E Diel, 1 Nëntor 2026

Jahjaga: Nuk u respektuan të drejtat e njeriut

 (E plotësuar) Zyra e Presidentes së Republikës së Kosovës vlerëson se heqja e përmendores është në kundërshtim me të drejtat themelore të njeriut dhe me Kartën Evropiane për Vetëqeverisjen Lokale.

“Heqja e përmendores nuk është në përputhje me vullnetin e qytetarëve të Luginës së Preshevës, të shprehur nëpërmjet institucioneve të kuvendeve komunale, që janë institucione legjitime dhe legale.Kjo tregon mungesën e gatishmërisë që nëpërmjet dialogut të gjendet zgjidhja si një mekanizëm tashmë i dëshmuar demokratik” thuhet në njoftimin e zyrës së presidentes.

Zyra e Presidentes së Republikës së Kosovës bën thirrje për qetësi dhe për krijimin e një klime të mirëbesimit që do të rivendoste dialogun me qëllim të gjetjes së një zgjidhjeje të pranueshme./Indeksonline/

.....

Krasniqi: Veprim qyqar i Beogradit

Serbia po destabilizon rajonin dhe po nxit konflikte dhe urrejtje ndër etnike.

Kështu thuhet në reagimin e Kryetarit të Kuvendit, Jakup Krasniqi, i cili e ka dënuar heqjen e lapidarit të UÇPMB-Së.

Krasniqi vlerëson se ky veprim qyqar i Beogradit, dëshmon edhe njëherë se pushteti aktual i Serbisë nuk ka ndryshuar asgjë nga logjika, mentaliteti dhe veprimet e pushtetit të Sllobodan Milosheviqit.

“Veprimet e tilla nuk i kontribuojnë paqes dhe stabilitetit në rajon, e as procesit të bisedimeve për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve. Kjo është edhe një dëshmi se Beogradi vazhdon të jetë prodhues i destabilitetit, nxitës i konflikteve dhe urrejteve ndërmjet kombeve”, thuhet në deklaratën e kryetarit të Kuvendit.

“Rrënimi i përmendoreve dhe ndalimi i shpalosjes së vlerave kulturore dhe i kujtesës historike të popujve, shton më tej Krasniqi, nuk përkon me vlerat universale të kohëve moderne, si: liria, paqja, demokracia dhe bashkëpunimi”, thuhet më tutje në njoftimin e Kryetarit Krasniqi.

Pas situatës së krijuar, kryetari Krasniqi bën thirrje për gjakftohtësi, në mënyrë që shqiptarët e kësaj treve të mos bien pre e provokimeve të Beogradit, sado të dhimbshme qofshin ato./Indeksonline/

....

Qeveria: Autoritetet serbe i urrejnë shqiptarët e Luginës

Qeveria e Kosovës ka dënuar largimin e lapidarit të UÇPMB-së në qendër të Preshevës, nga forcat e xhandarmërisë serbe.

Nëpërmjet një komunikate ekzekutivi kosovar e cilëson veprimin e Qeverisë së Serbisë si edhe një dëshmi tjetër se urrejtja kundër shqiptarëve që jetojnë në Luginën e Preshevës është ende gjallë dhe se ajo po ushqehet me veprime të tilla të pasardhësve të politikës gjenocidale të Millosheviqit.

Madje, qeveria kosovare vendit vlerëson se ky akt i Qeverisë së Serbisë e rrezikon seriozisht procesin e dialogut për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

" Dështimi i Qeverisë së Serbisë që përmes dialogut të gjejë një zgjidhje për vendosjen e Memorialit tregon se dialogu ende nuk është pjesë e politikës qeveritare të Serbisë kur janë në pyetje shqiptarët", thuhet ne reagimin e Qeverise se Kosovës.

Sipas ekzekutivit kosovar veprim jocivilizues i Qeverisë së Serbisë i heqjes së Memorialit nuk e ndryshon dot historinë dhe kujtesën e shqiptarëve kudo që janë.

“Përkundrazi, vetëm sa e forcon atë dhe na rikujton se Serbia dhe politikat e saj mbeten po ato të shekullit të kaluar. Qeveria e Republikës së Kosovës iu bën thirrje shqiptarëve në Luginën e Preshevës dhe qytetarëve të Kosovës që të mos i përgjigjen këtij provokimi qyqar të Serbisë. Ne duhet të besojmë në vlerat civilizuese dhe jo në antivlera, të cilat i promovon Serbia, e që janë dënuar nga e gjithë bota perëndimore demokratike”, thuhet ne njoftim.
Qeveria e Republikës së Kosovës iu bën thirrje shqiptarëve në Luginën e Preshevës dhe qytetarëve të Kosovës që të mos i përgjigjen këtij provokimi qyqar të Serbisë. /Indeksonline/

.......................................

Hasani: Lidershipi shqiptarë në Preshevë, matrapaz politik

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Nait Hasani, ka kritikuar ashpër liderët shqiptarë të Luginës së Preshevës, të cilët sipas tij, nuk arritën të mbrojë atë që e kishin vendosur vetë.

Me largimin e lapidarit nga xhandarmeria serbe, duhet të vetëdorëhiqet edhe lidershipi i shqiptarëve të asaj pjese, të cilët sipas tij janë matrapaz politik që kanë luajtur me ndjenjat e shqiptarëve.

“Këtu papërgjegjshmëria është e Institucioneve politike ne Preshevë, Medvexhë dhe Bujanovc të cilët kanë marr vendime te pa matura politike kur e kane vendos dhe tash kur kane pranuar të hiqet lapidari. Këta njerëz politik duhet të japin dorëheqje sepse e kane fut popullin ne thurje shpirtërore dhe kane ule dinjitetin e shqiptarit. Këta duhet te kërkojnë falje fillimisht, pastaj këta politikane janë matrapaz politik qe kane luajtur me ndjenjat e qytetareve te Kosovës dhe të Shqiptareve në përgjithësi dhe këta janë ata që kane tregu se janë mashtrues dhe njerëz pa vlera si një leckë politike”, tha Hasani për Indeksonline.

Hasani, kërkon që në vendin e përmendores të vendosen lulet dhe të bëhet roje nderi pas dorëheqjes së këtyre politikanëve të pa paërgjegjshëm.

“Prandaj këta duhet te japin llogari dhe përgjegjësi politike e morale para popullit”, shtoi Hasani.

Ndryshe lidershipi i Luginës në vazhdimësi ka dhënë deklarata se lapidari nuk do të hiqet, madje për këtë është mbajtur edhe një kuvend ku është legalizuar përmendorja. Lapidari i dëshmorëve të rënë të UÇPMB-së u vendos në nëntor të vitit të kaluar me rastin e festës së 100 vjetorit të pavarësisë së shtetit shqiptar. /Indeksonline/
 

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›