Kosova, model i universiteteve publiko-politike !

Hapja e universiteteve të reja duhet të ndodhë në mënyrë legale, dhe jo për fushatë elektorale. Cilësia në arsim po dëmtohet nga vetë Qeveria, udhëheqës të së cilës po e shfrytëzojnë pozitën për të fituar vota gjatë zgjedhjeve duke hapur universitete që nxjerrin të diplomuar analfabetë. Kështu vlerësojnë ekspertë të fushës së arsimit, por edhe Agjencia për Akreditim e Kosovës (AAK) ka bërë thirrje për zhvillime më dinamike në dy universitetet e reja të hapura më parë atë, të Prizrenit dhe Pejës, para se të mendohet hapja e universiteteve tjera në vend, shkruan gazeta Zëri.
Deklarata e kryeministrit të vendit Hashim Thaçi në mbledhjen e parë të kabinetit qeveritar për këtë vit se do të hapen universiteti i Gjilanit dhe ai i Gjakovës, për Ministrinë e Arsimit duket e zbatueshme, ndonëse ekspertët e arsimit vlerësojnë se sistemi arsimor po shkatërrohet nga politika. Arbër Morina, zëdhënës në Ministrinë e Arsimit, thotë se është e pamundur që universitetet e reja të mos kenë ngecje, pasi janë themeluar rishtazi. Mirëpo, kjo s’e ka penguar MASHT-in dhe Universitetin e Prishtinës që të nisin takimet për hapjen e universitetit tjetër, atë në Gjilan që parashihet të ndërtohet mbi bazën e degëve ekzistuese të UP-së atje.
Detyra e Ministrisë, sipas tij, është që të zhvillojë politikat në përgjithësi, të themelojë universitetet, të shpallë konkurset për borde, rektor... Nivelin e cilësisë ai e sheh më shumë si kompetencë të menaxhmentit të universiteteve, të cilat gëzojnë dhe autonominë.
Morina thekson se menaxhmenti i UPZ-së (themeluar dy vjet më parë) është duke punuar në bashkëpunim dhe me universitete tjera, dhe ndonëse nuk mohon se mund të ketë ngecje në këtë institucion, ai thotë se “nuk është aq keq”. Por, ndryshe nga ai mendojnë ata që nuk janë pjesë e qeverisë.
Eksperti i arsimit, Jonuz Salihaj thekson se universitetet duhet të hapen në mënyrë legale, dhe jo siç po ndodh “të emërtohen nga kryeministri pa u themeluar”. Salihaj ka theksuar se për hapjen e një universiteti duhet të merren për bazë kriteret për themelim si kuadri, numri i studentëve, kampusi... Ai thotë se këtu po ndodh e kundërta: “institucionet e arsimit të lartë po përdoren për fushatë”. Gjithë kjo, ai paralajmëron se po dërgon tek krijimi i analfabetëve, madje dhe ata me tituj, si dhe një ekonomi e dobët.
Jeton Mehmeti është analist politikash në Institutin GAP, thekson se rasti i Universitetit të Prizrenit është një shembull që nuk do duhej përsëritur, universitet ky për hapjen e të cilit, sipas tij, qeveria pati premtuar gjatë fushatës elektorale. “Premtimi elektoral në njëfarë mënyrë ka presionin e vet për t’u realizuar. Hapja e një universiteti do duhej të dallonte nga premtimet tjera (në kontekstin kosovar nuk do duhej të ishte premtim fare) sepse nuk mund të hapet një universitet vetëm sa për të dëshmuar mbajtjen e premtimit”.
Kosova, Mehmeti thekson se nuk ka një model të mirë të funksionimit të një universiteti publik. “UP-ja është larg nga të qenit një universitet garues në rajon. Universiteti i Prizrenit, ndonëse i proklamuar nga Qeveria se do të jetë më ndryshe, dështoi në shumë aspekte. Ky universitet edhe pse në vitin e tretë të funksionimit të tij, ende ballafaqohet me probleme elementare, sikurse mungesa e hapësirës së nevojshme për studim. Universiteti i Pejës ndonëse zyrtarisht ka nisur vitin akademik muaj më parë, këto ditë ka shpallur konkurs për staf akademik”. Sipas tij, Qeveria do duhej të fokusohej në ngritjen e cilësisë së arsimit të lartë në universitete ekzistuese publike se sa në shtimin e numrit te tyre.
“Në asnjë mënyrë nuk do duhej të hapej një universitet publik pa u debatuar ai vendim edhe në Kuvend dhe pa u ratifikuar vendimi nga Kuvendi”. Sikurse UPZ-ja dhe Universiteti i Pejës, janë themeluar gjatë fushatave, pa ratifikim të vendimeve në Kuvend. Mosstatusi ligjor, madje iu nxori telashe në akreditim. “Pas ratifikimit të vendimit për themelim në Kuvend, akreditimi është zgjatur për tre vjet, sepse ashtu është rekomanduar. Ne e vendosëm si kusht që njëherë të ratifikohet vendimi për themelim dhe të ketë status ligjor të qartë. Universiteti i Pejës ka qenë në proces të akreditimit dhe e njëjta gjë ka vlejtur edhe për ata : Ratifikimi i vendimit për themelim në Kuvend. Ministri Buja ka qenë aktiv në këtë aspekt dhe e ka dërguar kërkesën dhe kjo ka kaluar në Kuvend vitin e kaluar. Neve na kanë sjellë vendimin për themelim, kështu që baza ligjore është sqaruar”, ka thënë kryetarja e Këshillit Kombëtar të Cilësisë në AAK, Ferdije Zhushi-Etemi. Ajo ka theksuar se agjencia pret zhvillime më dinamike në këto dy universitete të sapothemeluara.
Ajo ka rekomanduar që degët e UP-së nëpër komuna të mbesin të tilla dhe të zhvillohen, të mos ngutet me hapjen e universiteteve tjera, duke iu referuar veçanërisht mungesës së kapaciteteve njerëzore, si dhe anës financiare. Hapja e universiteteve publike, sikurse ai i UPZ-së bëhet me mungesë hapësire, sigurim të objekteve ku mbahet mësimi me qira, mungesë stafi akademik. /Indeksonline/