Jahjaga: 11 shtatori, kujtesë për njerëzimin

Terrorizmi është rreziku më i madh dhe më serioz për shoqërinë njerëzore sot dhe askush nuk mund të injorojë ose të qëndrojë indiferent ndaj këtij kërcënimi. Kështu është shprehur presidentja e Kosovës Atifete Jahjaga, me rastin e dhjetëvjetorit të sulmeve terroriste në SHBA, më 11 shtator 2001.
“Shtetet e Bashkuara të Amerikës, udhëheqja dhe qytetarët e saj, si gjithnjë në histori, e mundën edhe këtë tragjedi të madhe duke treguar forcën dhe madhështinë e tyre. Duke luftuar terrorizmin, si një të keqe shumë të madhe dhe një rrezik permanent për botën, ato treguan se e ardhmja e njerëzimit është demokracia dhe përparimi”, thuhet në deklaratë.
Jahjaga shpreh solidaritetin me familjarët e viktimave, duke shtuar se 11 shtatori duhet të shërbejë si kujtesë për gjithë njerëzimin se një gjë e tillë kurrë nuk duhet lejuar të ndodhë.
“Institucionet dhe qytetarët e Kosovës, duke e ndjerë në çdo hap përkrahjen dhe ndihmën e vazhdueshme të SHBA-së, janë të përkushtuara për një shoqëri njerëzore ku nuk do të ketë asnjëherë vend për terrorizmin” ka theksuar Jahjaga