Jahjaga: Dialogu, kusht ndërmjet palëve
Aksioni i Policisë së Kosovës për të marrë nën kontroll pikat 1 dhe 31 të vendkalimeve kufitare ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, "është një veprim i qëlluar, që ka përkrahjen e plotë të popullit dhe të gjitha subjekteve politike në Kosovë. Jo vetëm kaq, por edhe përkrahjen ndërkombëtare, sepse është e drejtë sovrane dhe legjitime e shtetit, që të ketë kontroll në mbarë territorin e vet”.
Kështu thuhet në deklaratën e presidentes së Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga.
Presidentja ka theksuar se ka shpresuar për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, por “pasi në raundin e fundit të bisedimeve Serbia u tërhoq pa asnjë shkas duke vënë në rrezik edhe tre marrëveshjet për të cilat dy delegacionet u pajtuan, nuk kishte asnjë alternativë tjetër përveçse Republika e Kosovës, me mjete legale e ligjore të shtrijë autoritetin e pushtetin në tërë territorin".
“Dialogu është e vetmja rrugë e normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë, si dy vende sovrane që në rrugën e integrimit në BE e kanë të ardhmen e përbashkët”, thuhet në deklaratën e presidentes, e cila gjithashtu ka bërë të ditur se i ka shprehur përkrahjen institucionale kryeministrit të Kosovës për këtë veprim të domosdoshëm.