E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kërkohej Sokol Rama, krisma në operacionin e Policisë

Tre persona janë shoqëruar dje në mesditë nga një grup special në Vlorë, gjatë një operacioni në një lokal në Skelë

Dyshohej se personi i akuzuar për disa krime vrasjesh, ndodhej në shoqërinë e personave të kapur nga njësia e operacioneve speciale


Operacion në Vlorë për arrestimin e një personi të rrezikshëm, të kërkuar për vrasje, policia shkreh armët. Shoqërohen tre persona në polici të dyshuar si miq dhe shokë të të kërkuarit, ndërsa policia më pas i lë të lirë, pasi verifikohet se i kërkuari nuk ishte në vendin ku policia kreu operacionin.

Burime të Policisë së Vlorës, pohuan se operacioni kryhej për arrestimin e një personi shumë të kërkuar me rrezikshmëri të lartë, por se nuk bënë të ditur emrin e tij. Burime të Policisë së Shtetit, pohuan dje në mbrëmje për "Shekullin", se operacioni është organizuar me qëllim arrestimin e shumë të kërkuarit Sokol Rama, i dyshuar nga policia e kryeqytetit për një vrasje në Tiranë, por edhe në Vlorë për hakmarrje.

Burime të policisë kanë pohuar se prej disa ditësh kishin të dhëna se Rama, qëndronte në qytetin Vlorës dhe për këtë është organizuar edhe operacioni i djeshëm në qytetin bregdetar.

Ndërhyrja e efektivëve të njësisë Operacionale të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë është kryer mesditën e djeshme në lagjen Skelë të Vlorës, në një lokal. Efektivët e policisë hynë me shpejtësi në lokal dhe morën tre persona. Fillimisht, punonjësit e njësisë operacionale të veshur me rroba civile janë afruar në lokal dhe kanë kapur dy persona, që ndodheshin në ambientet e jashtme të lokalit.

Në të njëjtën kohë, trupa të tjerë të grupit që kryente ndërhyrjen janë futur në ambientet e brendshme të lokalit,. Aty është marrë edhe një person i tretë, që më pas është dërguar në ambientet e Drejtorisë së Policisë së Vlorës. Në kohën e ndërhyrjes së njësisë operacionale në lokalin që ndodhet tek kulla e parë në skelë, është dëgjuar edhe një shkrehje armësh.

Dëshmitarët thonë se kanë dëgjuar së paku 4 shkrehje armësh, por që nuk është kuptuar se kush ka qëlluar. Burimet e policisë kanë pranuar se ka pasur shkrehje armësh aty por ende nuk dihet se për se kjo ka ndodhur. Pas bllokimit të personave, ata janë dërguar nën masa të rrepta sigurie në ambientet e policisë së qarkut të Vlorës. Te Kali i Trojës, një oficer qarkullimi urdhëroi që të bllokohej trafiku me qëllim që të lehtësohej depërtimi i mjeteve të policisë në rrugë.

Aty nuk u lejua kalimi i mjeteve, për në skelë nëpërmjet një mjeti policie të vendosur në rrugë dhe një punonjësi policie. Trafiku në këtë rrugë është hapur vetëm pasi trupat operacionale të policisë janë larguar nga vendi i operacionit. Tre personat e shoqëruar nga efektivët blu, janë marrë në pyetje nga hetues të mbërritur nga Tirana ndërsa më parë ishte verifikuar identiteti i tyre.

Personat janë pyetur rreth lidhjeve të tyre të mundshme me personin e kërkuar, ndërsa më pas janë lënë të lirë nga oficerët dhe drejtuesit e policisë. "Ne verifikuam se personat e shoqëruar nuk kishin lidhje apo dijeni me objektin që kërkohej nga policia,- pohoi për "Shekullin", një burim nga Policia e Shtetit. Sokol Rama, 32 vjeç, nga Vlora, është shpallur në kërkim nga policia prej tri vitesh, pas një seriali vrasjesh të ndodhura në qytetin e Vlorës.

Vrasja e fundit e Edvin Zanajt, e ndodhur në rrugën "Sytki Çiço", pranë maternitetit të ri në kryeqytet, dyshohet të jetë kryer nga Rama, i cili tashmë është shpallur në kërkim ndërkombëtar.

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›