E Diel, 1 Nëntor 2026

Jahjaga: Kosova përballë botës, me të njëjtin emër që e njohin 87 shtete

Presidentja Atifete Jahjaga ka deklaruar se "përfaqësimi i Republikës së Kosovës në nismat rajonale dhe ndërkombëtare duhet të bëhet me emrin me të cilin është njohur nga 87 vendet e botës dhe me emrin me të cilin Republika e Kosovës vendos marrëdhënie bilaterale, si shtet sovran dhe i pavarur".

Këto komente ajo i bëri gjatë një takimi që ka pasur me përfaqësuesin e BE-së në dialogun ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë, Robert Kuper, të shoqëruar edhe nga përfaqësuesi i posaçëm i BE-së në Kosovë, Samuel Zhbogar dhe drejtori për Evropën Perëndimore, Ballkanin Perëndimor dhe Turqinë, në Shërbimin Evropian për Veprim te Jashtëm, Fernando Gjentilinin.

Sipas një njoftimi për shtyp presidentja Jahjaga citohet të ketë thënë se “dialogu në Bruksel, me lehtësimin e BE-së, nuk po zhvillohet për statusin e Kosovës por për çështje teknike, të interesit të përbashkët ndërmjet dy vendeve dhe adreson çështje konkrete”.

“Zgjidhjet që dalin nga dialogu duhet të jenë zgjidhje në përputhje me standardet dhe praktikat më të mira evropiane dhe ato duhet të garantohen nga BE”, ka thënë Jahjaga.

Ndërsa ndërmejtësi i BE-së, Robert Kuper citohet të ketë thënë se “dialogu ka arritur një përparim të caktuar dhe se marrëveshjet kanë filluar të zbatohen gradualisht”. Sipas njftimit mësohet se Kuper është interesuar në veçanti për qëndrimin e Presidentes për çështjen e përfaqësimit të Kosovës në nismat dhe organizatat rajonale dhe ndërkombëtare.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›