E Shtunë, 31 Tetor 2026

Jahjaga e Mustafa përmirësojnë marrëdhëniet

(E plotësuar) Presidentja e Kosovës Atifete Jahjaga dhe Kryetari i LDK-së Isa Mustafa, kishin zgjedhur akademinë përkujtimore për Presidentin Ibrahim Rugova që t’i relaksojnë marrëdhëniet mes vete. Ata bënë llaf e muhabet pandërprerë derisa fillojë akademia.

Madje kreu i LDK-së edhe gjatë fjalimit e falënderojë presidenten e vendit për akademinë që e kishte organizuar me rastin e 7-vjetorit të vdekjes së Rugovës.

I pari që foli në këtë akademi përkujtimore ishte ish-Presidenti Fatmir Sejdiu.

Ai tha se Liria dhe Pavarësia ishte gjithherë në mendjen e presidentit Ibrahim Rugova, politikanit të urtë dhe të mençur.

Salla e Kuqe e Pallatit të Rinisë ishte e vogël për t’i zënë të gjithë qytetarët që kishin shkuar për të nderuar presidentin Ibrahim Rugova.

E pranishme në këtë akademi përkujtimore ishte edhe familja Rugova.

Në akademinë e organizuar nga LDK ndër të tjera u tha se vepra dhe vlera e Rugovës do të mbesin përherë në mendjen e shoqërisë./Indeksonline/

----------------

Mijëra qytetarë ia kanë mësyrë Velanisë për të bërë homazhe të varri i Presidentit Ibrahim Rugova. Turma e njerëz është shumë e gjatë, ndërsa për ruajtjen e rendit po përkujdeset Policia e Kosovës./Indeksonline/

----------------

Krerët e Lidhjes Demokratike të Kosovës kanë bërë homazhe në Velani tek varri i presidentit Rugova, ndërkaq pas tyre këtë rit po e kryejnë edhe qytetarët, të cilët po presin në radhë të gjata.

----------------

Në përkujtim të vdekjes së Presidentit Ibrahim Rrugova, mijëra qytetarë janë nisur nga sheshi "Nëna Terezë" për në varrezat e Velanisë, ku prehet presidenti Rugova. Marshuesve po u prinë kreu i LDK-së, Isa Mustafa. Të gjitha udhëkryqet që çojnë për në Velani janë bllokuar nga Policia e Kosovës.

--------------

Nën patronazhin e Presidentes së Republikës së Kosovës, zonjës Atifete Jahjaga, u organizua akademi përkujtimore në përvjetorin e vdekjes së Presidentit Ibrahim Rugova.

Presidentja e Kosovës, Jahjaga tha se, Ibrahimi Rugova është lideri dhe arkitekti i Pavarësisë së Kosovës.

“Ne sot po e përkujtojmë Presidentin e parë të shtetit që i dha kahje historisë”, ka deklaruar Jahjaga.

Sipas saj, Presidenti Rugova kishte zgjedhur rrugën për ta mobilizuar popullin për liri dhe pavarësi dhe i dha përkrahje fuqizimit ndërkombëtar që kulmoi me ndërhyrjen e NATO-s.

Në këtë akademi përkujtimore, nuk ishte i pranishëm kryeministri Hashim Thaçi dhe kryeparlamentari Jakup Krasniqi./Indeksonline/

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›