Jahjaga: EULEX-i duhet të zbatojë rendin dhe ligjin

Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga i ka cilësuar të drejta kritikat për EULEX-in, sepse sipas saj ai duhet të zbatojë rendin dhe ligjin dhe duhet të luftojë krimin e organizuar dhe kontrabandën, gjë që në të kaluarën nuk e ka bërë me shumë sukses. “Kritikat për EULEX-in janë të drejta, sepse EULEX-i duhet të zbatojë rendin dhe ligjin dhe duhet të luftojë krimin e organizuar dhe kontrabandën, gjë që në të kaluarën nuk e ka bërë me shumë sukses”, u shpreh ajo.
Sipas presidentes kosovare, vendimi për kontrollin e pikave kufitare doganore 1 dhe 31, dhe gjithë kufirin ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë për të bllokuar kalimet ilegale dhe futjen e mallit kontrabandë, është një veprim i drejt në zbatim të ligjit. Jahjaga theksoi gjithashtu se kërkesa e Bashkimit Evropian duhet kuptuar si kthim në gjendjen normale dhe krijimi i një situate të qetë e pa polarizime.
“Askush nuk mund dhe nuk duhet ta kuptojë që Bashkimi Evropian insiston në kthimin e gjendjes së mëparshme të lulëzimit të krimit të organizuar dhe të kontrabandës, sepse menaxhimi i integruar i kufijve, që nënkupton kontrollin dhe respektimin e rregullave, është parim themelor i Bashkimit Evropian”, vijon ajo.
Presidentja Jahjaga theksoi se veprimi i qeverisë së Kosovës, dëshmon përkushtimin e shtetit që të mbrojë sovranitetin dhe integritetin territorial që është e drejtë themelore e Republikës së Kosovë;s të funksionojë sistemi i doganave në pikat kufitare me shtetet tjera.