E Shtunë, 31 Tetor 2026

Jahjaga: Veriu mos të mbetet ‘zonë e hirtë’

Nga Express më 23 shtator 2011 në ora 19:59

Kosova nuk mund t’ia lejojë vetes që tri komunat veriore të konsiderohen edhe më tutje ‘zonë e hirtë’ ku mund të veprojnë krimi dhe kontrabanda, ka thënë presidentja e Kosovës Atifete Jahjaga në një intervistë për Kosovapress.

Jahjaga ka shprehur mbështetjen e saj për Qeverinë e Kosovës për të vendosur rendin e dhe ligjin në gjithë territorin e Kosovës, përfshirë edhe veriun, ku më 16 shtator janë vendosur policët dhe doganierët.

“Vendimet apo veprimet e fundit që ishin nga Qeveria e Kosovës që kanë përkrahjen time të plotë, janë në përputhje me Kushtetutën dhe të gjitha ligjet e Kosovës dhe janë në përputhje edhe me konventat ndërkombëtare. Neve nuk mund t’ia lejojmë as vetes, mirëpo kjo nuk është në përputhje as me dëshirën e partnerëve tanë ndërkombëtarë që Kosova të konsiderohet sidomos në tri komunat në veri të Kosovës, të konsiderohet ta themi si një zonë e hirtë e operimit të krimit të organizuar dhe të kontrabandës. Sundimi i rendit dhe ligjit do të veprojë në tërë territorin e Kosovës dhe Kosova dhe institucionet e saj kanë tolerancë zero ndaj aktiviteteve negative. Ky është synimi ynë, ky është synimi i Qeverisë së Kosovës për sundimin e rendit dhe ligjit në tërë territorin e Republikës së Kosovës”, ka thënë presidentja Jahjaga.

Vizitën e saj në Nju Jork, presidentja Jahjaga e vlerëson si shumë të suksesshme, ku ka thënë se ka marrë përkrahje të pa rezervë dhe të pakontestueshme për rrugën e Kosovës drejt integrimeve evropiane dhe euroatlantike.

Ajo ka thënë se Kosova do ta ketë një rrugë të qartë drejt integrimeve evropiane, drejt anëtarësimit në NATO dhe do të ketë një rrugë të qartë që të jetë anëtare e Kombeve të Bashkuara dhe të gjitha organizatave tjera rajonale dhe ndërkombëtare.

“Thash edhe më herët që Kosova do ta ketë një rrugë të qartë drejt integrimeve euroatlantike. Kosova do ta ketë një mbështetje të vazhdueshme drejt ndërtimit të së ardhmes së vendit tonë dhe të popullit tonë dhe ishte një përkrahje e pa rezervë apo e pakontestueshme që mundëm ta vërejmë gjatë të gjitha takimeve, që u prezantua nga të gjithë përfaqësuesit për popullin e Kosovës dhe për Kosovën që të ketë një rrugë të qartë drejt integrimeve euroatlantike”, është shprehur presidentja e Kosovës.

Gjatë qëndrimit në Nju Jork, presidentja Jahjaga ka pasur një sërë takimesh të ndryshme me udhëheqës të lartë, përfshi sekretarin e përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara, Ban Ki-Mun, sekretaren amerikane të Shtetit, Hillari Klinton, ish-sekretaren e Shtetit, Medllin Ollbrajt dhe përfaqësues të tjerë shtetesh. Po ashtu, një takim të shkurtër, presidentja Jahjaga ka pasur edhe me homologun e saj amerikan, Barak Obama. (Kosovapress)

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›