Jahjaga: Marnhac kreu detyrat me përgjegjësi

Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, ka marrë pjesë në ceremoninë e përfundimit të mandatit të Xavier Bout de Marnhac, shef i deritanishëm i Misionit Evropian për Sundim të Ligjit në Kosovë, EULEX.
Në fjalimin e saj para të pranishmëve, Jahjaga, pasi ka falënderuar për punën, siç ka thënë ajo, “e çmuar që e keni kryer në Misionin tuaj tejet të rëndësishëm në Republikën e Kosovës për rendin dhe sundimin e ligjit”, ka theksuar se misioni i EULEX-it është një mision i ftuar nga institucionet tona për të dhënë kontribut dhe për të na ndihmuar me përvojën dhe angazhimin konkret në fushat shumë të rëndësishme të rendit dhe sundimit të ligjit në periudhën e tranzicionit, dhe në periudhën e ndërtimit të proceseve demokratike, transmeton “Zëri”.
“Policia, prokurorët dhe gjyqtarët e EULEX-it gëzojnë respektin e qytetarëve të vendit tim për angazhimin dhe për përkushtimin e tyre që t’i kryejnë edhe detyrat më të vështira, duke respektuar ligjin dhe procedurat dhe duke aplikuar përvojat më të mira të vendeve evropiane nga të cilat vijnë”, ka thënë Jahjaga.
Presidentja e vendit ka theksuar se në këtë kohë, Kosova po i ndërton të gjitha kapacitete e nevojshme që duke i marrë të gjitha përgjegjësitë t’i kryejë të gjitha detyrat “duke bërë vendin tonë vend në të cilin mbretëron sundimi i ligjit dhe duke luftuar me sukses të gjitha të këqijat dhe dukuritë negative, sidomos korrupsionin dhe krimin e organizuar qe nuk njohin kufij dhe që kërcënojnë progresin e përgjithshëm dhe të ardhmen evropiane”.
“Thellë besojmë që këtë vit Kosova do të bëhet anëtare me të drejta të plota në të gjitha organizatat dhe mekanizmat ndërkombëtarë në fushën e drejtësisë dhe sigurisë, sepse vetëm duke qenë anëtar të rrjetit ndërkombëtar në luftimin e krimit, ne mundemi me sukses të japim kontributin tonë në këputjen e linjave dhe në luftimin efikas të krimit transnacional”, është shprehur Jahjaga në fjalimin e saj para të pranishmëve.
Jahjaga ka thënë se dy mandatet e Marnhac, ai ushtarak edhe në sundimin e ligjit, kanë qenë detyra shumë të përgjegjshme, duke theksuar se Marnhac ka dhënë një kontribut konkret dhe të prekshëm në ruajtjen e paqes dhe stabilitetit, si dhe në ngritjen dhe ndërtimin e kapaciteteve vendore, duke u shquar me një bashkëpunim të jashtëzakonshëm dhe me një koordinim të plotë dhe efikas.
“Ju shprehim falënderimet e institucioneve dhe popullit te Kosovës për gjithë atë që keni bërë, duke ju pasur përherë një mik të qëndrueshëm të Kosovës, të promovimit të vlerave dhe të ardhmes së saj”, ka thënë në fund presidentja e vendit, Atifete Jahjaga./Indeksonline/