E Shtunë, 31 Tetor 2026

Babai damkos të birin me hekur të nxehtë

Lushnje, tmerr në trupin e 13-vjeçari, policia zbulon 27 shenja të shkaktuara nga hekuri i nxehtë. Pranga babait 44-vjeç


LUSHNJE- Një baba ka torturuar barbarisht djalin e tij 13-vjeçar pasi dyshonte se ai kishte kryer një vjedhje. Përveç rrahjes mizore, djali 13-vjeçar ka provuar edhe vulat e një shufre hekuri të nxehtë në trup. Policia ka kryer ekspertizën në trupin e fëmijës dhe ka zbuluar 27 shenja të shkaktuara nga shufra e nxehtë. Pas dëshmisë që ka dhënë edhe djali, policia ka arestuar babanë, Bexhet Muça, nga fshati Cermë i Lushnjes.


Vjedhja

Burimet e policisë pohuan se dyshohet që djali 13-vjeçar të jetë autori i një vjedhjeje që është kryer në shtëpinë e një fqinji të tij në fshat. I dëmtuari me inicialet Z.M ka denoncuar se i është vjedhur një telefon celular dhe një shumë prej 400 mijë lekësh. Kjo vjedhje nuk është kryer brenda një dite por gjatë një periudhe pothuajse një mujore. Nga hetimet e policisë është provuar se djali 13-vjeçar hynte lirshëm në shtëpinë e fqinjit dhe herë pas here i merrte atij para nga vendi ku i kishte fshehur.

Z.M nuk kishte menduar ndonjë herë që të numëronte paratë dhe kur e ka kryer këtë gjë ka zbuluar edhe vjedhjen. Ai ka dyshuar menjëherë tek fëmija dhe i ka ngritur një kurth. Pak ditë më pas fëmija është kapur në flagrancë duke tentuar që të vidhte paratë. Për këtë gjë Z. M ka denoncuar fëmijën tek i ati duke i treguar vjedhjen dhe kërkuar paratë.


Dhuna


Kaq ka mjaftuar që Bexhet Muça, 44 vjeç, të niste një ndëshkim shembullor ndaj të birit. Ai nuk e ka duruar dot turpin dhe që në mëngjes ka marrë djalin 13-vjeçar për dore e është mbyllur në një prej dhomave të shtëpisë. Ai ka ndezur zjarrin dhe ka vendosur një shufër hekuri të nxehet.

Gjatë kësaj kohe, 44-vjeçari ka rrahur të birin. Kur është nxehur shufra, Muça ka nisur që të damkosë të birin, i cili ulërinte me të madhe. Britmat e djalit dhe ndihma që ai kërkonte janë dëgjuar edhe nga komshinjtë të cilët kanë njoftuar menjëherë policinë e Lushnjes.

Ekspertët e policisë janë tmerruar kur kanë parë shenjat e hekurit të nxehtë në pjesët e krahut, barkut dhe kurrizit të fëmijës 13-vjeç. Ata i kanë hedhur prangat 44-vjeçarit me akuzën e torturës së rëndë. Ndërkohë fëmija do të ndiqet penalisht në gjendje të lirë për veprën penale të vjedhjes.

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›