Blendi Fevziu: Hiri vullkanik në jetën e gjithsecilit
Romani më i fundit Blendi Fevziut “Hiri i Vullkanit”, i vlerësuar si një nga më të shiturit e vitit 2010, ka ngjallur interesin e grupit të ekselencës të Universitetit Europian të Tiranës, të cilët e kishin ftuar në një bisedë mes studentëve dhe pedagogëve e këtij Universiteti. Pyetjet dhe diskutimet mes shkrimtarit dhe gazetarit Blendi Fevziu dhe të pranishmëve u përqendruan jo vetëm në rikthimin e tij te letërsia artistike, me librin e fundit “Hiri i Vullkanit”, por dhe te publicistika dhe gazetaria. “Kur po shkruaja romanin “Hiri i Vullkanit”, më ndodhi diçka e rëndësishme. Teksa shkruaja këtë libër, kuptova se nuk po jetoja dot më me realitetit. Zgjohesha çdo mëngjes dhe shkoja me vrap të hapja kompjuterin për të shkruar dhe e gjeta veten duke bërë diçka tjetër, që më shkëpuste nga realiteti ose nga ajo që unë bëja çdo ditë, para se të ulesha të shkruaja këtë roman. Në fakt, nuk e kisha në planet e mia që t’i kthehesha letërsisë, por një ditë, teksa hapja dosjet ku mbaja materialet e shkrimeve të mia letrare, nisa të lexoj disa prej tregimeve të mia. Duke hequr pjesët naïve të moshës së gjimnazit, më pëlqyen. Ia dhashë disa miqve të mi dhe ata të gjithë më thanë: Ti duhet patjetër ta zgjerosh këtë tregim. Gjatë udhëtimit tim në Bruksel, ishte “Hiri i vullkanit” që më pengoi të kthehesha në Tiranë. E teksa isha bllokuar në aeroport dhe shihja raportimet që jepeshin për familje të ndara, për shkak të kësaj ngjarjeje, më bëri të kuptoj se secili prej nesh ka një ‘hi vullkani’ në një moment të jetës së tij, që e pengon të realizojë diçka që do të donte shumë. Në rastin konkret, puna e përditshme më kishte penguar të rikthehesha te letërsia” - shuajti kureshtjen e studentëve, shkrimtari Fevziu. Por sigurisht që jashtë diskutimeve, nuk mund të ishte edhe gazetari dhe publicisti Fevziu. “Libri “Jeta ime, intervistë me Blendi Fevziun”, përmban 23 intervista të atyre njerëzve që kanë bërë historinë e Shqipërisë. Personalisht mendoj se ky libër është e vërteta e shkruar. Por në planet e mia është dhe botimi, ose më saktë vijimësia e një tjetër libri me intervista, i titulluar “Një moment në jetën time”, ku personazhet që rrëfehen aty nuk kanë bërë historinë e Shqipërisë, por me dëshminë e tyre rrëfejnë se si kanë dominuar në një çast të caktuar në jetën tonë. E tillë është intervista e Bashkim Shehut, djalit të Mehmet Shehut, që rrëfen natën e fundit para vetvrasjes së të atit, është Pandeli Majko, që flet për Luftën dhe dëbimin e kosovarëve nga vendi i tyre, apo Neritan Ceka që rrëfen ngjarjet e shkurtit të vitit 1991”. Gjatë bashkëbisedimit, gazetari zbuloi edhe projektet që ai ka në fushën e publicistikës. Një ribotim të plotësuar, e etiketoi ai botimin në muajin shkurt të librit “Piedestali pa statuja”, ashtu si dhe punën e nisur për realizimin e dokumentarit të tij të dytë, që në qendër ka rrëzimin e bustit të Enver Hoxhës, protagonistët, pamjet filmike nga operatorët, pjesa më e madhe e tyre të larguar jashtë Shqipërisë.