E Shtunë, 31 Tetor 2026

Jacqueline Kennedy rrëfen

Publikohet libri i Arthur Schlesinger, me intervistën e fshehtë të Jacqueline Kennedy. Bashkëshortja e JFK tregon për takimet me personalitetet e kohës dhe gjykimet e saj. Nga Express më 16 shtator 2011 në ora 13:09

Martin Luther King “një burrë i tmerrshëm, i pandershëm, që bënte orgji”. Charles De Gaulle “një maniak egoist”, Indira Gandhi “tinëzare, e hidhur dhe arrogante, një grua e padurueshme”. Kunata e saj Eunice, “një arriviste e pashoqë”. Këto janë fjalët që tha Jacqueline Kennedy në fillim të vitit 1964, pak muaj pas vrasjes së të shoqit. Ish Zonja e Parë i radhiti këto ‘perla’ njëra pas tjetrës, ndërsa jepte një intervistë të gjatë për Arthur Schlesinger, historiani i madh i kohës së Kennedy-ve.

Bëhet fjalë për tetë orë regjistrim audio të papublikuara më parë, por që do të transmetohet gjatë ditëve në vazhdim. Rrëfimi i ish Zonjës së Parë është përmendur paraprakisht nga disa media të ndryshme amerikane: “New York Times” e publikoi lajmin në faqen e parë. Po ashtu është transmetuar edhe në kanalin televiziv “ABC”.

A mund ta imagjinoni se çfarë do të kishte ndodhur nëse këto tetë orë e gjysmë regjistrim të bëheshin publike atëherë? Jo më kot libri “Jacqueline Kennedy: biseda historike mbi jetën me John-in” është publikuar tani. Në atë intervistë të gjatë, Jackie O. flet për gjithçka, nga frika e atyre viteve të tmerrshme, marrëdhëniet me vëllezërit Kennedy, takimet me “të mëdhenjtë” e tokës, por pa e përmendur për asnjë moment lidhjen jashtëmartesore të bashkëshortit.

Ajo e përshkruante filozofin francez Andre Malraux si “njeriun më interesant që kishte folur ndonjëherë”, por rrëfen edhe detaje të rëndësishme të historisë politike amerikane. Jackie pohonte se pak muaj para se të vdiste, John ishte shumë i shqetësuar për shkak se zëvendësi i tij, Lyndon Johnson, mund të bëhej një ditë president i Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Veçanërisht para atentatit në nëntor të vitit 1963, John i shprehu së shoqes dyshimet e forta se mos ndoshta Johnson ishte në lartësinë e duhur për t’ia rrëmbyer Shtëpinë e Bardhë në 1968-n pas përfundimit të dy mandateve si President. “Oh Zot i madh, a mund ta imagjinosh se çfarë do t’i ndodhte këtij vendi nëse Lyndon do të ishte president?”, thoshte John.

Jackie rrëfen që JFK po mendonte se si të bënte ndonjë lëvizje manovruese brenda Partisë Demokratike, për të ndihmuar ndonjë kandidaturë alternative. “John nuk e kapërdinte dot idenë se Lyndon mund të zgjidhej në krye të Shtëpisë së Bardhë, sepse gjoja ishte i shqetësuar për vendin. Për këtë problem John u konsultua edhe me të vëllanë, Robertin. Më kujtohet që kishin dikë ndërmend për ta prezantuar në zgjedhjet e vitit 1968, por nuk ishte Bobby”, tregon ajo.

E kush e di çfarë rruge do të merrte historia nëse JFK nuk do të vritej, ashtu siç edhe ai e parandiente? Në vazhdim, pas atentatit të John Kennedy në Dallas, Lyndon Johnson u bë President i Shteteve të Bashkuara. Në zgjedhjet e ardhshme ato të vitit 1968, Lyndon ishte në garë në radhët e Partisë Demokratike, por u tërhoq vetëm kur zbuloi se do të kandidonte edhe Robert Francis Kennedy (i cili mbeti i vrarë në “Hotel Ambassador” të Los Anxhelosit, atëherë kur konsiderohej më favoriti për kandidaturën).

Ish Zonja e Parë thotë se nuk kishte konsideratë as edhe për ndonjë paraardhës tjetër, si për shembull të madhin Franklin Delano Roosvelt: “Sharlatan nuk është fjalë e mirë, por shumë gjëra ai i bënte për të magjepsur njerëzit”.

Nga rrëfimi i ish Zonjës së Parë të bëjnë përshtypje frazat që lëshon për një nga mitet e historisë moderne amerikane, siç është Martin Luther King. Vejusha e Kennedy-t flet shumë keq për të: “Kur shoh fotografinë e tij, nuk mund të mos mendoj se sa i neveritshëm është. Njeri pa moral, i tmerrshëm”. Jackie thoshte se ky mendim i ishte krijuar pas leximit të dosjeve të FBI-së, kur “ëndërrimtari” po organizonte një orgji në hotelin e tij në Uashington, disa ditë para marshimit të famshëm për lirinë, ku edhe prezantoi fjalimin historik “I have a dream”. Përveç kësaj, gjatë funeralit të John Kennedy, Martin Luther King ishte përpjekur të vinte në lojë kardinalin Cushing, duke thënë se ishte i pirë dhe se për pak mund ta kishte rrëzuar arkivolin.

Gjithsesi në jetën e saj martesore ka pasur edhe kujtime të bukura e dramatike. “Kanë qenë vitet tona më të bukura”, thoshte Jackie gjatë intervistës me historianin. I takonte gjithmonë asaj që të ngushëllonte një burrë të fuqishëm, i cili i qante në krahë. Këto janë momentet më prekëse. Kur Jackie O. ishte me pushime në Virxhinia, i shoqi i telefonoi dhe i tha që të kthehej menjëherë në Shtëpinë e Bardhë, duke mos i dhënë shumë shpjegime. Ishin ditët e krizës së raketave sovjetike në Kubë dhe bota ishte në prag të një lufte bërthamore. Tensioni bërthamor ishte në maksimum dhe shumë funksionarë të Shtëpisë së Bardhë i larguan gratë nga Uashingtoni. “Nga zëri i tij kuptova se diçka nuk shkonte. U riktheva menjëherë në Uashington dhe që prej asaj nate nuk bëmë më gjumë të qetë. I thashë se çfarëdo lloj gjëje që të ndodhte, unë dhe fëmijët do të ishim gjithmonë me të. Më mirë të vdesim të gjithë bashkë, përfshi edhe fëmijët, sesa të jetojmë pa ty”, i kishte thënë Jackie para se të kthehej në shtëpi.

Ishin vitet e para të vitit 1961. Pas më shumë se dy vjetësh, më 22 nëntor të vitit 1963, në Dallas, historia mori një kthesë tjetër për Jacqueline, familjen e saj, Amerikën dhe pjesën tjetër të botës. Shqip

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›