E Shtunë, 31 Tetor 2026

Teatri i hamburgerëve

Me këtë mentalitet funksionimi, TKK, i përngjan një trafike të pistë ku shitet hamburgeri dhe ku ligji, statuti, rregulloret reduktohen në një çmimore prej një faqeje e shkruar me laps të thjeshtë e shkarravitur, përmirësuar dhe e përlyer me duart e shitësve dhe blerësve. Nga Jeton Budima më 16 shtator 2011 në ora 09:09

Teatri i sotëm përveç tendencave estetike zhvillohet edhe me qëllime ekonomike dhe shoqërore. Në Teatrin Kombëtar të Kosovës, segmenti ekonomik zhvillohet në mënyrë kaotike dhe ndamas nga segmentet të cilat sigurojnë statusin e një veprimtarie me interes të veçantë.

Mirëpo menaxhimi ekonomik në ditët e sotme paraqet rregullator të shpeshtë në realizimin dhe verifikimin e një sistemi të vlerave, i cili përcaktohet nga plani i repertorit. Shumë ndryshime në teatër ndërlidhen me reforma financiare-organizative në struktura horizontale&vertikale teatri. Një nga qëllimet e reformave duhet të jetë zvogëlimi i dallimeve në mes të artistëve skenikë dhe kodeve ekonomike në TKK, duke përfshirë këtu impulse të shumëllojshme ekonomike për nevoja skenike. Sipas ligjit për teatër, teatri kombëtar përshkruhet si institucioni qendror i artit teatror në Kosovë.

Po ashtu sipas këtij ligji, Teatri Kombëtar i Kosovës është teatër i cili kultivon vlera të “verifikuara” të dramaturgjisë kombëtare dhe asaj botërore. Sipas këtij ligji TKK realizon “së paku pesë” premiera të shfaqjeve teatrore gjatë një viti kalendarik, të cilat do realizohen sot shumë vështirë me menaxhimin amatoresk të Burbuqe Berishës. Është e vërtetë se teatri në bërthamë paraqet një produkt të natyrës shpirtërore, jomateriale dhe si i tillë nuk mund të konservohet ose të bartet në kohë dhe hapësirë! Mirëpo, veprimtaria teatrore iu nënshtrohet edhe faktorëve objektivë të cilët duhen të parashikohen me ndihmën e një menaxhimi strategjik.

Përcaktimi i normave të brendshme do të kishte për detyrë rregullimin e veprimtarisë teatrore në TKK. Me këto norma ligjore do të duhej të zhvillohet dhe stimulohet paraqitja e modeleve alternative të difuzionit teatror. Në produksionin e një shfaqjeje teatrore tash llogaritet një numër i madh i ekspertëve të profileve të ndryshme, duke filluar me regjisorin si kreatori kryesor e deri te një punëtor i zakonshëm skenik. Të gjithë ata të cilët sot merren me norma vlerësimi nuk guxojnë të kalojnë në ekzekutim nëse nuk japin përgjigje në disa pyetje themelore: çka paraqet norme vlerësimi, si definohet, si matet, për çfarë qëllimi ose në dobi të çkafit, çka mund të tolerohet?

Teatri Kombëtar i Kosovës edhe në ditët e sotme funksionon pa statut dhe rregullore të përcaktuara e pa një ansambël rezident, i cili nuk është në gjendje të zgjidhet viteve të fundit, e kjo gati në secilin projekt shkakton tash shumë përplasje në mes të aktorëve aktivë në teatër dhe aktorëve joaktivë, ose aktorëve aktivë në televizion, radio, ose film e të angazhuar me kontratë.

Sistemi i trajtimit me dallime ndikon në balancën kolektive e pakënaqësia individuale kërkon një zgjidhje të shpejtë kadrovike, e cila si duket shumë vështirë realizohet me një mentalitet diletant teatror. Dobësitë e filluara në fillim të vitit kalendarik, kur për një shfaqje do të harxhohen ndoshta 100.000 euro, vazhdojnë të ndodhin edhe në ditët e sotme pa shumë dallime në ekonomizim dhe rentabilitet. Ekzistojnë informata se për projektin në vijim do të harxhohen afër 60.000 euro! Vetëm për përkthyesin do të paguhen diku 7.500 euro! Paramendoni! Kjo shumë nuk i paguhet as regjisorit, i cili shumë shpesh kryen dramatizimin dhe inskenon shfaqjen duke u konsideruar si autor kryesor i projektit.

Pas shkarkimit të Drejtorit Artistik (Jeton Nezirajt), i cili shpërdoronte këtë teatër për interesa personale, krijohen parakushte edhe për shkarkimin e Drejtorit të Përgjithshëm (Burbuqe Berishës), e cila me veprimet e saj dëmton funksionimin e Teatrit Kombëtar.

Me këtë mentalitet funksionimi, TKK, i përngjan një trafike të pistë ku shitet hamburgeri dhe ku ligji, statuti, rregulloret reduktohen në një çmimore prej një faqeje e shkruar me laps të thjeshtë e shkarravitur, përmirësuar dhe e përlyer me duart e shitësve dhe blerësve.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›