Jahjaga: Përmbyllja e mbikëqyrjes, sukses i përbashkët

“Përmbyllja e fazës së mbikëqyrjes së pavarësisë shënon një sukses të përbashkët të bashkësisë ndërkombëtare, të institucioneve të Kosovës dhe të qytetarëve të saj, që me kontributin e tyre vendosën themelet e shtetit sovran, të pavarur dhe demokratik. Republika e Kosovës - shtet sovran dhe i pavarur në tërësinë e saj territoriale dhe me subjektivitet të garantuar ndërkombëtar - është realitet i pamohueshëm dhe pavarësia e saj është proces i pakthyeshëm”, thuhet në fillim të deklaratës.
Sipas saj, Bashkësia ndërkombëtare dhe shtetet mike të Kosovës kanë dhënë kontribut të jashtëzakonshëm në ngritjen dhe konsolidimin e shtetit tonë.
“Periudhën deri në përmbyllje të misionit të Zyrës Civile Ndërkombëtare (ICO), institucionet e Republikës së Kosovës dhe bashkësia ndërkombëtare do ta shfrytëzojnë për ndërtimin e një qasjeje të përbashkët, për konkretizimin e përgjegjësive dhe përcaktimin e bartësve të proceseve në mënyrë që kjo fazë e tranzicionit të zhvillohet dhe të përfundoj me sukses. Kjo siguron përmbushjen e plotë të obligimeve që dalin nga Pakoja e Ahtisaarit”, vazhdon deklarata në të cilën shtohet se institucionet e Republikës së Kosovës do të jenë të përkushtuara që në bashkëpunim të ngushtë dhe partneritet me praninë ndërkombëtare në Kosovë të vendosin kushtetutshmërinë dhe ligjshmërinë në tërë territorin e Kosovës, duke përfshirë integrimin e tri komunave në veri të vendit si dhe për ndërtimin e kapaciteteve të nevojshme demokratike.
“Republika e Kosovës garanton zbatimin dhe përmbushjen e të gjitha obligimeve dhe detyrimeve ndërkombëtare”, përfundon deklarata e presidentes së Kosovës, Atifete Jahjaga.