E Shtunë, 31 Tetor 2026

Jahjaga 1 vit Presidente: Nuk do ketë zgjedhje serbe në Kosovë

07-04-2012 / Gazeta 55

Në njëvjetorin e zgjedhjes si Presidente e Republikës së Kosovës, zonja Ahtifete Jahjaga ripërsëriti qëndrimin e prerë të institucioneve se Kosova është shtet i pavarur dhe është sovran, ka integritetin e saj territorial, dhe ku nuk mund të mbahen kurrë zgjedhjet e një shteti tjetër. “Nuk ka ndarje të Kosovës, nuk ka ndarje as të Serbisë, nuk ka shkëmbim territoresh, as të popullsisë, as në mes të Kosovës dhe në mes të Serbisë. Këtu kemi të bëjmë më shumë me tri komuna dhe mua më pengon shpesh kur përmendet veriu i Kosovës”, deklaroi Presidentja e Kosovës në takimin e zhvilluar me gazetarët ku foli për një varg zhvillimesh të rëndësishme për vendin, brenda një viti. Kryetarja e shtetit të Kosovës duke u vendosur përballë gazetarëve theksoi se për herë të parë në historinë e Kosovës, një vit më parë u zgjodh një jashtë partiake, si faktor uniteti i popullit dhe e gjithëpranuar nga spektri politik dhe nacional i Kosovës. Presidentja e Kosovës theksoi se si Presidente i ka kryer të gjitha detyrat dhe obligimet e saj, duke u kthyer në një faktor uniteti.
“I kam kryer të gjitha obligimet e mia kushtetuese në përfaqësimin dhe në prezantimin e vendit brenda dhe jashtë. I kam përmbushur të gjitha detyrat e mia në kuadër të bashkërendimit dhe koordinimit në raport me qeverinë, kuvendin, veçanërisht me dy ministritë që janë punë e imja: Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe të Forcës së Sigurisë, me partitë politike, me shoqërinë civile dhe me komunitetin tjetër akademik dhe atë profesional”, nënvizoi Jahjaga.
Duke folur për çështjen mbi mandatin e saj presidencial, Presidentja Jahjaga u shpreh se do të jetë faktor uniteti dhe jo palë e marrëveshjes, por rezultat i saj.
“Jam dhe do të jem faktor uniteti - i cili e ka zgjidhur dhe do t’i zgjidhë krizat, dhe në asnjë rast nuk jam dhe nuk do të jem pengesë për çfarëdo marrëveshje, sidomos për marrëveshjet që i arrin faktori politik dhe që e çojnë vendin përpara.
Nuk jam palë e marrëveshjes, por jam rezultat i marrëveshjes dhe e tillë do të mbetem”, u shpreh Jahjaga, duke nënvizuar se interesat strategjike të Kosovës janë prezantimi i saj në rrugën e integrimeve euroatlantike dhe në miqësi të përjetshme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›