E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sa u besojnë të rinjtë politikanëve?

Viti 2012 vlerësohet të ketë qenë një vit jo i mirë për të rinjtë e Kosovë. Të paktën kështu janë shprehur ata në rubrikën VOX për Radio Evropën e Lirë.

Fitim Gashi, student në Fakultetin Juridik thotë se politikanëve u beson fare pak.

“Politikanëve ju besoj fare pak, për shkak se po të ishte gjendja më ndryshe, ndoshta do t’u besoja, por qytetarët janë në një varfëri të skajshme, studentët nuk kanë kushte të domosdoshme për zhvillim, arsimi i degraduar në masë të madhe. Politikanët janë pasuruar pa masë. Kështu që ajo çka bëjnë politikanët për popullin, është mjaft pak, sepse gjendja po flet vetë”.

Problemet në arsim, papunësia, dukuritë negative si droga, duhani, perspektiva nga fakultetet që ata zgjedhin, mungesa e vendeve ku ata do të mund të argëtoheshin, si dhe shumë çështja tjera, janë disa nga hallet që të rinjtë i tregojnë për rubrikën tonë të dedikuara për të rinj.

Mendimin e tij se sa u beson politikanëve, e jep edhe Ardit Baxhuku.

“Me vetë punën e tyre, po duket se kemi një arsye të fortë që mos t’u besojmë. Në të gjitha punët që po i bëjnë, po shihet që po ka korrupsion, ka dallavere dhe se di se si qytetarët prapë po dalin e po votojnë për të njëjtit, edhe pse kjo është në thonjëza, sepse ata vetë po i mbushin kutitë”.

“Kanë dhënë shumë premtime, por asnjëherë nuk i kanë realizuar, andaj nuk kam besim tek ata”, thotë Donika Morina.
Papunësia e lartë në Kosovë ka bërë që të rinjtë të ballafaqohen më së shumti me këtë problem, derisa varfëria është bërë e pashmangshme për shumicën e të rinjve të vendit dhe kjo është pengesë qenësore për përparimin e tyre në cilëndo fushë, thonë ata.

Madje, Artani, aktor me profesion, mendon se është humbje kohe të mendohet se duhet besuar politikanëve.
“Mendoj se kësaj elite jo që nuk duhet besuar, por është e turpshme të trajtohen ato që thonë. Ata veç flasin dhe është humbje kohe të merresh me ta”, shprehet Artani.

Por, ka edhe të tillë që janë të kënaqur me politikanët dhe punën e tyre.

“Ju besoj shumë, sepse po e thonë të vërtetën. E kanë thënë deri tash të vërtetën dhe po vazhdojnë ta thonë”, thotë i riu Besnik Krasniqi.

Derisa Petrit Nura mendon ndryshe.

“Nuk u besoj aspak , sepse mendoj që gjatë gjithë kohës nuk e thonë të vërtetën. Qe 13 vjet replikë, dhe krejt çka thonë gënjejnë”.

Edhe Majlinda Sadiku, studente, mendon ngjashëm.

“Duke i marrë parasysh rrjedhat e fundit në Kosovë, që asgjë nuk po ec përpara, padyshim se nuk u besoj aspak”.
Me mbi 35 për qind të popullsisë të moshës 15 deri 24-vjeçare dhe mbi 65 për qind nën moshën 30-vjeçare, rinia paraqet grupmoshën më të madhe të popullsisë në Kosovë. Në shumicën e të rinjve të intervistuar del se ata nuk u besojnë politikanëve, dhe janë të zhgënjyer me premtimet e dhëna dhe punën e tyre.

Edhe Luljeta Arifi, 19 vjeçe, thotë se nuk u beson politikanëve.

“Jo aspak nuk u besoj, dhe as nuk merrem me ta fare”, shprehet Luljeta.
“Aspak, sepse politikanët gënjejnë, thonë gjithçka, por nuk i mbajnë premtimet”, pohon edhe Mirusha.

Ndërkaq, Fatime Kokolli thotë se u beson shumë pak politikanëve:
“Unë besoj shumë pak, ndoshta edhe hiq. Ata nuk bëjnë asgjë për qytetarët e vet”. /Indeksonline/

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›