ri, që ka kaluar në Komisionin e Ekonomisë në Kuvend pritet të marrin jetë këto letra me vlerë. Njëkohësisht me miratimin e projektligjit të vlerësimit të letrave me vlerë të ish-të përndjekurve politikë, rreth 12.5 miliardë lekë letra me vlerë pritet të gjallërohen. Ekziston një projekt i vjetër i cili pretendonte të vlerësonte bonot e privatizimit në masën e 20-përqindëshit të vlerës së tyre, të cilat do të konvertoheshin në aksionet tek kompaninë publike, të privatizuar tashmë. Po t'i referohemi ligjit, rezulton se në nenin 12, ligji 8306 dt. 14.03.1998 Për strategjinë e privatizimit të sektorëve me rëndësi të veçantë, caktohet se pjesëmarrja e letrave me vlerë për privatizim, në privatizimin e ndërmarrjeve dhe shoqërive të sektorëve me rëndësi të veçantë, përcaktohen në formulën e privatizimit, por në çdo rast ajo nuk do të jetë më e lartë se 20 për qind e kapitalit të llogaritur.


Anglo-Adriatika
Ministria e Financave do të rishpërndajë bonot e privatizimit për 47 mijë familje që i kanë investuar në kompaninë Anglo-Adriatika. Sipas Ministrisë së Financave do të shpërndahen vetëm bonot që janë tek Anglo-Adriatika, pasi, bonot e tjera janë ende në përdorim nga qytetarët. Në Shqipëri kanë ekzistuar tri fonde investimesh, që kanë grumbulluar letra me vlerë, ku më e njohura mbetet Anglo-Adriatika, në të cilën kanë depozituar bono privatizimi rreth 47 mijë familje shqiptare. Ekspertët shprehen se bonot ndodhen të depozituara në një bankë private në Tiranë dhe se sapo ligji të hyjë në fuqi, për një periudhë që pritet të zgjasë rreth 3 muaj, qytetarët do të kenë të drejtën të rimarrin mbrapsht bonot e tyre. Sipas përllogaritjeve, gjendja e bonove të privatizimit dhe vlera në miliona lekë të shpërndara zë më shumë se 51 miliardë lekë ose rreth 68 për qind. Rreth 24 miliardë lekë janë të pashpërndara dhe në total zënë rreth 75 miliardë lekë bono privatizimi. Në procesin e privatizimit janë përdorur rreth 11 miliardë lekë bono, ndërsa 74 miliardë nuk u arritën të përdoreshin. Sipas përllogaritjeve, janë rreth 750 mijë qytetarë, të cilët përfituan nga letrat me vlerë dhe bonot e privatizimit. Gjatë periudhës së qeverisjes socialiste, ky proces ndenji pezull, duke mos i konvertuar letrat me vlerë në aksione.

Procedurat dhe afatet
Ligji për privatizimin me bono ka edhe 3 muaj të tjerë afat. . Qytetarët duhet të paraqiten pranë zyrave të Agjencisë së Legalizimeve për të bërë një kërkesë me shkrim ku të deklarojnë se dëshirojnë të paguajnë me bono privatizimi. Këto subjekte, për të përfituar nga e drejta e pagesës me bono privatizimi për pjesën e mbetur apo për rikthimin e shumave të paguara në lekë, në këmbim të bonove të privatizimit, kanë të drejtë që brenda 3 muajve nga data e hyrjes në fuqi të ligjit, nr. 10219 Për disa shtesa në ligjin nr. 9482, datë 3.4.2006, Për legalizimin, urbanizimin dhe integrimin e ndërtimeve pa leje të ndryshuar, të paraqesin kërkesë me shkrim pranë ALUIZNI-t, thuhet në njoftimin zyrtar të agjencisë së legalizimeve. Më tej në këtë njoftim thuhet se poseduesit e objekteve informale, sipas përcaktimeve në ligjin nr. 10219, datë 4.2.2010 Për disa shtesa në ligjin nr. 9482, datë 3.4.2006, Për legalizimin, urbanizimin dhe integrimin e ndërtimeve pa leje të ndryshuar, mund të paraqesin kërkesat pranë drejtorive rajonale të ALUIZNI-t, me hyrjen e në fuqi të tij, për të përfituar nga e drejta e pagesës me bono privatizimi. Të gjithë të tjerët që kanë bërë pagesën me lekë në dorë dhe dua që të paguajnë me bono, qeveria do ti rimbursojë ata dhe për këtë pritet një vendim i posaçëm nga Këshilli i Ministrave. Kërkesa me shkrim nuk kufizon afate për përdorimin e letrave me vlerë, pasi pagesa me bono mund të bëhet në çdo moment, por brenda 3 muajve duhet të bëhet një kërkesë në agjencinë lokale të ALUIZNI-t, ku të deklarohet se do paguash me bono privatizimi. Pagesa me bono Parlamenti miratoi në datën 4 shkurt ligjin nr. 10219 Për disa shtesa në ligjin nr. 9482, datë 3.4.2006, Për legalizimin, urbanizimin dhe integrimin e ndërtimeve pa leje të ndryshuar. Ky ligj parashikon si formë alternative pagese, për parcelën ndërtimore të objektit informal, bonot e privatizimit, krahas pagesës në lekë, në vlerë të plotë monetare. Poseduesit e objekteve informale me funksion banimi apo të përzier, të kualifikuara për legalizim, me hyrjen në fuqi të ligjit, kanë të drejtë të parashtrojnë kërkesë, për pagesën e parcelës ndërtimore me bono privatizimi, sipas përcaktimeve të nenit 1 dhe 2 të ligjit nr. 10219. Bëjnë përjashtim nga ky rregull, objektet informale me destinacion social-ekonomik apo që shfrytëzohen sipas këtij destinacioni dhe shtesat informale në objekte me leje.

Last Updated on E Marte, 06 Prill 2010 18:36

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›