E Diel, 1 Nëntor 2026

Shqiptarët e Kosovës Lindore nuk kanë të ardhme në Serbi

( E plotësuar) Sot në orët e hershme të mëngjesit, forca të shumta të xhandarmërisë serbe kryen një akt dhune kundër shqiptarëve - larguan me forcë lapidarin e dëshmorëve të kombit nga qendra e Preshevës, thuhet në reagimin e LB-së.

“Ky veprim i pushtetit serb është vazhdimësi e sjelljeve shoviniste të Serbisë jo vetëm ndaj shqiptarëve të Kosovës Lindore, por edhe kundër shqiptarëve në përgjithësi. Ky akt e shpërfaqi edhe njëherë realitetin e hidhur: shqiptarët të cilët jetojnë të trojet e veta në Preshevë, Bujanoc e Medvegjë janë të privuar nga të drejtat elementare dhe se madje as ato nuk mund t’i realizojnë në kuadër të Serbisë.

Gjithashtu, ky akt tregon qartazi se politika e ndjekur ndaj Serbisë nga ana e Qeverisë së Kosovës dhe Qeverisë së Shqipërisë ka qenë e gabuar dhe e ka dëmtuar e po e dëmton interesin kombëtar të shqiptarëve në Preshevë, Bujanoc e Medvegjë. Në njërën anë kemi politikën agresive shoviniste të Serbisë, e cila po i shtyp, vret, burgos e shpërngulë shqiptarët, e, në anën tjetër, kemi politikën qyqare të Tiranës e Prishtinës, e cila shqiptarët e Kosovës Lindore i quan dhe i trajton si pakicë kombëtare (!) dhe kërkon nga ata që të drejtat e tyre t’i realizojnë në institucionet serbe!

Qëndrimi i institucioneve tona ndaj çështjes së Kosovës Lindore duhet të ndryshojë. Lëvizja për Bashkim deklaron edhe njëherë se populli shqiptar në Preshevë, Bujanoc e Medvegjë, jeton në trojet e veta i ka të gjitha karakteristikat e kombit dhe se atij i takon e drejta e kombeve për vetëvendosje deri në shkëputje. Andaj, të gjithë shqiptarët, subjektet politike e institucionet e Kosovës dhe të Shqipërisë duhet të punojnë për jetësimin e kësaj të drejte, pra të bashkimit të Kosovës Lindore me Kosovën-Shqipërinë”.

.....

LDK: Heqja e lapidarit, presion ndaj shqiptarëve në Preshevë

Lidhja Demokratike e Kosovës e konsideron të papranueshme sjelljen e sotme të shtetit serb, i cili në mënyrë të vrazhdë e hoqi nga sheshi i Preshevës Lapidarin e Dëshmorëve të Ushtrisë Çlirimtare të Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës.

Ky akt është në vazhdën e veprimeve të njohura të regjimeve të Beogradit, kundër të cilave kanë luftuar dëshmorët shqiptarë të Kosovës Lindore, emrat e të cilëve janë skalitur në atë lapidar, të cilin Beogradi zyrtar sot e vodhi brutalisht.

LDK-ja e vlerëson këtë akt si një mjet presioni ndaj shqiptarëve të mbetur në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë, ndaj i bën thirrje bashkësisë ndërkombëtare që ta shtojë kujdesin për qytetarët e atjeshëm shqiptarë, të cilët janë më të shtypurit dhe më të diskriminuarit në Evropë./Indeksonline/

....

Kurti: Heqja e lapidarit, fajin Serbia, përgjegjësinë Qeveria e Kosovës

Pas heqjes së lapidarit të UÇPMB-së ka reaguar edhe Lëvizja "Vetëvendosje". Kreu i saj, Albin Kurti në mbledhjen e shtatë të Këshillit të Përgjithshëm të VV-së tha se fajin për heqjen e lapidarit e ka Serbia, por përgjegjësinë e mban Qeveria e Kosovës.

“Shumë masakra dhe krime mizore që i ka bërë Serbia në shekullin e kaluar, janë kryer pikërisht në ditët e fundjavës. Kështu ndodhi edhe tash, sepse regjimi atje është i njëjtë. Qëllimi dhe qëndrimi i atij regjimi është po ashtu i njëjtë, jo vetëm kundër pavarësisë por dhe anti-shqiptar. Përderisa fajin për heqjen e këtij lapidari që shënon dhe kryengritjen dhe kujtesën tonë e mban Serbia, përgjegjësinë për heqjen e këtij lapidari e mban Qeveria e Kosovës”, pohoi Kurti, transmeton “Kosova Sot”.

Lëvizja "Vetëvendosje" theksoi edhe njëherë se dialogu pa kushte për Serbinë, për çështje të brendshme të Kosovës, do ta rrezikojë dhe dëmtojë Kosovën dhe popullin shqiptar. Kurti, më tej tha se me politikat e saj, Qeveria po dëshiron veriun e Mitrovicës ta bëjë Hong Kong, e shqiptarët në jug të Mitrovicës t’i lënë si palestinezë.

"Edhe njëherë iu bëjmë thirrje qytetarëve të Kosovës që ta kuptojnë që kjo qeveri nuk iu shërben interesave të përgjithshme dhe ashtu siç e ka braktisur shqiptarin në Mitrovicë, e ka braktisur dhe shqiptarin në Preshevë, Medvegjë e Bujanoc”, potencoi Kurti. Ndërsa, duke folur për alternativen qeverisëse të Lëvizjes "Vetëvendosje", Kurti tha se me lëvizjen e tij shteti i Kosovës nis me idenë e republikës. Ai tha se alternativa qeverisëse e Lëvizjes Vetëvendosje parasheh një shtet të së drejtës, shtet zhvillimor dhe social./Indeksonline/
....

Largimi i lapidarit të UÇPMB-së nga ana e xhandarmërisë serbe nuk e ka befasuar Lëvizjen Vetëvendosje.

Ky veprim cilësohet si tregues i asaj që, Serbia nuk ka ndryshuar.

Deputeti Liburn Aliu, thotë se, negociatat e qeverisë së Kosovës me Serbinë në Kohën kur në Luginën e Preshevës ishte gjendja e tensionuar, tregon dobësinë që kanë treguar këto institucione në raport me mbrojtjen e të drejtave të shqiptarëve në Preshevë.

“Negociatat u paraprijnë konsensuseve të tjera, nuk është vetëm çështja e lapidarit, i cili është simbol i rëndësishëm, por problemi është te të drejtat e shqiptarëve atje. Në negociata kjo çështje nuk është as temë e as kusht...kjo është dobësi e institucioneve të Kosovës, është dobësi kur Prishtina heq dorë nga banorët në Luginë” thotë Aliu për Indeksonline.

Aliu kritikon edhe liderët në Luginën e Preshevës të cilët sipas tij u treguan të dobët. Por ai thotë se dobësia e tyre vjen si pasojë e mospërkrahjes së qeverisë në Prishtinë.

“Të parët që duhet të mbronin lapidarin është dashur të jenë Kryetari i Komunës me këshilltarët e tij , ata do të duhej të ishin aty.” Tha Aliu.

Aliu nuk është përgjigjur nëse liderët në Preshevë do të duhej të jepnin dorëheqje duke thënë se në Luginë ka nevojë për lëvizje për ndryshime dhe për liderë më të vendosur./Indeksonline/
 

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›