BE: Shqipëria, më e varfëra në Evropë, edhe Bosnja rritet dy herë më shpejt
Shqipëria është vendi me të ardhurat dhe konsumin për frymë më të ulët nga të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor. Raporti Statistikor i Bashkimit Evropian, EUROSTAT, saktësonte para dy ditësh se Bosnja, Serbia dhe Mali i Zi janë vende me të ardhura më të larta dhe me konsum më të lartë për frymë. Ajo që vihet re në statistikat e publikuara nga Bashkimi Evropian ishte fakti se rritja e të ardhurave për frymë në Shqipëri bëhej me ritëm thuajse dy herë më të ulët sesa në Bosnjë dhe po me këtë ritëm (dy herë më të ulët) rritej edhe konsumi për frymë në Shqipëri. Konkretisht, të ardhurat për frymë në Shqipëri në vitin 2005 ishin sa 22% e të ardhurave për frymë të qytetarëve të BE dhe kjo shifër në 2006 dhe në 2007 është rritur me 1 pikë përqindjeje, respektivisht në secilin vit. Pra, në vitin 2006 të ardhurat për frymë në Shqipëri ishin 23% e të ardhurave mesatare të BE dhe në vitin 2007 ishin 24%. Në Bosnjë të ardhurat për frymë në vitin 2005 ishin sa 25% e të ardhurave për frymë në vendet e BE, dhe në vitin 2006 ato shkuan në 27% për të kapur shifrën e 29% në vitin 2007. Pra, në Shqipëri të ardhurat për frymë krahasuar me BE rriten me një pikë përqindje në vit, ndërsa në Bosnjë rriten me dy herë më shumë sesa në Shqipëri. Krahasimi i të ardhurave për frymë të Shqipërisë me Serbinë, Malin e Zi dhe Maqedoninë është shumë i errët për Shqipërinë, pasi ato vende janë rreth 5 deri në 6 pikë përqindjeje para Shqipërisë. Edhe në lidhje me konsumin Shqipëria zë vendin e fundit duke bërë kështu që qytetarët shqiptarë të jenë qytetarët që blejnë dhe konsumojnë më pak nga të gjithë qytetarët e Evropës Juglindore dhe të Ballkanit. Një qytetar shqiptar ka konsumuar gjatë vitit 2007 sa 27% e asaj që ka konsumuar një qytetar i BE, ndërkohë që një qytetar i Bosnjës ka konsumuar sa 36% e një qytetari të BE. Krahasuar me një qytetar serb apo malazez, një qytetar shqiptar ka konsumuar shumë më pak. Konkretisht, një qytetar serb ka konsumuar gjatë 2007 sa 40% e një qytetari të BE dhe një qytetar malazez sa 44% e një qytetari të BE. Shifrat janë shumë të rënda për qytetarët shqiptarë. Shqipëria, jo vetëm që është vendi më i varfër në Evropë, por edhe rritet shumë më ngadalë se sa rriten vendet e dala nga lufta. Është krejtësisht e pakuptueshme dhe e pafalshme për qeveritë që kanë drejtuar Shqipërinë, që ky vend të jetë shumë më keq dhe shumë më varfër sesa Bosnja (pa llogaritur Serbinë apo Malin e Zi), e cila nuk ka asnjë metër plazh, ka kaluar luftëra të tmerrshme, ka një stabilitet politik thuajse të paqenë, ka burime shumë më të vogla sesa Shqipëria. Bosnja, jo vetëm që është me të ardhura shumë më të mira sesa Shqipëria, por edhe rritet me rreth dy herë më shpejt sesa Shqipëria.